Zbatimi i kurrikulës, ka përkushtim por ka edhe dobësi!
Analizë e disa fakteve problematike gjatë zbatimit të kurrikulës së re në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës, evidentime dhe këshilla për përmirësime nga mësuesit.
Kurrikula e re po zbatohet në të gjitha shkollat në Republikën e Kosovës që në nisje të këtij viti të ri akademik. Kjo risi i ka mbledhur edhe një herë të gjithë mësuesit bashkë në diskutime se si të zbatojnë me efektivitet kurrikulën e re dhe të ndajnë eksperiencën së bashku. Më poshtë shikoni disa pika të evidentuara nga mësuesi Hajdin Morina.
Me qëllim të ndihmesës dhe sqarimit
1. Zbatimi i Kornizës së Re të Kurrikulumit të Kosovës tashmë ka filluar, të paktën zyrtarisht, në të gjitha institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese të arsimit parauniversitar.
2. Ka mobilizim në këtë drejtim, por ka dhe dobësi
Tekstet nuk janë ndryshuar në pjesën më të madhe të tyre, pra, sipas kësaj, qenkan tekste të qëndrueshme që janë hartuar për të përballuar edhe Kurrikulën 2001, edhe Kurrikulën 2011. Mrekullia vetë! Në arsimin profesional, përpos teksteve bazike, asnjë tekst i profilit arsimor. Kurrikula zbatohet. Bëka edhe pa tekste, me diktim që nuk u përshtatet nxënësve.
3. Mësimdhënësit vrapojnë të kopjojnë e të fotokopjojnë formularë të ndryshëm të planeve mësimore ditore, javore, mujore, tremujore e vjetore. Nuk ka një formë unike zyrtare të këtyre planeve. Ani pse s'ka, kuptoj, duhet kreativitet në planifikim, por problemi qëndron te kopjimi i këtyre planeve mësimore prej mësuesi në mësues, prej komune në komunën tjetër.
4. Fatkeqësisht kopjohen edhe plane jo të sakta. Harrohen ato që janë sugjeruar nëpër trajnime.
5. Kopjohen nga doracakët e Kurrikulës dhe udhëzuesit e saj, por edhe keq kopjohen.
6. Koordinatorët e cilësisë japin kontribut në këtë drejtim aq sa dinë, aq sa mund të japin.
7. Vërehen plot gabime në planifikim, kurse pikërisht planifikimi është njëri ndër treguesit e rëndësishëm që e dallon mësimdhënien moderne nga ajo tradicionale.
8. Te rubrika për rezultatet e të nxënit sipas kompetencave të shkallës përkatëse futen gabimisht, pa kurrfarë analize paraprake, të gjashtë kompetencat e kurrikulës, qoftë edhe në planin mujor për klasën e gjashtë. Të gjashtë kompetencat janë paraparë të arrihen pas mbarimit rë arsimit parauniversitar, e nëse nxënësi i klasës së gjashtë arrin të jetë mendimtar kritik dhe kontribues aktiv në shoqëri, sipas kurrikulës, atëherë mësuesi i tij duhet të shpallet hero, por kam frikën se kjo është vetëm pjesë e planit të punës, është vetëm në letër.
9. Rezultatet e mira të nxënësve janë tregues të zbatimit të kurrikulës e jo planet e kopjuara (plagjiaturë) dhe raporti i koordinatorit (shqip duhet: bashkërenduesit) të cilësisë në shkollë se planet u dorëzuan me kohë.
(Nga Hajdin Morina, Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!