Zbardhen rezultatet për 3800 mësues në të gjithë vendin

Zbardhen pikët e provimit të rreth 3800 mësuesve që ju nënshtruan provimit në datë 19 dhjetor 2015

Zbardhen pikët e provimit të rreth 3800 mësuesve që ju nënshtruan provimit në datë 19 dhjetor 2015. Këta mësues, pasi aplikuan me dosje në 13 drejtoritë arsimore përkatëse, më pas bën regjistrimin në protalin “Mësues për Shqipërinë” dhe ju nënshtruan provimit, pikët e të cilit mund t’i gjejnë bashkangjitur shkrimit. Kandidati duhet të bëjë verifikimin e ID-së personale për të mësuar pikët që ka grumbulluar në provim. Rezultatet e provimit të publikuara në “Gazetën Shqiptare” janë të ndara në dy pjesë, ndërsa në kolonën e fundit, kandidatët kanë pikët totale që kanë arritur, ndërkohë që pikët maksimale të testit janë 70.

Ndarja është bërë e tillë, pasi edhe testi ishte i ndarë në pjesën e parë që përmban dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionit arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe në total ka 30 pikë. Ndërsa pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës dhe në total ka 40 pikë.

Rezultatet e testimit ende nuk kanë shkuar zyrtarisht në Drejtori Arsimore, por pritet që brenda kësaj jave të zyrtarizohen pikët e ço kandidati, duke ju shtuar edhe pikët e vlerësimit të dosjes. Pikët maksimale të vlerësimit të dosjes janë deri në 30. Renditja përfundimtare për çdo profil/ lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë”. Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës.

Kandidati, i cili në renditjen e përgjithshme sipas profilit/lëndës është renditur me numrin më të madh të pikëve, ka të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të komisionit të ngritur pranë Drejtorive/ Zyrave Arsimore Rajonale.

(Ermelinda Hoxhaj, GSH)

2,098 Lexime
8 vjet më parë