Reflektime

Xheladin Murati: Mësimdhënia është art dhe mësuesi mjeshtër i saj

Për ta bërë mësimdhënien art dhe mjeshtëri, pedagogu nga Maqedonia e Veriut, Xheladin Murati, rekomandon për mësuesit reflektimet dhe këshillat e mëposhtëme.

Çfarë është më e rëndësishme për një mësues? Zëri i tij, të dijë çka dhe si të punojë, qasja kreative në mësimdhënie, kompaktibiliteti midis veprimit dhe fjalës, shkathtësitë menaxhuese, karakteri njerëzor dhe personaliteti i tij (njerëzishmëria, sinqeriteti, korrektësia, vendosmëria, dashuria për nxënësit e të ngjashme). Apo ka edhe diçka tjetër? Ajo tjetra është fakti se në shkollë nxënësit duhet të përballojnë mospërputhjen e ndjeshme midis problematikës sociale, kulturore, psikologjike, pedagogjike, edukative, informative e të ngjashme që reflektohet në klasë. Kjo ndodh sa për arsye të proceseve të brendshme që ndodhin në klasë e në shkollën e sotme, streset, ankthet, monotonia, pedantizmi pedagogjik etj. aq edhe nën ndikimin e faktorëve jashtëmësimor.


Ky fakt dëshmon se arritja e suksesit dhe cilësisë së mësimdhënies është e lidhur drejtpërdrejt me mjeshtërinë e mësuesit. Për këtë arsye nocionet “art” dhe “mjeshtri” përdoren shpesh në terminologjinë didaktike. Kjo tregon se forma (sjellja) është një element aktiv ndaj punës përmbajtjesore. Roli i saj mund të jetë i dyanshëm: forma (sjellja) mund të jetë forcë që e favorizon procesin e njohjes mësimore sipas niveleve:

  • Njohje e elementeve mësimore (nocione, koncepte)
  • Të kuptuarit dhe zbatimi  (lidhshmëria me praktikën)
  • Të zhvillohet mendimi kritik-logjikë (në transferin e njohurive)


Së dyti,  nëse forma (sjellja) s’përshtatet me përmbajtjen mësimore, atëherë vështirësohet procesi i njohjes. Prandaj mësimdhënien e quaj art dhe mësuesin mjeshtër i saj. Mjeshtëria është si kusht për të bërë veprime të suksesshme në mësim. Prandaj mjeshtëria e mësuesit në mësimdhënie është burim i risive edhe shfaqje e kulturës didaktike. Në fakt, me lidhjen  horizontale dhe vertikale të elementeve mësimore mësuesi ushtron një ndikim vendimtar mbi përvetësimin e mësimit. Çdo mësues me prirje didaktike ka në kokën e tij ide, parime e rregulla, projekte e qasje metodike, di se ç’do t’u thotë nxënësve gjatë mësimdhënies dhe di se si t’ua thotë atyre. Megjithëkëtë mësimdhënia është kategori  më e rëndësishme e procesit të mësimit sepse sfera e shtrirjes së saj është më e gjerë se çdo kategori tjetër e procesit edukativ-mësimor.


Pra, arti i mësimdhënies nuk është qëllim në vetvete, por është i përcaktuar të plotësojë funksione të dobishme njohëse, dhe vlerësuese në procesin e mësimit. Kjo ndodh nëse përcaktohen drejt qëllimet dhe përmbajtja e mësimit. Kjo tregon se mësimdhënia varet nga raporti objektiv, real, konkret që vendosën mësuesi midis përmbajtjes mësimore dhe nxënësit.  Mirëpo, sado e lartë të jetë mjeshtria e mësuesit, mësimdhënia mund të mos jetë cilësore dhe e suksesshme sikur të mos plotësoj qëllimet dhe objektivat që synon të arrihen. Kjo ndodh kur mësuesi nuk e njeh teknologjinë e mësimit, nuk përdoren mjetet  dhe metodat e përshtatshme, kur mungon përvoja dhe përkushtimi. Në të vërtetë qëllimi dhe përmbajtja mësimore është tërësia e funksioneve edukative-arsimore nëpërmjet të cilave plotësohen nevojat programore, aspektet teorike dhe njohjet praktike të mësimit.


Mësimdhënia është proces konkret, me problem të qartë, por si e këtillë ajo bëhet e suksesshme nëse mësuesi si mjeshtër i saj krijon harmoninë, raportin pozitiv midis pjesëve dhe tërësisë, rregullave e  ritmit dhe dinamikën e punës. Në fakt, mësimdhënia është një raport i formës dhe përmbajtjes, i strukturës dhe i funksionit, i dukjes dhe i thelbit, i të panjohurës dhe i njohjes që realizohen në mënyrë harmonike njëra me tjetrën duke e krijuar simetrinë e perceptimit të procesit gnoseologjik, aksiologjik dhe demijurgjik. Harmonizimi didaktikë i përmbajtjes mësimore dhe formës është një synim logjikë i vazhdueshëm i mësuesit si mjeshtër i mësimdhënies. Sepse mjeshtria e mësimdhënies shpreh anë të ndryshme të mësimit si në nivelin e përvetësimit të diturive, në cilësinë e mësimdhënies, në artikulimin e njohjes mësimore, në vlerësimin dhe strukturën e vlerave  ashtu edhe në ndërtimin e arkitekturës së mësimit


Uniteti i lartë i formës mësimore dhe përmbajtjes nënkupton shkallë të lartë të rregullimit didaktikë të procesit të njohjes mësimore. Harmonizimi sa më logjik i elementeve mësimore është rruga më e mirë për të arritur cilësi në mësimdhënie. Duke qenë funksionalisht dhe didaktikisht të lidhura funksioni njohës dhe ai praktik realizohen suksesshëm. Aftësia e mësuesit si mjeshtër i mësimdhënies është që edhe kufizimet eventuale t’i kthej në sukses.


Ashtu si mjeshtëria e mësimdhënies edhe organizimi i mësimit kërkon perceptimin e tërësishëm të komponentëve mësimore për të ndërtuar strukturën e tij logjike, metodologjike, psikologjike e didaktike. Veprimtaria krijuese e mësuesit duhet të marrë në konsideratë sistemin metodologjik dhe gnoseologjik dhe të udhëhiqet nga ligjshmëritë didaktike të procesit të mësimdhënies, gjithnjë duke pasur parasysh nxënësin i cili është absorbues i dijeve që transmetohen përmes mësimdhënies. Pra duhet të kihen parasysh emocionet e nxënësve, aftësitë intelektuale, motivimi, vlerat që duhet të përvetësoj, mënyrën e të menduarit dhe të parashtruarit e pyetjeve e të ngjashme.


Për ta bërë mësimdhënien art dhe mësuesi të jetë mjeshtër i saj, rekomandimet e mia për mësuesit janë:

  1. Keni konsideratë për përparësitë dhe privilegjet që ju ofron në rolin tuaj mësimdhënia. Disa prej tyre ju mundësojnë ta bëni punën tuaj në mënyrë cilësore dhe efektive.
  2. Shpjegojini gjërat vetes, pasqyroni në mënyrë të larmishme artin e mësimdhënies.
  3. Mbani qëndrim didaktikë ndaj mjeshtërisë së mësimdhënies se ai ka një thelb specifik.
  4. Jeni më kreativ dhe inovativë në mësim.
  5. Trajnoni mendjen tuaj për të qenë më kreativ dhe inovativë.
  6. Kultivoni një dëshirë të fortë për dituri.
  7. Një mendje e zgjuar dhe komunikuese hapin dyert e suksesit.
  8. Jini mendje hapur ndaj koncepteve dhe qasjeve të reja mësimore.
  9. Provoni ide të ndryshme në menaxhimin e mësimdhënies.
  10. Provoni t’i qaseni mësimdhënies në një mënyrë tjetër.
  11. Për të qenë shpjegues i mirë duhet të jeni dëgjues i mirë.
  12. Egoja e ngushton fushën tuaj të vizionit pedagogjik; bëhuni i realet dhe objektiv në punën tuaj mësimore.


Elementi aksiologjik, duke qenë i përgjithshëm në procesin e  mësimdhënies, ai nuk reflekton në mënyra dhe forma të njëjta te të gjithë nxënësit, përkundrazi, njohja ka rrugë të ndryshme për të nxitur qëndrimin aktiv të nxënësve në procesin e përvetësimit të diturive.


Në të vërtetë, pavarësisht nga dallimet më thelbësore, janë format dhe llojet e ndryshme të mësimdhënies si e njëjta veprimtari në transferin e dijeve tek nxënësit. Prandaj ka kuptim dhe ka rëndësi të madhe të studiohen dhe të praktikohen ligjshmëritë didaktike e metodologjike se ç’është arti i mësimdhënies në përgjithësi, se cilat janë tiparet më të përgjithshme të mjeshtërisë së mësimdhënies. (koha.mk)



Nga Xheladin MURATI


©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,487 Lexime
1 vit më parë