Aktualitet

Vrasja e 15-vjeçarit në Gramsh, Shkolla "Asllan Shahini": Jemi të tronditur, Fationi u ndodh aty rastësisht

“Fationi u ndodh rastësisht aty, duke mos qenë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij. Ai u përpoq t'i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal”, shkruhet në adresën e shkollës në rrjetin social Facebook.

Shkolla 9-vjeçare “Asllan Shahini” ka reaguar ndaj ngjarjes që tronditi qytetin e Gramshit, ku nxënësi Fation Bici humbi jetën pas një sherri me thika mes disa bashkëmoshatarëve të tij. 15-vjeçari ndërhyri të shuante sherrin e ndezur për rrjetet sociale mes të afërmit të tij, dhe disa prej bashkëmoshatarëve, por përfundoi në viktimë, pasi plagët që mori, ishin vdekjeprurëse.


“Jemi thellësisht të tronditur, nga ngjarja e rendë që ndodhi sot në qytetin tonë, në të cilën humbi jetën Fationi,nxënës në klasën e IX. Fationi mbaroi mësimin, si çdo ditë tjetër, u interesua duke pyetur rojën e shkollës, se a ishte larguar nga shkolla motra e tij më e vogël, nxënëse në klasën e IV, e pasi u sigurua se ajo ishte larguar, u nis për në shtëpi. Në mes të lagjes, në mes të ditës, moshatarë të tij, nxënës edhe këta nga shkolla e fshatit Drizë, konfliktohen për biseda banale në rrjetet sociale, dhe konflikti kthehet në tragjedi... Fationi u ndodh rastësisht aty, duke mos qenë ai pjesë e konfliktit në rrjetet sociale, por një i afërmi i tij. Ai u përpoq t'i ndante në grindje e sipër, por përfundoi viktima e këtij sherri banal.

Fationi u nis sot drejt Parajsës...

Do na mungosh të gjithëve, Fation i dashur!

Të qoftë dheu i lehte, o engjëll!”, shkruhet në adresën e shkollës në rrjetin social Facebook.


Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 13:30 minuta të ditës së martë (16 maj) pranë shkollës “Asllan Shahini.

Gjithçka u zhvillua në rrugë ku 5 adoleshentët sipas deklaratës se policisë u përfshinë në një konflikt të çastit, ku një prej tyre qëlloi me thikë 15-vjeçarin Fation Bici.


Për shkak të dëmtimeve të rënda, ndonëse i mituri u transportua në spital, nuk mundi të mbijetojë.


Policia saktësoi se në ngjarje dyshohej se u plagos dhe një tjetër adoleshent me inicialet M.C për shkak se në spital u raportua për plagosjen e të miturit me thikë. Adoleshentët të moshës 14-15 vjeç, mes tyre edhe autori u larguan nga vendi i ngjarjes, por janë kapur më pas.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,689 Lexime
1 vit më parë