Viti i ri shkollor, 74% e ndjekësve të Portalit Shkollor Albas votojnë kundër mësimit online, japin sugjerimet
Së fundmi, në një sondazh që Portali Shkollor Albas ka bërë mbi mundësinë e zhvillimit të mësimit online për vitin e ardhshëm shkollor, shumica e ndjekësve ka votuar kundër kësaj eksperience. Sugjerimet dhe rekomandimet që ata kanë dhënë janë të ndryshme. Ju ftojmë të lexoni këtë përmbledhje.
Vetëm 26% e ndjekësve të Portalit shkollor kanë votuar pro mësimit online, në një sondazh që ne kemi zhvilluar para pak javësh, duke i pyetur nëse janë pro apo kundër mësimit online. Konkretisht vetëm 417 veta kanë votuar pro zhvillimit të këtij lloj mësimi për vitin e ardhshëm shkollor si një mundësi nëse situata e pandemisë prej COVID-19 do të jetë problematike. Pakica kanë votuar pro me arsyetimin se mësimi online mund të zhvillohet vetëm në raste të veçanta.
Pjesa tjetër, 74% e votuesve, kanë votuar kundër duke u shprehur se kontakti i mësuesve sy më sy me nxënësit është më i rëndësishmi.
Reagimet e tyre kanë qenë të shumta kur janë pyetur se cilat janë udhëzimet dhe rekomandimet që ata propozojnë në rast se mësimi do të vijojë online, për vitin e ri shkollor 2020-2021.
Kombinimi i të dyja metodave, mësim tradicional dhe mësim online sipas tyre do të ishte një mundësi e mirë.
Disa sugjerojnë që shkollat duhet të rihapen në shtator dhe se të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm për të respektuar rregullat e vendosura kundër COVID-19. Mësuesit ndjekës të Portalit Shkollor Albas kanë thëne se nëse mësimi bëhet me disa turne dhe me pak nxënës, numri i tyre duhet të shtohet dhe ata duhet të paguhen më tepër që të pajisen me mjete të nevojshme për mësimin në distancë. Nxënësit që kanë për të dhënë provimet kombëtare duhet ta zhvillojnë mësimin në klasë thonë ndjekësit, pasi kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e tyre edhe më tej. Një grup prej tyre kanë arsyetuar se fëmijët e klasës së parë e kanë më të vështirë se të gjithë që të përqendron dhe të mësojnë në mënyrë online. Për fëmijët e parashkollorit ata ndihen tepër konfuz sepse e kanë të vështirë të japin një sugjerim konkret. "Kopshtet të bëhen me dy turne sipas nevojës që prindërit kanë dhe numri i fëmijëve të jetë 10 në një grup", kanë shkruajtur ndjekësit.
Nga ana e ndjekësve është folur edhe për fleksibilitet të rastit.
Të gjithë janë të një zëri dhe urojnë që mos ndodh të zhvillohet mësimi online, por nëse për shkak të situatës do të jenë të gjithë të detyruar ta çojnë më tej eksperiencën e mësimit online atëherë ata sugjerojnë që fëmijët të pajisen me tableta dhe të përcaktohen orare të përbashkëta për të zhvilluar mësim. Sipas tyre mësimi online kërkon kushte dhe infrastrukturë dhe se mësuesve dhe nxënësve duhet t’u mundësohet internet falas. Disa kanë kërkuar përcaktimin e saktë të një rregulloreje komunikimi mes nxënësve dhe mësuesve për pjesëmarrjen e detyrueshme në mësimin online, nëse ky sërish do të jetë alternativë për vitin e ardhshëm shkollor. Ata kanë kërkuar platformë të përshtatshme për nxënësit dhe të unifikuar si dhe trajnime për mësuesit për platformat e mësimdhënies online. Gjithashtu kanë kërkuar më shumë orë online për lëndët shkencore; të alternohet ora mësimore me lojëra zbavitëse që nxënësit të mos mërziten por pse jo edhe të argëtohen.
Por edhe pse të paktë në numër, disa të tjerë kanë menduar që viti shkollor të shtyhet.
Ndërkohë disa mësues kanë ngritur shqetësimin se me zhvillimin e mësimit online nëpër shkollat private, mësuesit nuk janë paguar ende me pretekstin se mësimi nuk është zhvilluar në të njëjtat kushte si më parë, sipas prindërve. Mbi ta rëndon shqetësimi se mund të përsëritet e njëjta gjë nëse japin mësim online.
Komente bruto nga ndjekësit
Komente bruto nga ndjekësit
Për më tepër këto janë linqet e sondazhit dhe temës që ne kemi postuar për diskutim në faqen e Facebook të Portalit Shkollor Albas:
https://www.facebook.com/portalishkollor/posts/2459860410783425
https://www.facebook.com/portalishkollor/posts/2499313396838126
Nanila Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë