Urimi për ditën e parë të shkollës
Ju ftojmë të lexoni urimin e ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla për të gjithë mësuesit dhe nxënësit në ditën e parë të vitit të ri akademik.
Përshëndetje,
Nesër është një ditë e veçantë për 27 mijë vogëlushë që nisin rrugëtimin me dijen.
Për 392 mijë djem e vajza që i drejtohen shkollës dhe që në këto çaste po bëjnë përgatitjet me prindërit e tyre.
Për 30 mijë mësues dhe edukatorë që, po ashtu, tashmë kanë përfunduar me përgatitjet e orarit, planeve mësimore e klasave.
Bashkohem edhe unë me disa kolegë, për të uruar të gjithë ju. Suksese!
Një urim e zotim të veçantë për fëmijët në nevojë, me aftësi të kufizuar e jetimë, për fëmijët nga komuniteti rom e egjiptian.
Zotohemi se do të bëjmë dhe më shumë për ju krahas gjithë fëmijëve të tjerë.
Po ndërtojmë, hap pas hapi, vetëdijen për ta ndryshuar mënyrën e të nxënit që ju është ofruar deri më sot, me të nxënit për të cilin ju keni nevojë.
Të dashur mësues!
Roli juaj është i pazëvendësueshëm. Prindërit kanë besuar edukimin e fëmijëve te ju.
Ndaj,
Ju drejtohem, së pari, ju mësues që punoni në fshat me mirënjohjen e thellë dhe angazhimin për të bërë edhe më shumë për ju e për të gjithë të tjerët.
Ju drejtohem ju 1500 mësuesve që u punësuat nga sistemi i ri, shumfishoni 1500-fish arsyet për të besuar se cilësia e nxënësve tuaj do të jetë më e mirë.
Ky vit do të jetë viti dedikuar mësuesit.
Pasi vendosëm sistemin e punësimit sipas meritës dhe jo te serës apo xhepit, do vijojmë bashkarisht me sistemin e kualifikimit real dhe jo pazareve të krediteve fiktive si dhe përmirësimit të kushteve tuaja.
155 mijë nxënës do të punojnë me tekste të reja europiane.
126 shkolla të rikonstruktuara dhe 45 terrene të reja sportive për shkollën dhe komunitetin.
Të dashur gjimnazistë,
Ju që filloni klasën e dhjetë do të filloni kurrikulën e gjimnazit të gjeneratës tjetër:
Që lehtëson ngarkesën nga 18 në 13 lëndë mësimore.
Që rivendos gjuhën shqipe dhe unifikon lëndët e detyrueshme deri në klasën e 11.
Që vendos vetëm 5 lëndë të detyrushme në maturë dhe mundëson lidhjen e munguar midis gjimnazit dhe arsimit të lartë.
Të dashur prindër,
Fëmijët janë jeta jonë. Ndaj, bëhuni pjesë e shkollës. Bashkëpunoni dhe monitoroni punën e saj.
Shkolla qendër komunitare është në funksion të Shqipërisë europiane.
Gjithçka mundemi për fëmijët - Kjo është detyra jonë!
Më shumë arsim!
Më shumë edukim!
Më shumë art e sport!
SUKSESE!
Hartimi i projektit kurrikular
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri