“Unë jam në kërkim të orës ideale të mësimit ...”
Intervistë me mësuesen e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën “Suljeman Delvina” Jonida Lalaj. Një rrëfim për punën, marrëdhëniet me nxënësit dhe mënyrën e shkrimit të gjuhës shqipe në rrjetet sociale.
Jonida Lalaj, një emër i dashur për të gjithë nxënësit e gjimnazit “Sulejman Delvina” në Delvinë, por jo vetëm për ata. Eksperienca si mësuese në shkollat e këtij qyteti e bën mësuesen e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të dashur për të gjithë komunitetin. Kërkuese, mirëkuptuese dhe e revoltuar kur bëhet fjalë për keqpërdorimin e gjuhës shqipe mësuese Jonida na tregon më shumë për veten, profesionin dhe nxënësit e saj.
Letërsia, lënda e preferuar e nxënësve. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
T’ju them që më bën të ndihem e privilegjuar, nuk do të ishte modeste prej meje, por me bindje pranoj se ndihem mirë e me këmbë në tokë.
Letërsia u jep mundësi nxënësve të shprehin ndjenjat, mendimet dhe opinionet e tyre në mënyrë artistike; ju a keni mundur të kuptoni vështirësitë në të cilat ndodhet një nxënës pasi keni lexuar esenë e tij?
Sigurisht që jam përpjekur të kuptoj vështirësitë apo boshllëkun e mendimeve për tema të ndryshme, zakonisht gjatë punëve me shkrim, ku nxënësit brenda orës duhet të punojnë mbi një temë që nuk i emocionon. Kjo më vonë reflekton gjatë leximit të eseve ku nuk marr krijime artistikisht të arrira.
Teksa i vlerësoni nxënësit, çfarë keni evidentuar diçka të përbashkët që ju ka bërë përshtypje, që ju ka tërhequr vëmendjen?
Ballafaqohem me një fakt të çuditshëm; mënyra se si nuk më kundërshtojnë asnjëherë, janë gjithmonë dakord me vlerësimin tim…
Si është ndërtuar marrëdhënia juaj me nxënësit?
Shohim që dita-ditës figura e mësuesit po sfumohet në këtë shoqëri konsumatore dhe njëkohësisht teorikisht tentohet që figura e tij të zërë vendin e nderit!
Megjithatë gjatë këtyre 15 viteve mësimdhënie jam munduar të jap më të mirën time për të krijuar një marrëdhënie mbështetur mbi respektin reciprok, korrekte. Ka ndodhur që me nxënësit që kam pasur në klasë kujdestari jam lidhur shpirtërisht, i kam trajtuar si fëmijët e mi, duke i shoqëruar në çdo aktivitet dhe ekskursion. Momente që janë ngulitur në mendje e që do të ruhen në palimpsestin e kujtesës sime.
E ku ka më bukur kur ata nuk më harrojnë edhe sot që janë larguar prej gjimnazit!
Cila është ajo ngjarje që ka ndodhur në klasë dhe që ju ka mbetur në mendje?
Çdo ditë ka befasitë e veta pozitive dhe negative, momente që të bëjnë të lumtur dhe që të mërzitin. Do të shkëpus njërin prej tyre….Ka ndodhur para disa vitesh kur pata një orë të hapur në klasën e 11-të. Sa kisha ardhur në gjimnaz, pas një përvoje pune pesë vjeçare në një nga shkollat nëntë vjeçare të qytetit (në atë kohë tetëvjeçare).Gjatë orës së mësimit, me pjesëmarrje të gjerë, me mbytën emocionet (sepse si tip jam shumë emotive), por ishin emocione pozitive sepse doli një orë e realizuar bukur, gjithëpërfshirëse.
Si është për ju ora ideale e letërsisë?
Idealja i përket vetëm të paarritshmes, të përsosurës. Asgjë rrotull nuk është e tillë. Në përditshmëri përpiqem të realizoj orë ideale, por gjithmonë ka diçka që e prish atë kuadër.
Një orë ideale për mua do të ishte nëse të gjithë nxënësit e klasës, të të gjitha niveleve do të lexonin romanin që do të ishte për analizë dhe koment letrar.
Unë jam në kërkim të orës ideale të mësimit ...... me rëndësi është të jenë orë të frytshme e të kënaqshme për të dyja palët.
Ju kur vendosët të bëheshit mësuese letërsie, a ishte mësuesi juaj i letërsisë modeli juaj?
Pyetja më e bukur.....Mësuesja ime e letërsisë nuk ishte vetëm një misionare në fushën e dijes, por ajo shkonte përtej saj, ishte një kritike letrare, një pasionante që shkrihej dhe bëhej një me autorët dhe personazhet që shpjegonte. I jam mirënjohëse pafundësisht mësueses sime të letërsisë, Tatjana Zejnati e cila mbrujti në mua vlerat e vërteta të një modeli të përsosur të mësuesit.
Ju jepni edhe lëndën e gjuhës shqipe, a shkruajnë bukur dhe pa gabime nxënësit?
Po i përgjigjem shkurt kësaj pyetjeje për të mos prekur problematika të tjera...Nuk jam fort e kënaqur me mënyrën se si shkruajnë apo e (keq) përdorin gjuhën të rinjtë e sotëm.
Çfarë ndjesie ju shkakton kur shikoni komente të ndryshme në rrjetet sociale, fjalë të shkurtuara apo të shkruara gabim, përdorimi i fjalëve të huaja vend e pa vend.....si ndiheni?
Ndjesia?! Revoltohem, më vjen t’i korrigjoj pambarimisht...Është një situatë alarmi për gjuhën tonë të bukur shqipe kur shohim se ajo përditë përbaltet, keqpërdoret, humbet qëllimin e saj parësor. Më vjen keq dhe mundohem me të gjitha forcat e mia të ndikoj te nxënësit duke e ruajtur me fanatizëm atë që është e jona, duke e pasuruar me gurrën e pashtershme shqipe. Ideja e të dukurit “në modë” pa dashje po merr në qafë brezat e rinj duke e shtrembëruar gjuhën tonë. Sa të kem në dorë do të përpiqem që fjala ime të dëgjohet si një lëçitëse e gjuhës së pastër shqipe.
Cili është mesazhi që doni t’u përcillni sot nxënësve?
Ky fund viti sjelltë për ta rezultate të larta në mësime dhe libri qoftë shoqërues i përhershëm i tyre. Gjithashtu duke qenë se jemi prag provimesh, po veçoj pak maturantët e shkollës ku unë jap mësim duke i uruar suksese në provime dhe fat në jetë!
(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu