“Do të doja që shkolla ime të kishte një oborr”
Do të doja që shkolla ime të kishte një oborr. Në shkollën time mungojnë laboratorët, që çdo shkollë duhet t’i ketë, ne nuk kemi një palestër. Në shkollën time nuk ka ngrohëse dhe gjatë dimrit është ftohtë. Shkolla ime ka stafin më të mirë pedagogjik.
Kejsi Harizi është nxënëse në klasën XI në gjimnazin “Sandër Prosi”. Ajo e pëlqen shumë shkollën dhe procesin e të mësuarit. Do të dijë gjithçka për botën që e rrethon. Lëndët që e tërheqin më shumë janë: kimi, biologji, fizikë dhe filozofi. Ka prirje në pikturë dhe muzikë. Sporti (veçanërisht basketbolli) dhe arti (muzikë, dizajn, fotografi, teatër) janë hobi i saj.
Kejsi, je ndër nxënëset më të mira të qytetit. Fotografia jote është vendosur në një reklamë të madhe, si të bën të ndihesh ky fakt?
Më bën të ndihem shumë e lumtur dhe jo vetëm për faktin se fotoja ime është vënë në qytet, por edhe sepse kam bërë krenare familjen time.
Si është për ty të vlerësohesh për të gjitha arritjet e tua?
Ndihem krenare dhe më jep kurajo që të vazhdoj të punoj dhe të studioj për të arritur më të mirën.
Ti e beson që kjo është më e mira jote? Je e kënaqur ti me arritjet e tua apo synon më shumë?
Jo, kjo nuk është më e mira ime, kam akoma për të arritur dhe për të treguar. Jetojmë në një botë ku çdo gjë, e mira në këtë rast, është e pafundme.
Cila është dega që do të studiosh në të ardhmen, çfarë të pëlqen?
Kam shumë dëshira në lidhje me universitetin, sepse dua të vazhdoj një degë që të më pëlqejë dhe unë ta studioj atë degë jo vetëm me mendje. Mendoj se do të vazhdoj për arkitekturë, të bëhem biologe ose fizikante.
Në qytetin tënd a ka diçka që do doje ta ndryshoje patjetër, sa më parë? Çfarë vlerëson në qytetin tonë, Tiranën?
Tirana është një qytet shumë i bukur dhe këtë nuk e them vetëm se është qyteti im (këtë e kanë thënë shumë të huaj që e kanë vizituar).Tirana dita ditës po bëhet një qytet shumë i bukur, por do të doja që Bashkia e Tiranës të investojë edhe në fshatra sepse ne duhet ta mbrojmë natyrën dhe Tirana ka një natyrë të mrekullueshme.
Në shkollën tënde çfarë do të doje të kishe? Si nxënësja më e mirë çfarë do t’i kërkoje sot pushtetit vendor për shkollën tënde?
Do të doja që shkolla ime të kishte një oborr. Në shkollën time mungojnë laboratorët, që ccdo shkollë duhet t’i ketë, ne nuk kemi një palestër. Në shkollën time nuk ka ngrohëse dhe gjatë dimrit është ftohtë. Shkolla ime mund të mos këtë gjërat që përmenda më lart por ka stafin më të mirë pedagogjik në Tiranë.
(A. Hoxhaj; Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu