Ese

Unë do të jetoj në vendin tim

“Vendi ku unë jam mrekulluar më shumë është Mali i Çikës i cili më ka lënë një përshtypje shumë mbresëlënëse dhe kam vendosur që në të ardhmen do t’a vizitoj përsëri atë vend me familjen time ...”

Ora 3:45. Të gjithë ne ishim duke pritur që të niseshim sa më parë. Ishim aq të gëzuar saqë nuk po na durohej. Mendjet tona çfarë nuk bluanin dhe krijonin imagjinata të pafundme. Edhe fytyrat e qeshura tregonin dhe imagjinoni se si do të ndihemi kur të vizitojmë gjithë ato vende që ndodhen në Shqipërinë tonë të bukur. 


Pasi u nisëm udhëtuam për orë me radhë dhe vizituam disa vende të mrekullueshme që as nuk do ta imagjinonim që ato ekzistojnë në Shqipëri, në Atdheun tonë. 


Vendet që ne vizituam ishin: Uji i Ftohtë i Tepelenës, lumi Drino, Gjirokastra, Liqeni i Viroit, Syri i Kaltër, Kalaja e Lëkurësit, Butrinti, Ksamili, Himara, Përroi i Gjipesë, Llogoraja dhe Mali i Çikës. 


Më përpara unë thoja se kur të rritem do të jetoj jashtë shtetit, por pasi unë pashë dhe shijova këto vende me shokët dhe shoqet e mia mendimi im ndryshoi plotësisht. Shpirti im është mbushur me dashuri për atdheun tim dhe këtë ma bëri edhe përfshirja ime në rrethin e gjeografit të vogël në shkollë. 


Vendi ku unë jam mrekulluar më shumë është Mali i Çikës i cili më ka lënë një përshtypje shumë mbresëlënëse dhe kam vendosur që në të ardhmen do t’a vizitoj përsëri atë vend me familjen time sepse dëshiroj që dhe ata ta ndjejnë dhe shijojnë bukurinë e atdheut tonë. Gjatë rrugës për në ngjitje të malit ishte një rrugë pak e vështirë por ne ia kaluam më së miri me lojëra e shaka. Kur u ngjitëm në majë të malit ndaluam në një restorant ku hëngrëm ushqime të mrekullueshme të cilat nuk i kisha provuar asnjëherë në jetën time. 


Mali i Çikës është 2045 metra. Nga maja e tij dukej një pamje mbresëlënëse e Bregut e cila më la pa fjalë. Dhe ndërkohë po imagjinoja me vete se si ndihen njerëzit që hidhen me parashutë nga maja e malit. Kur ne po zbrisnim nga mali ndaluam në një përrua magjepsës i cili më la me gojë hapur. Uji i përroit ishte si të thuash një mrekulli më vete. Ai ishte aq i pastër saqë guralecët shkëlqenin brenda në thellësi të ujit. Në atë moment një magji e papërshkrueshme përshkoi trupin tim dhe thashë me vete: "Atdheu ynë është një perlë që shkëlqen në të gjithë Europën". U mahnita nga mrekullitë e natyrës, se sa bukur uji i pastër që rrjedh mbi shkëmbinj është kombinuar me gjelbërimin e pemëve që i krijojnë një hije mbresëlënëse përroit. 


Nuk ma merrte mendja që Shqipëria është kaq e mrekullueshme. Vetëm kur e shikon bindesh plotësisht. Kur erdhi koha për t’u larguar po mendoja me vete që të gjeja ndonjë justifikim që ta bindnim mësuesen që të qëndronim edhe pak për ta shijuar qoftë edhe një sekondë atë pamje mbresëlënëse. 


Më erdhi në mendje një ëndërr që e kam pasur dikur: "Të vizitoj vendet më të bukura të Shqipërisë". Epo kjo ëndërr e imja u bë realitet vetëm falë ekskursionit që organizoi shkolla për ne, gjeografët e vegjël.


(Kleoparta Kareci, nxënëse e klasës VII-D, Portali Shkollor)

5,050 Lexime
7 vjet më parë