Prezantohet Korniza e re Kurrikulare e Arsimit Parauniversitar, Manastirliu: Dokument strategjik për përditësimin e teksteve shkollore
Ministria e Arsimit prezantoi Kornizën e Re Kurrikulare për Arsimin Parauniversitar, një dokument që synon modernizimin e sistemit arsimor dhe përditësimin e teksteve shkollore. Fokusin e ka tek kompetencat digjitale, STEM dhe edukimin kulturor, duke përmirësuar programet dhe integruar teknologjinë.
Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi Kornizën e Re Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar, një dokument që synon modernizimin e sistemit arsimor dhe harmonizimin e tij me standardet bashkëkohore.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, foli për rëndësinë e këtij dokumenti dhe procesin që e shoqëroi përgatitjen e tij.
"Sot jemi në një tjetër moment të rëndësishëm për arsimin në Shqipëri, në prezantimin e Kornizës Kurrikulare të përditësuar. Në janar të këtij viti, grupi i punës nisi një proces intensiv, i cili tashmë ka përfunduar dokumentin strategjik të sistemit arsimor, pikërisht Korniza Kurrikulare. Korniza kurrikulare e modernizuar reflekton nevojat aktuale për përcaktimin e linjave që do të kenë nesër tekstet mësimore, kurrikula bërthamë, programet lëndore dhe materialet ndihmëse, duke përfshirë edhe platformat digjitale", tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu, duke vlerësuar kurrikulën ekzistuese u ndal te nevoja për rishikimin e saj.
"Ky proces u bazua në një analizë të thelluar të kurrikulës ekzistuese, e cila filloi të zbatohej për herë të parë në vitin 2014-2015, kur u përfshimë për herë të parë programe lëndore të Cambridge, Pearson dhe Oxford-it, si dhe alternativa të tjera të teksteve. Pas një dekade, duke vlerësuar standardet europiane dhe kërkesat e reja, kemi konsideruar të domosdoshme përmirësimin e Kornizës Kurrikulare, për të reflektuar kompetenca të reja dhe për të adresuar ndryshimet që kërkon sistemi arsimor", tha Manastirliu.
Korniza e Re Kurrikulare është një hap vendimtar drejt transformimit të arsimit në Shqipëri, me fokus tek kompetencat digjitale të nxënësve, integrimi i teknologjisë në mësimdhënie, edukimin mediatik, si dhe në edukimin kulturor dhe identitetin kombëtar.
“Fokusi i Kornizës së Re Kurrikulare do të jetë tek kompetencat digjitale dhe integrimi i teknologjisë, duke filluar nga klasa e parë dhe duke u reflektuar deri në arsimin e mesëm të lartë. Në këtë kuadër, kurrikula do të përfshijë lëndët STEM dhe do të përforcojë aftësitë e nxënësve në shkenca dhe matematikë. Ne do të pilotojmë klasa STEM duke u dhënë nxënësve më shumë kompetenca lidhur me shkencat dhe me mundësinë që ata më pas të integrohen në ciklet e arsimit të lartë, me kompetenca më të plota. Një element shumë i rëndësishëm i Kornizës së Re Kurrikulare lidhet me edukimin kulturor dhe identitetin kombëtar. Fokusi do të jetë tek gjuha shqipe, duke rishikuar programet lëndore nga klasa e parë deri në arsimin e mesëm të lartë. Do të synojmë mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës sonë, duke e kombinuar atë me teknologjinë dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies.", tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Kjo Kornizë e Re do të pasohet menjëherë me ngritjen e grupeve të punës për çdo kurrikulë bërthamë, program lëndor dhe material ndihmës. Synimi është që deri në 6-mujorin e parë të vitit 2025 të fillojë hartimin e teksteve sipas planit të miratuar.
Në aktivitetin e zhvilluar për prezantimin e Kornizës Kurrikulare të përditësuar, morën pjesë përfaqësues të institucioneve të arsimit, mësues dhe drejtues shkollash, si dhe partnerë bashkëpunues të MAS.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
OECD: Shqipëria është përkeqësuar në 28% të objektivave të zhvillimit 2030, arsimi me rënien më të madhe