Udhëzues metodik për 3 dosjet e parashkollorit
Paketat shoqërohen me udhëzuesin metodik (librat e mësuesit), të cilët janë hartuar në bazë të programit të MASR. Udhëzuesi ndihmon mësuesin dhe prindin të punojnë me fëmijën.
Shtëpia Botuese ALBAS ka përgatitur për të tria grupmoshat e parashkollorit tri paketa:
Hop-Hop, faqet argëtuese (për fëmijët 3-4 vjeçarë);
9 miqtë e mi (për fëmijët 4-5 vjeçarë);
Një hap drejt shkollës (për fëmijët 5-6 vjeçarë).
Paketat janë hartuar në bazë të programit të MAS-it dhe realizojnë objektivat e tij, si:
a. Transmetimi dhe zbërthimi i njohurive shkencore sipas disiplinave që parashikon programi;
b. Ushtrimi i njohurive në mënyrë të integruar, që fëmija të fitojë aftësi, shprehi e kreativitet;
c. Zgjedhja e rrugëve didaktike e metodike për t’i transmetuar e përpunuar njohuritë e dhëna, duke kapërcyer shkallët e vështirësive të njohurive nga njëra grupmoshë në tjetrën.
Paketat shoqërohen edhe me udhëzuesit metodikë (librat e mësuesit) dhe gjenden dhe në adresën e internetit www.albas.al , mund të shkrkohen falas. Aty zbërthehen objektivat e temave sipas kërkesave të programit: njohuritë gjuhësore, matematikore, shkencore, të edukimit personal e shoqëror dhe artistik.
Dosja HOP-HOP është krijuar për t’i mësuar fëmijët duke u argëtuar. Ilustrimet e fletëve janë frymëzuar nga bota e fëmijëve të moshës 3-4 vjeçare: nga mjedisi në të cilin jetojnë, nga natyra, nga kafshët, si dhe nga përrallat e dashura e personazhet e filmave vizatimorë. Kjo atmosferë frymëzimi dhe fantazie më ka nxitur të ofroj një shumëllojshmëri metodash e teknikash, si: veprimtari, lojëra (gjuhësore, lëvizore, në dyshe, në skuadra), punë artistike, punë me fjalorin, konkurruese, lojë teatrore, mësime vjershash dhe përrallash, lexime, muzikë e kërcime, shfaqje videosh, projekte, eksperimente etj. Sasia e madhe e veprimtarive në një temë mësimore është konceptuar jo vetëm te zbërthimi i të gjitha koncepteve e objektivave kryesorë, por edhe te liria e të zgjidhurit të tyre që gjykoni se u përshtaten fëmijëve apo mundësive tuaja për t’u realizuar, si dhe që të mbulojnë të gjithë kohën e qëndrimit të fëmijës në kopsht.
Edukimi është zgjedhje, mundësi dhe liri
Këto metoda e teknika bashkëkohore të larmishme që janë përfshirë në këtë udhëzues metodik, janë konceptuar për të përcjellë:
- Ndërthurjen e situatave metodike rreth koncepteve kryesore të temës;
- Ndërthurjen ndërlëndore të pesë fushave të njohjes (gjuhësore, matematikore, shkencore, artistike dhe të edukimit social e mjedisor);
- Ndërthurjen e pesë fushave kryesore të zhvillimit të përgjithshëm në fëmijërinë e hershme: zhvillimit njohës (konjitiv), zhvillimit të të shqiptuarit e të të folurit, zhvillimit social dhe emocional, zhvillimit të vogël dhe atij të madh motorik;
- Ndërthurjen e nxënies me edukimin, procese këto të pandara dhe njësoj të rëndësishme.
Përveç tyre, për një efikasitet maksimal në mësimdhënie, pra, jo thjesht për të arritur objektivat e caktuar, por për t’u çliruar fëmijëve fantazinë, për t’u ngacmuar idetë dhe emocionet dhe ëpr t’i nxitur të ëndërrojnë, nevojitet ndërthurja që ju do t’i bëni zbatimit të këtyre modeleve të sugjeruara me përgatitjen dhe përvojën tuaj. Po ashtu, nevojitet edhe ndërthurja e profesionalizmit tuaj me pasionin.
Ndërtimi i shprehisë së punës, duke punuar me gjëra të thjeshta që ndodhen përreth dhe me dëshirë, i ndihmon ata të mësojnë me të gjitha shqisat, që është mënyra më e mirë për të nxitur aktivizimin e secilit fëmijë dhe shoqërizimin me njëri-tjetrin. Puna në dyshe dhe ajo me grupe është e dobishme edhe për sa i përket aspektit psiko-motor: i shkathtëson ata fizikisht, i bën pjesëmarrës (shmang ndrojtjen dhe ndjesinë e inferioritetit) dhe i nxit të shprehen e të njohin më mirë veten dhe të tjerët.
Puna me projekte (projektet javore), risia e këtij udhëzuesi, është e vazhdueshme (çdo të premte) dhe aktuale (veprimtari festive sipas kalendarit), si dhe shërben si një përmbledhje të njohurive të marra gjatë javës. Përveç projekteve javore, në fund të vitit fëmijët do të kenë realizuar së bashku me mësuesin/en një projekt madhor (projektin vjetor), të cilin do ta shfaqin përpara prindërve dhe të ftuarve të tjerë. Përgatitja për këtë projekt është e vazhdueshme, çka do të thotë se edhe puna për të është e tillë. Ne kemi sugjeruar projektin “Dosjelandi” dhe herë pas here kemi paraqitur pjesë të punës me projektin, por ju duhet ta zhvilloni dhe ta pasuroni projektin me ide të tjera, të cilat mund të marrin shkas nga bisedat me fëmijët gjatë punës.
Udhëzues metodik për librin “9 miqtë e mi”
Zbërthimi i temës. Njohuritë bazë gjuhësore, shkencore, sociale, artistike që duhet të fitojë fëmija janë paraqitur në tekstin e fëmijës “9 miqtë e mi” me anë të situatave dhe materialit figurativ e synimet. Ndërsa në librin e msuesit (udhëzuesin didaktik) ofrohen metoda e teknika të larmishme si dhe sugjerohet baza materiale që i nevojitet mësueses/prindit për zbërthimin e saktë të informacionit të dhënë në tekstin e fëmijës. Në udhëzues trajtohen temat që përmban plani mësimor, të cilat mbështeten me projekte të larmishme mujore dhe veprimtari festive të vitit, të cilat nxitin aftësitë ndijimore, lëvizore e veçanërisht krijuese të fëmijës. Për zbërthimin e objektivave të çdo teme sugjerohen disa veprimtari prej të cilave mësuesja zgjedh ose lë fëmijët të zgjedhin, sipas mundësive apo dëshirave që kanë. Me këtë është synuar të mësuarit në mënyrë të gëzueshme dhe zbavitëse, duke besuar fort se “Edukimi është zgjedhje, mundësi dhe liri”. Veprimtaritë, gjithashtu, shërbejnë për mbulimin në mënyrë efikase të të gjithë kohës që fëmija qëndron në kopsht. Ato janë të shumëllojshme, lehtësisht të realizueshme (shpesh me mjete rrethanore apo sende të reciklueshme) dhe synojnë zhvillimin e përgjithshëm të fëmijëve 4-5 vjeçarë, të 5 fushave zhvillimore: zhvillimin e të folurit e të të shqiptuarit, zhvillimin konjitiv (njohës), zhvillimin emocional-social (ndjesor e shoqërizues), zhvillimin e vogël dhe atë të madh motorik (lëvizor). Kjo ndërthurje është bërë më synimin që të krijohen modele të arrira të mësimdhënies, duke gërshetuar nxënien me edukimin, procese këto të pandara dhe njësoj të rëndësishme.
Përvetësimi i njohurive. Mësimi fillon me veprimtaritë hyrëse, të cilat shërbejnë për t’u futur në situatën e trajtuar në libër, për të shpjeguar konkretisht konceptet dhe për zhvillimin ndjesor, shoqërizues, shqisor apo lëvizor. Më tej, pyetjet e rubrikës së bashkëbisedimit e nxitin fëmijën të flasë për njohuritë që ka, por e bëjnë të reflektojë dhe të rrëfejë përvojat vetjake, duke bërë lidhjen e asaj që mëson me jetën e përditshme. Ato janë ndërtuar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme dhe e nxitin fëmijën të vëzhgojë m e kujdes botën përreth dhe të zbulojë të panjohurën e të mësoje për të. Duke u nisur nga vetvetja dhe duke përvetësuar bashkë me të tjerët njohuri të reja, fëmija bëhet i sigurt, shmang ankthin dhe i shpreh lirshëm mendimet dhe emocionet e tij. Pas kësaj ai ndihet i gatshëm të plotësojë kërkesat në libër. Rimarrja e njohurive të kaluara bëhet vazhdimisht në çdo temë të re, duke ndihmuar kështu në përvetësimin e njohurive dhe në ngulitjen e tyre.
Veprimtaria e pavarur e fëmijës. Një nga etapat më të rëndësishme të të nxënit është nxjerrja e një produkti nga vetë fëmija. Puna krijuese, si: vizatimet, ngjyrosjet, aplikacionet, mbjellja e luleve, kujdesi për to e veprimtari të tjera, si dhe plotësimi i detyrave/kërkesave të tekstit bëhen hap pas hapi dhe vazhdimisht të shoqëruara me bashkëbisedim dhe shpjegim, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet prapa, edhe në rastet kur nuk e kupton, këto veprimtari i rritin fëmijës vetëbesimin, i nxitin shpirtin krijues dhe i ngulitin më mirë njohuritë e fituara.
Udhëzues metodik për paketën “Një hap drejt shkollës”
Zbërthimi i temës. Në çdo faqe të tekstit të fëmijës janë paraqitur, me anë të situatave dhe materialit figurativ dhe ilustrativ, njohuritë bazë gjuhësore, shkencore, sociale, artistike që duhet të fitojë fëmija. Në librat e mësuesit ofrohen metoda e teknika të larmishme, si dhe sugjerohet baza materiale që i nevojitet mësueses/prindit për zbërthimin e saktë të informacionit të dhënë në tekstin e fëmijës. Me anë të shembujve, ideve dhe sugjerimeve nxitet mësuesja/prindi për realizimin e tij, duke trajtuar veprimtari që zhvillohen si në orët e parashikuara në program, por edhe për mbulimin në mënyrë efikase të të gjithë kohës që fëmija qëndron në kopsht. Kjo ndërthurje është bërë me synimin që të krijohen modele të arrira të mësimdhënies, duke gërshetuar nxënien dhe edukimin , procese këto të pandara dhe njësoj të rëndësishme.
Përvetësimi i njohurive. Pyetjet e rubrikës së bashkëbisedimit e nxitin fëmijën të flasë për njohuritë që ka, por e bëjnë të reflektojë dhe të rrëfejë përvojat vetjake, duke bërë lidhjen e asaj që mëson me jetën e përditshme. Ato janë ndërtuar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme dhe e nxitin fëmijën të vëzhgojë me kujdes botën përreth dhe të zbulojë të panjohurën e të mësojë për të. Duke u nisur nga vetvetja dhe duke përvetësuar bashkë me të tjerët njohuri të reja, fëmija bëhet i sigurtë, shmang ankthin dhe i shpreh lirshëm mendimet dhe emocionet e tij.
Veprimtaria e pavarur e fëmijës. Një nga etapat më të rëndësishme të të nxënit është nxjerrja e një produkti ng vetë fëmija. Puna krijuese, si: vizatimet, ngjyrosjet, aplikacionet, mbjellja e luleve, kujdesi për to e veprimtari të tjera, si dhe plotësimi i detyrave/kërkesave të tekstit bhen hap pas hapi dhe vazhdimisht të shoqëruara me bashkëbisedim dhe shpjegim, në mënyrë që asnjë fëmijë tëmos mbetet prapa, edhe në rast kur nuk e kupton. Këto veprimtari i rritin fëmijës vetëbesimin, i nxitin shpirtin krijues dhe i ngulitin më mirë njohuritë e fituara.
(Portali Shkollor)
Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim
Dhurojuni të vegjëlve tuaj Abetaren mbarëkombëtare!
Libri digjital, Albas prezanton metodologji të mësimdhënies bazuar në TIK