Procesi mësimor online

T’u qëndrojmë në krah, mësuesit janë të sfilitur!

Procesi mësimor është vënë në vështirësi për realizimin e tij. Ata që vuajnë pasojat më të rënda çdo ditë dhe kanë barrën e një viti shkollor e akademik tejet sfidues janë mësuesi, nxënësit dhe prindërit. Treshja që vulos suksesin, e gërshetuar dhe duke plotësuar mangësitë e njëri-tjetrit.

Realizimi i 7 kompetencave në këto kushte është luftë, me kohën, me kushtet, me metodat e mësimdhënies që mund të rezultojnë efikase dhe shumë faktorë të tjerë të ngjashëm.


Mësuesit janë gjendur të papërgatitur profesionalisht, ndonëse disa janë njohur me platformat digjitale dhe lehtësitë që ofrojnë ato në klasë, siç është platforma Albas e-libër, por aksesi i nxënësve në internet dhe lidhja e tërë nxënësve të grupit mbetet e vështirë. Në këto kushte, kur disa nxënës nuk kanë akses në internet nuk mund të jenë në orët mësimore digjitale dhe kjo nuk ndodh për fajin e tyre. Pavarësisht dëshirës së madhe,disa grupmosha e kanë të vështirë, ndërsa në shumë zona në të cilat edhe në vitet normale nuk është garantuar aksesi në internet në shkollë, çfarë mund të ketë ndodhur tani. Nxënësit kanë humbur ose janë detyruar të mësojnë me orë të tëra në shtëpitë e tyre nga familjarë të tjerë më të rritur. Barra më e rëndë financiare u ka rënë prindërve, të cilët nëse duan rezultate nga fëmijët në shkolla atëherë duhet t’iu plotësojnë kushtet, të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme, kompjuter, laptop, telefon, internet...


Nga ana tjetër, mësuesit janë detyruar të regjistrojnë temat mësimore në video, shpjegimet  t’i shpërndajnë në grupet përkatëse dhe kjo ndodh për secilën orë. Por matja e njohurive nëpërmjet zhvillimit të mësimit online ka kërkuar me domosdoshmëri shembuj konkret vlerësimi, por edhe modele të ndërtimit të orëve virtuale të mësimit. Mjetet e nevojshme sërish nuk janë siguruar nga institucionet arsimore, por nga vetë mësuesit. Kjo ka sjellë një lodhje të madhe të mësuesve, e cila u pasua me një ç’organizim pas vendimeve të fundit të zhvillimit të mësimit pjesërisht në klasë e virtualisht. Kjo është një tjetër formë që i gjen sërish mësuesit në befasi, teksa punojnë me orare të zgjatura.


Vetë mësuesit përpiqen që bashkë me nxënësit të japin maksimumin në këtë proces mësimor të sfiduar nga pandemia dhe vështirë t’i dëgjosh të ankohen për kushtet, por dikush duhet të reflektojë dhe t’u sjellë urgjent mësuesve modele se si mund të realizojnë kompetencat. Ata kanë nevojë për modele vlerësimi, modele të organizimit të orës në lëndë e klasa të ndryshme, jo teori, por udhëzime konkrete, të prekshme dhe reale për kushtet në të cilat punojnë.


Vazhdimisht mësuesit vihen me shpatulla pas murit, aukuzohen për mungesë profesionalizmi apo çështje të tjera, në një kohë që e kanë kthyer shtëpinë në shkollë, telefoni nuk iu pushon një sekondë, regjistrojnë video, kërkojnë materiale, shpërndajnë materiale, flasin e flasin pa ditur nëse po dëgjohen nga të gjithë nxënësit e grupit virtual. Pas një grupi vjen një tjetër, më pas një tjetër, më pas janë ditët që do shkojnë në shkollë, e më pas i rikthehen mësimit online. Pa diskutuar me askënd, pa i pyetur askush, të gjitha vendimet i dëgjojnë përmes ekranit të televizorit, në rrjete sociale dhe qershia mbi tortë një urdhër nga drejtoritë përkatëse.


Sot të gjithë duhet t’u qëndrojmë në krah. Mësuesit janë të sfilitur!

 

Nga Albina Hoxhaj
Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

5,647 Lexime
3 vjet më parë