Reflektim

Trekëndëshi mësues-nxënës-prind

Çdo arsimtar e ka për detyrë të ofrojë më të mirën e mundshme, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë profesional. Nxënësit duhet të përkrahin e ndihmojnë mësuesin duke u aktivizuar gjatë procesit mësimor, por dhe prindërit duhet të jenë mbështetës të mësuesit në edukimin dhe arsimin e fëmijëve të tyre.


"Detyra e një mësuesi modern nuk është të presë xhunglën, por të ujisë shkretëtirën!"


Jemi të brumosur për të punuar me zell dhe përkushtim pasi mësimdhënia është mision.


Mësuesit formojnë breza dhe kanë në dorë fatin e shoqërisë. Figura e arsimtarit duhet të vlerësohet dhe nderohet. Mësimdhënësit kanë detyrën më të rëndësishme, por të vështirë në kohën që jetojmë.


Gjatë gjithë historisë së arsimimit, mësuesit kanë qenë arkitektët që projektuan dhe ndërtuan urat e dijes për të ecur brezat si dhe kanë punuar për t’i inkurajuar që të ndërtonin urat e tyre, më të forta e të palëkundura.


Thuhet që për të mos iu dorëzuar shkretëtirës së injorancës, duhet të shuajmë etjen çdo ditë në burimin e pashtershëm të dijes! Dihet që nevojitet vullnet dhe këmbëngulje me përkushtim për të arritur suksesin.


Nxënësit duhet të përkrahin e ndihmojnë mësuesin gjatë punës mësimore-edukative duke u aktivizuar plotësisht gjatë procesit mësimor, por dhe prindërit duhet të jenë mbështetës të mësuesit në edukimin dhe arsimin e fëmijëve të tyre.


Çdo arsimtar e ka për detyrë të ofrojë më të mirën e mundshme, si në aspektin njerëzor ashtu edhe në atë profesional, por dhe çdo prind ka për detyrë të shfaq interesim të vazhdueshëm në mbarëvajtjen e fëmijës së tij, duke forcuar raportet me arsimtarët si dhe duke bashkëvepruar me fëmijën për realizmin e kompetencave për të arritur cilësi të lartë. Nxënësit duhet ti jepen orientimet e nevojshme dhe të sakta nga të dyja palët për të ecur në drejtimin e duhur. "Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdorni për të ndryshuar botën. Mësojini fëmijët dhe nuk do t'ju duhet të ndëshkoni të rriturit."


Kemi arritur përmbushjen e misionit kur korren frytet e sukseseve të nxënësve tanë gjatë brezave dhe me mirënjohjen shpirtërore falënderuese që marrim.


Ne vazhdojmë të punojmë me vullnet e përkushtim pavarësisht vështirësive që hasim, ndërkohë që përvetësojmë gjithmonë e më shumë aftësitë nëpërmjet eksperiencës në punë e jetë. 


Trekëndëshi mësues-nxënës-prind duhet të jetë i fortë dhe i pathyeshëm drejt udhës së gjatë e të pafundme të dijes.




Nga Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin:"Skënderbeu" Krumë, Has


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

15,216 Lexime
8 muaj më parë