MATURA 2020

Testimi për maturantët do zgjasë dy orë, Vrapi: për pyetjet me alternativa nevojitet më pak kohë

Testi i Maturës Shtetërore 2020 do të bazohet vetëm në pyetje me alternativa. Kohëzgjatja e tij do të jetë 2 orë dhe në total, numri i pyetjeve do të jetë 60. Drejtoresha e QSHA, Rezana Vrapi, ka sqaruar se për pyetjet me alternativa maturantëve u duhet më pak kohë se sa për pyetjet me zhvillim.

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), Rezana Vrapi, përmes një video-mesazhi ka dhënë disa detaje për maturantët në lidhje me strukturën e testit të Maturës Shtetërore 2020. 


“Testi i Maturës Shtetërore 2020 do të bazohet vetëm në pyetje me alternativa. Kohëzgjatja e tij do të jetë 2 orë dhe në total, numri i pyetjeve do të jetë 60”, nënvizon ajo në video-mesazh dhe sqaron më tej strukturën e testit: 

“Është llogaritur që pyetjeve me alternativa u duhet më pak kohë se sa pyetjeve me zhvillim. Prandaj, ka një kohëzgjatje deri në 2 orë dhe jo 2 orë e gjysmë. Janë hequr pyetjet ese nga pjesa e gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe. Dhe i gjithë testi do të bazohet vetëm në pyetje ku nxënësit do ta përzgjedhin përgjigjen. Pra, nuk do ta shkruajnë atë. Koha është e mjaftueshme”, shprehet Znj. Vrapi ndërsa nënvizon se “Nga përvoja që ka QSHA dhe pilotimi që është bërë, gjykohet se të gjitha pyetjet janë të realizueshme brenda këtij orari, pra brenda 2-orëshit”.  


“Patjetër që ka pyetje që duan më pak kohë se sa 1 minutë, sikurse ka edhe pyetje që mund të duan 1-2 minuta”, thekson ndër të tjera Drejtoresha e QSHA dhe në fund të video-mesazhit informon të gjithë maturantët se koha e testit është më se e mjaftueshme që ta mbyllin brenda orarit të caktuar.



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,780 Lexime
4 vjet më parë