Aktualitet

Fushatë e gjerë këshillimi me komunitetin e prindërve për ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat

Ministria e Arsimit dhe Kryeministri nisën një tur këshillimi me prindërit për ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok e Snapchat te fëmijët. Diskutimet përfshijnë masa kundër dhunës dhe mundësinë e mbylljes së këtyre platformave në Shqipëri,duke fuqizuar mekanizmat e sigurisë dhe bashkëpunimin shkollë-familje.

 Nga shkolla “Sami Frashëri”, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet arsimore kanë nisur një tur të gjerë këshillimi me komunitetin e prindërve, për forcimin e mekanizmave të parandalimit të akteve të dhunës në shkollë dhe jashtë saj, si dhe për të adresuar ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë. 


 Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilluan një takim konsultativ në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Prindërve, këshillave të prindërve të disa shkollave dhe mësues.

 

Në qendër të diskutimeve ishte shqetësimi në rritje për ndikimin negativ të këtyre platformave, të cilat shpesh promovojnë sjellje të papranueshme dhe përbëjnë rrezik për mirëqenien emocionale dhe sociale të fëmijëve. Në takim u hap diskutimi për mundësinë e mbylljes së platformave TikTok dhe Snapchat në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama, duke mbështetur këtë qasje, deklaroi:

 

“Ideja për të ndaluar TikTok-un ose Snapchat-in si dy platforma që janë problematike, të gjitha platformat janë problematike, por këto të dyja janë posaçërisht problematike për arsye specifike, është një ide që ne e kemi diskutuar gjatë prej kohësh, jo sot. Me këtë rast menduam ta shtrojmë për një diskutim më të gjerë, sepse nuk është kaq bardh e zi; nuk është zgjidhja e problemeve, por është një element që mund të na sjellë në një ngushtim të rëndësishëm të hapësirës që stimulon, frymëzon dhe nxit dhunën, bullizmin dhe budallallëkun në përgjithësi.”, tha  Kryeministri, Edi Rama.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ndal te fuqizimi i mëtejshëm i mekanizmave të parandalimit dhe trajtimit të çdo forme të dhunës, bullizmit dhe rritjes së sigurisë në shkolla dhe te rastete parandaluara nga këto mekanizma për periudhën 2023-2024.  


“Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë është vërtet një ngjarje tragjike që na ka shqetësuar dhe hidhëruar të gjithëve, si prindër në radhë të parë, si qytetarë dhe padyshim edhe ne si struktura të Ministrisë së Arsimit, personalisht si Ministre e Arsimit. Sigurisht që është një moment për të reflektuar dhe për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentet parandalues që ne i kemi të ngritura në shkollë, mekanizmat parandalues të çdo forme dhune, bullizmi apo dhune online. Kemi sot në të gjithë sistemin tonë arsimor rreth 850 punonjës socialë dhe psikologë. Prej vitit 2018 kemi vendosur që shkollat të kenë edhe oficerët e sigurisë dhe e nisëm me 15 oficerë sigurie, duke arritur që vit pas viti të rrisim numrin në 240 oficerë sigurie në shkolla. Nga ana tjetër, kemi përmirësuar edhe protokollet e punës për çdo rast që duhet referuar, qoftë në strukturat e njësive të mbrojtjes së fëmijëve, strukturat sociale, qoftë në strukturat e policisë. Shkolla i disponon këto protokolle dhe këto instrumente. Vetëm gjatë vitit 2023-2024 janë 2030 raste të evidentuara dhe të parandaluara, raste që lidhen me dhunën, kryesisht dhunën fizike dhe atë emocionale, si dhe rastet e bullizmit, pikërisht nga këto struktura: punonjësit socialë, psikologët dhe punonjësit e sigurisë në shkolla. Mbi 90% të rasteve janë referuar te prindërit; një pjesë e tyre, sipas rasteve dhe duke ndjekur gjithmonë protokollet, janë referuar në struktura të tjera si Policia e Shtetit dhe Shërbimi Social”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu. 

 

 

Ministrja Manastirliu theksoi nevojën për një bashkëpunim të gjerë mes prindërve, mësuesve dhe komunitetit. 

 

“Ka një nevojë të madhe që bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit të rritet, fuqizohet, të forcohet. Dhe është një nevojë që ky trinom të rrisë dhe të intensifikojë komunikimin. Sigurisht që familja nuk është shkolla, ne këtë e dimë, por shkolla nuk mund të bëhet institucioni që operon vetëm në këtë ambient. Ajo do edhe familjen. Dhe të duash familjen do të thotë që të dish se çfarë halli ka, çfarë transmeton fëmija në ambientet familjare dhe ju si prindër doni të dini se çfarë transmeton fëmija, përpos arritjeve në mësim në shkollë. Dhe ne kemi sot instrumente që jemi duke i përdorur dhe janë instrumente edhe digjitale që ju ndihmojnë ju për t’ju informuar për arritjet e fëmijëve në shkollë, sikurse është sistemi SMIP për mungesat e fëmijëve në oraret e caktuara mësimore. Kemi nevojë që ta përmirësojmë edhe këtë aspekt, duke çuar edhe informacione periodike, të shpeshta, për sjelljen e fëmijëve. Edhe kjo, patjetër, është në vazhdën e planeve që ne kemi për të fuqizuar instrumentet e komunikimit” tha Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu tha se përgjatë këtij viti takimet me prindërit dhe strukturat arsimore për të diskutuar mbi të mirën e fëmijëve kanë qenë të shpeshta.

 

“Ne kemi punuar pandërprerë gjatë këtij viti me Këshillin Kombëtar të Prindërve dhe Këshillin e Arsimit Parauniversitar, për të forcuar instrumentet dhe mekanizmat që na ndihmojnë të mbrojmë fëmijët dhe të parandalojmë fenomenet negative. Ndaj, duhet të forcojmë këto instrumente dhe mekanizma që i kemi sot në shkollë, t’i fuqizojmë, t’i zhvillojmë, t’i besojmë për të bërë të mundur që ngjarje, fenomene negative të eliminohen brenda perimetrit të shkollës, por edhe jashtë tyre”, tha Manastirliu.

 

Prindër dhe mësues diskutuan mbi masat që mund të merren për ndikimin e rrjeteve sociale tek fëmijët. 

 

Aktualisht në disa vende europiane po shqyrtohet ndalimi i aksesit në rrjete sociale për fëmijët. Megjithëse masat si filtrat dhe kufizimet kanë treguar rezultate të kufizuara, në takim u diskutua mundësia për mbylljen e plotë të platformave TikTok dhe Snapchat në vendin tonë.

 

Fushata e këshillimit publik do të vazhdojë në qytete të tjera të vendit, me qëllim ndërtimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të garantuar sigurinë online të fëmijëve shqiptarë dhe për të fuqizuar rolin e prindërve në vendimmarrje.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

122 Lexime
1 ditë më parë