Testimi falas i mësuesve për COVID 19, domosdoshmëri dhe garanci minimale për shëndetin e tyre dhe të nxënësve
Testimi falas i mësuesve për COVID 19, para se të fillojë viti i ri shkollor është një domosdoshmëri dhe garanci minimale për shëndetin e mijëra mësuesve dhe nxënësve. Artikull nga Dr. Qamil DIKA, pedagog i shëndetit publik dhe edukimit shëndetësor.
Me rifillimin e vitit të ri shkollor ende nuk është parashikuar asnjë skenar se si mund të mbrohet shëndeti i 40.000 mësuesve nga kolegët e tyre të cilët janë potencialisht të infektuar nga COVID 19 përgjatë kësaj periudhe.
Mijëra prej tyre (kryesisht ata të grup moshës 50 - 65 vjeç) kanë patologji bashkëshoqëruese të cilat përbëjnë risk të lartë për ndërlikime të mëtejshme dhe me pasoja shumë serioze për jetën e tyre në rast infektimi me COVID 19.
Shumë prej tyre mund të jenë pacient kronik që trajtohen dhe marrin mjekime në mënyrë periodike.
Mbi këtë grup vulnerabël i cili mund të rezultojë tejet fatal jo vetëm në drejtim të shtimit të numrit të infektuarve, por edhe në drejtim të shtimit të numrit të vdekjeve në popullatë, nuk është komunikuar asnjë databaze apo plan i qartë nga strukturat shtetërore përkatëse mbi ruajtjen e shëndetit të mësuesve dhe punonjësve të tjerë në shkolla.
Vende të tjera fqinje kanë parashikuar një plan të qartë masash për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe mësuesve, ku përfshihet edhe testimi falas për COVID 19 për mësuesit së paku para se të nisi fillimi i vitit të ri shkollor.
Asnjë qartësim nga strukturat përkatëse nuk ka në lidhje me këto çështje:
- Sa është përqindja e mësuesve që i përkasin grupmoshës 50-65 vjeç?
- Sa nga këta janë pacientë kronike (me sëmundje që kanë risk të lartë në rast prekje me COVID 19) të cilët trajtohen për patologjitë e tyre?
- A do t’i behet tamponi dhe analizat serologjike FALAS mësuesve para se të filloj shkolla (duke garantuar kështu mos kontaminimin e kolegëve dhe nxënësve)?
- A do të bëhet në mënyrë periodike tamponi dhe analizat serologjike FALAS mësuesve deri kur të vaksinohet popullata?
- A duhen lejuar ky grup mësuesish “pacientë” të rifillojnë vitin e ri shkollor në këto kushte specifike pa i garantuar atyre të paktën testimin falas për komunitetin ku ata punojnë?
Nga Dr. Qamil DIKA, pedagog i shëndetit publik dhe edukimit shëndetësor
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën