Tekstet shkollore falas për arsimin fillor
Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.107 datë 10.2.2010, të këshillit të ministrave, “për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës të nenit 47, të ligjit nr. 69 / 2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi:
I. Në vendimin nr. 107, datë 10.2.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Arsimit dhe Shkencës” dhe “Ministria e Arsimit dhe Sportit” zëvendësohen me fjalët “ministria përgjegjëse për arsimin”, “Ministria e Financave” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për financat” dhe “Ministria e Punëve të Jashtme” zëvendësohet me fjalët “ministria përgjegjëse për punët e jashtme”.
2. Pas pikës 6.11 shtohet pika 6.12, me këtë përmbajtje:
“6.12. Nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore mbulohet 100% nga fondet e buxhetit të shtetit, miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin.
Institucionet arsimore si dhe njësitë arsimore vendore, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt.
Blerja e teksteve shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në klasën e katërt, në emër të prindërve ose përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor, për llogari të njësisë arsimore vendore.
Likuidimi i faturës tatimore ndaj subjekteve, shtëpive botuese, realizohet nga njësia arsimore vendore, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit.
Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.”
II. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në shumën prej 270 000 000 (dyqind e shtatëdhjetë milionë) lekësh. Këto fonde janë parashikuar në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin e arsimit bazë 09120, kapitulli 01, në artikullin 606, “Transfertë tek individët”.
III. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
(Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%
Lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve në Portalin “Mësues për Shqipërinë” 2024