Tëhuajësim shtegtarësh
Me natyrën brenda nesh reflektonim intensitetin e rrezeve të diellit dhe mungesën e emërt të ditëve pa diell. Çdo ditë të tjetërsuar prej natyre, njësh me të, nga kjo mpleksje rrethanshmërie marrëdhëniesh të shumëfishta të praktikave të përditshme...
Tinguj të pasinkronizuar cicërimash të bërë bashkë në padijeni të qëllimeve prijëse. Në këtë atmosferë, e cila dikton rregullsinë, por edhe mundësinë e përshfaqes së individualitetit duket e vështirë të gjesh ekuilibrin.
Stafeta e dirigjimit të tingujve për t’i modeluar sipas respektimit të normave të kohës, por duke ruajtur tiparet më përfaqësuese të natyrshmërisë së shtegtarëve, për t’i cekur të grishen në frymën e pozitivitetit, më përkiste në saj të hierarkisë.
Kaluan stinë e u bë viti, stinët u përsëritën sërish, kësaj here ndryshuar.
Se gjithçka rrjedh, pemëve të harlisura gjethet iu dorëzuan vrullit të erës lojacake. Por ato më parë u zverdhën, më pas u këputën, ranë, e me të tjera u zëvendësuan. E dimë se disa gjëra ndryshojnë, por të tjera qendrojnë pak a shumë të njëjta.
Me natyrën brenda nesh reflektonim intensitetin e rrezeve të diellit dhe mungesën e emërt të ditëve pa diell. Çdo ditë të tjetërsuar prej natyre, njësh me të, nga kjo mpleksje rrethanshmërie marrëdhëniesh të shumëfishta të praktikave të përditshme, kuptonim se përplasjet tona qenë zhvillim, sintezë e dialektikës.
Kjo ndodhte çdo ditë. Ne ridimensionoheshim në një cikël të pashtershëm metamorfozash të papërfunduara. Në lëmin e mendimeve zgjodhëm të udhëhiqemi drejt një qëllimi të përbashkët, në kërkim të shtegtimeve që na ftojnë drejt përsosjes. Këtë dua ta besoj të vërtetë, e kështu ajo bëhet e vërteta jonë më e madhe.
Kanë kaluar stinë e më pas vit, stinët erdhën sërish, po ne kemi ndryshuar. Stinët tona janë ngatërruar megjithatë cicërimat na bënë bashkë në rrënjët e një peme që nuk ndryshon, ato qendrojnë përherë të fshehura si kjo dhimbje. Erdhëm të përjetësojmë një kujtim që e rrënjosëm thellë me rrënjë në tokën që do e ushqejë si mendimet tona kthyer nga dielli. E ujitëm me lotët e njelmët që burojnë nga shpirti i lënduar.
Erdhëm këtu e do të vijmë sërish në stinët e vitet që do pasojnë, se ato janë tregues i gjërave që nuk ndryshojnë, ato kthehen gjithnjë. Cicërimat tona do të na bëjnë tok, të shtegtojmë në horizontet pafund të ndryshuar e të njëjtë, në kërkim të degëve të reja për t’u ndalur, në kërkim të luleve të qershisë që t’i vendosim në mes të tortës së ëmbël të jetës e në ato degë të qëndrojmë … se stinët do kalojnë ashtu edhe vitet, por ne do rikthehemi nga shtegtimi, në çdo cikël marramendës metamorfozash stinore do vijmë tek ti……ulur në ato degë, qëndrojmë…. kujtojmë… se disa gjëra qëndrojnë ashtu si më parë, ato nuk ndryshojnë…
Ky shkrim i kushtohet nxënëses Geida Kuqi, e cila u nda nga jeta në moshën 17-vjeçare. Ikja e saj në një moshë të re ka prekur familjen, por edhe shokët e shoqet e klasës së saj. Në kujtim të saj familja mbolli 17 pemë manjola dhe vendosi një stol me një mbishkrim te kodrat e liqenit, ndërsa shokët dhe shoqet e klasës bashkë me mësuesen kujdestare mbollën një pemë.
Shkrimi është një reflektim nga mësuesja kujdestare Ana Rusta.
(Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!