Analizë

Të mbështeten arsimtarët me zhvillime të larta profesionale

“Le të mbështeten arsimtarët me arritje të larta profesionale dhe pse jo, të rritet konkurrenca mes arsimtarëve. Çdo vlerësim sjell një ndërgjegjësim në përkushtim dhe angazhim, e për rrjedhojë rrit ndjeshëm edhe cilësinë”, nga Evans Drishti.

Qershori sjell analiza të qarta dhe koherente rreth mbarëvajtjes së një viti shkollor të lënë pas: 

  • Si rezultoi një vit shkollor? 
  • Cilat ishin arritjet e nxënësve gjatë vitit që përfundoi? 
  • Në ç’përqindje rezultoi nota 10? Po 9-ta? E kështu me radhë… 
  • Sa % e nxënësve dolën garues dhe fitues në olimpiada të ndryshme? 
  • Cili është raporti i nxënësve të ekselencës me nxënësit ngelës? 
  • Sa dhe si u përfaqësua shkolla në rang qarku, në nivel kombëtar apo ndërkombëtar? 
  • Etj…. 


Një analizë e kujdesshme s’duhet kufizuar vetëm tek nxënësi, por edhe tek mësimdhënësit, pasi janë ata motorët kryesore të kësaj ecurie dhe arritjeje. 


  • Çfarë solli arsimtari në përfundim të një viti shkollor? 
  • Sa nxënës rezultuan të shkëlqyer nga dora dhe mendja e tij? 
  • Sa fitues konkursesh, olimpiadash kombëtare dhe ndërkombëtare dolën nga dora e tij? 
  • Sa gjallëri sociale dhe kulturore solli angazhimi i arsimtarit për nxënësit dhe institucionin arsimor? 
  • Si u shfaq komunikimi i tij me nxënësit, stafin pedagogjik dhe drejtorinë? 
  • Në cilat fusha dhe aspekte u bë më i dukshëm kontributi i tij? 
  • Cilat ishin arritjet e tij profesionale? 
  • Etj … 


Shtatori duhet të fillojë pikërisht mbi bazën e këtyre arritjeve duke bërë peshimin e drejtë dhe të saktë të vlerave intelektuale që mbart institucioni në gjirin e vet. 


Përcaktimi i profesionistëve 


Në gjirin e institucionit arsimor, s’ka dyshim se çdo arsimtar është një intelektual me arsimim përkatës. Por ashtu siç ka arsimtarë që përgatitjen e një ditari dhe plotësimin e një dokumentacioni e quajnë si një mirë plotësim dhe arritje të detyrës së tyre, ashtu ka edhe arsimtarë që:

  • s’ngelen të kufizuar vetëm në këto “plotësime”, 
  • kërkojnë gjithnjë zhvillimin e tyre profesional,
  • ofrojnë shërbime të arrira si brenda stafit pedagogjik ashtu edhe në rrethe të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit,
  • janë aktivistë të njohur të shoqërisë civile 
  • sjellin produkte të larmishme dhe të spikatura për institucionin dhe vendin ku jetojnë … 


Konsulenca me profesionistë 


Arsimtarët profesionistë janë motorinë e fuqishme e mbarëvajtjes dhe integritetit të shkollës. Çdo ide e tyre përbën një vizion me vlerë për risitë që priten në edukimin e brezave të rinj. 

  • Takime të ndryshme me grupet e departamenteve 
  • Tryeza të rrumbullakëta me grupe të interesit 
  • Bashkëbisedime me grupet elitare të nxënësve 
  • Organizimi i punëtorive të larmishme për ndërtimin e strategjive, janë vetëm disa nga pikat kyçe që sjell kjo konsulencë. 


Mbart një peshë kyçe edhe organizimi herë pas here i takimeve konsultative të arsimtarëve të rinj me grupet e arsimtarëve të karrierës si dhe ata të dalë tashmë në pension. 

Të tilla konsulenca duhen organizuar padyshim nga Drejtoria e shkollës si dhe nga grupe ekspertësh të ZVA dhe MAS duke stimuluar në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë efikasitetin e procesit edukativ.


Mbështetje materiale për zhvillimet profesionale 


Ka shumë rëndësi që zhvillimet profesionale të arsimtarëve të mbështeten në aspektin material nga fonde të posaçme të institucionit arsimor si dhe të MAS. 


S’janë të pakta alternativat që ofrohen sot për zhvillimet profesionale të arsimtarëve. Organizime të tilla kanë mbërritur në nivele të larta, ku çdo arsimtar që kërkon hapa të mëtejshme mund të përfitojë në të tilla raste. 


Mund të përmendim këtu organizimet e QTA-së (Qendra e Trajnimeve Albas), ku ke shumë ç’të përfitosh jo vetëm nga serioziteti i këtyre trajnimeve, por edhe nga konsultat me vlerë që ofron me ekspertë të fushës. 


Mbart gjithashtu një peshë të rëndësishme mbështetja e arsimtarëve profesionistë në aspektin material edhe për organizime të ndryshme social kulturore. 


Të tilla organizime kërkojnë dimensione dhe vizione tërheqëse dhe domethënëse, pasi janë impulse të forta të zhvillimit ideor, kulturor dhe social të nxënësve. 


Por të tilla organizime kërkojnë edhe fonde të posaçme për kostot e tyre, që natyrshëm është e pamundur të përballohen nga vetë arsimtari profesionist, i cili gjithnjë shfaq dëshirën dhe vullnetin për të sjellë risi gjatë procesit edukativ. 


S’duhet harruar:

Ka shumë më tepër peshë një organizim social kulturor, që në fokus ka zhvillimin edhe të tematikave të ndryshme lëndore, sesa disa orë procese mësimore të mbytura në rutinën e tyre të pakthjellueshme.

Një gjë e tillë padyshim stimulon ndjeshëm jo vetëm dëshirën dhe vullnetin e të rinjve drejt dijes dhe kulturës, por rrit natyrshëm edhe cilësinë në arsim.


Stimulimi i vlerave profesionale  


Mbi bazën e këtyre arritjeve vjen natyrshëm edhe stimulimi i arsimtarëve profesionistë. 

Çdo kontribut i dhënë jo vetëm brenda institucionit arsimor, por edhe në shoqërinë civile kërkon domosdoshmërish vlerësimin e këtyre vlerave. Çdo vlerësim sjell një ndërgjegjësim në përkushtim dhe angazhim, e për rrjedhojë rrit ndjeshëm edhe cilësinë. 

Le të mbështeten arsimtarët me arritje të larta profesionale dhe pse jo, të rritet konkurrenca mes arsimtarëve.



Nga Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.


1,711 Lexime
1 vit më parë