"Të jesh drejtues është përgjegjësi dhe privilegj"
Flamur Dauti, drejtori i gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë vjen në një intervistë ku tregon për punën e tij si drejtues dhe menaxhues, objektivat e shkollës dhe mënyrën e bashkëpunimit mësues-nxënës-prindër që të arrihen synimet e përbashkëta.
Portali Shkollor gjurmon mësuesit dhe drejtuesit e suksesshëm në çdo skaj të Shqipërisë dhe i sjell ata dhe mendimet e tyre për t’i ndarë me lexuesit. Flamur Dauti, drejtori i gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë vjen në një intervistë ku tregon për punën e tij si drejtues dhe menaxhues, objektivat e shkollës dhe mënyrën e bashkëpunimit mësues-nxënës-prindër që të arrihen synimet e përbashkëta. Motoja e shkollës është “Të ecim me forcën e dijes” dhe ata pikërisht këtë bëjnë çdo ditë.
Si do ta përshkruanit me pak fjalë shkollën që ju drejtoni?
Shkolla “Skënderbeu” në Krumë është pjesë e projektit shkolla si qendër komunitare. Është një shkollë e cila ka një staf pedagogjik të kualifikuar që kujdeset për ecurinë dhe zhvillimin e nxënësve. Shkolla, duke qenë qendër komunitare bashkëpunon me komunitetin për të zhvilluar veprimtari të ndryshme brenda shkollës. Aftësitë e mësuesve dhe bashkëpunimi me komunitetin krijojnë treshen e pandarë mësues-nxënës-prindër që është çelësi i suksesit dhe bën të mundur edukimin cilësor të nxënësve. Unë besoj se kualifikimi i tyre do të rritet dhe do të forcohet nga bashkëveprimi. Këtë e dëshmojnë kërkesat gjithmonë në rritje që synojnë rezultate akoma më të larta.
Çfarë do të thotë për ju të drejtoni këtë shkollë?
Për mua të jesh drejtues dhe menaxhues i një gjimnazi me 700 nxënës dhe një stafi pedagogjik prej 42 mësuesish është përgjegjësi e madhe, por njëkohësisht është dhe privilegj.
A ka qenë ambicia juaj të jeni drejtues i kësaj shkolle?
Në vitin 2013 isha mësues në gjimnaz dhe u emërova drejtor në shkollën 9-vjeçare. Në 2016 u emërova drejtor gjimnazi ku vazhdoj të punoj. Ka qenë ambicia ime për të drejtuar gjimnazin, kjo fal besimit që është krijuar nga puna dhe përkushtimi im.
Si e shikoni ju, a janë të përkushtuar nxënësit në mësime?
Mësimdhënia është sfidë për mësuesit. Ata kërkojnë cilësi të lartë dhe arritje tek nxënësit. Kjo është planifikuar mirë që të sigurojë rezultate të larta tek nxënësit e shkollës “Skënderbeu” Krumë. Nxënësit janë krenarë për mundësinë dhe shanset e barabarta që ofron shkolla, prandaj janë të përkushtuar në mësime. Ky është një proces që zgjat gjatë gjithë jetës dhe është rezultativ kur zhvillohet në një mjedis pozitiv dhe në një klimë miqësore, duhet të jetë motivues i larmishëm dhe gjithëpërfshirës.
Si është pritur digjitalizimi i teksteve në shkollën tuaj?
Digjitalizimi i teksteve është pritur mirë nga mësuesit dhe nxënësit si një mënyrë më efikase për mësimdhënie dhe mësimnxënie të suksesshme.
Cila është motoja e shkollës tuaj?
Motoja: Të ecim me forcën e dijes.
Cili është synimi juaj?
Synimi është që të krijojmë njohuri sa më të qëndrueshme për të gjithë nxënësit për të arritur rezultate sa më të larta në maturën shtetërore. Objektivi është që në provimet e maturës të arrihen rezultate më të larta se vitin e kaluar. Ne e kemi përcaktuar saktësisht se ku duhet të arrijmë, në cilët koeficientë, tani është koha që të gjithë të punojmë me përkushtim që t’i arrijmë objektivat. Të gjithë nxënësit kanë pa përjashtim aftësitë dhe prirjet e tyre.
(Portali Shkollor)
Letër falenderuese mësuesit
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...
Ese: Mjedisi dhe njeriu