Suela Patoshi: Pasurimi i fjalorit të nxënësve të ciklit 9-vjeçar përmes tekstit të gjuhës shqipe
Nga të dhënat e kohëve të fundit nxënësi duhet të zotërojë afërsisht 3000 (për moshat e vogla shkollore) njësi leksikore emërtuese. Por kjo e dhënë nuk do të thotë që fëmijët të aftësohen për të zotëruar vetëm një fond të tillë fjalori. Është detyrë e shkollës që këtë fond ta zgjerojnë sa më shumë.
Tekstet shkollore janë të mbushura me një mori informacionesh ku, përveç të tjerave, sjellin formim jo të pastër të nxënësve nga ana leksikore dhe didaktike.
Kuptimi i informacionit që ato përcjellin, është i vakët. Të flasësh për koncepte të vjetra, na duket e pamotivueshme, sepse sot na duhet të njohim sa më shumë për pasurimin e fjalorit.
Qëllimi ynë kryesor ka të bëjë me evidentimin e rolit dhe me rëndësinë e formulimit të shprehisë së të folurit e të shkruarit, e parë në pjesën e leksikut në tekstin “Gjuha amtare” (detyra shtëpie, klase, punë me shkrim dhe ese etj.), në përputhje me njohjen, thellimin dhe ndërgjegjësimin për pasurimin e fjalorit të nxënësve, gjithashtu dhe në përputhje me veçoritë e zhvillimit mendor, psikologjik për pjesën gjuhësore të kësaj grup-moshe.
Sa e përgatitur është shkolla jonë për të ecur më tej në proceset integruese, cilat janë problemet, nevojat dhe mundësitë në këtë fushë? Cili është formimi gjuhësor i gjuhës së nxënësve; po roli i leksikut në tekstet e gjuhës amtare?
Jo vetëm specifikimi i saktë i objektit të studimit, por edhe inkuadrimi i tij në një kontekst më të gjerë është i domosdoshëm të marrë natyrën e inkuadrimit në një kontekst epistemologjik funksional. Në mendimin tonë gjuhësor dhe psikologjik rreth këtij objekti të specifikuar sipas parametrave aktualë të psikolinguistikës janë në fillimet e tyre. Edhe në rrafsh europian, problemi i formimit gjuhësor të fëmijëve, deri në vitet `60 të shekullit XX, përgjithësisht, është trajtuar në punimet të natyrës përshkruese. Pranohen që janë pikërisht teoritë e Çomskit dhe gramatika gjenerative që kanë filluar më drejtpërdrejt të përligjin për gjuhëtarët studimin teorik të përvetësimit dhe zhvillimit të gjuhës, megjithëse edhe vetë modeli çomskian ishte një model përshkrimi dhe jo një model përvetësimi.
Gjuha, thoshte Çomski, është pasqyra e mendjes.
Studimet në fushën e psikolinguistikës për formimin gjuhësor të fëmijëve në grup-mosha të caktuara karakterizohen nga dy prirje të përvijuara tashmë:
- Studimet ku përparësi marrin dukuritë dhe treguesit psikologjik (p.sh., studimet e C. George, J.F.Richard etj.).
- Studimet ku peshën kryesore e mban aspekti gjuhësor.
"Noam Chomsky, psikolinguist nga Instituti i Teknologjisë në Masaçuset, më 1957 zhvilloi dhe përpunoi një teori të quajtur “teoria transformuese e gjuhës”. Në këtë teori, ai e konsideron semantikën e gjuhës më të rëndësishme se gramatika. Çomski e rishikoi teorinë e tij më 1965 dhe arriti në përfundimin se vetëm njerëzit janë të aftë të mësojnë gjuhën, majmunët jo".
Këto tipe të ndryshme këndvështrimesh kanë mundësuar shumë hulumtime me lidhje me zhvillimin ndërgjegjes gjuhësore tek fëmijët.
Ideja e përbashkët në çdo rast është:
- Të mësosh të flasësh dhe të kuptosh.
- Të mësosh mirë leksikun dhe strukturën gramatikore.
- Të mësosh tipet e ndryshme të lidhjes së thënies, shprehjes në dialog apo monolog.
- Të dish të përgjigjesh, të tregosh, të argumentosh, të krahasosh
Në këndvështrimet e sotme të psikolinguistikës, objekti i gjuhësisë është të studiojë ndryshimet. Studime psikolinguistike që kanë të bëjnë me ligjërimin e fëmijës, një vend qendror i lënë problematikës që kanë të bëjnë me aspektet leksikore, kuptimore, semantike.
Pasurimi i fjalorit të nxënësve dhe njohja e tyre me semantikën e fjalëve që ai duhet t’i bëjë pronë të fjalorit aktiv, varet nga disa kushte të caktuara gjuhësore të cilat lidhen ngushtë edhe me disa kushte të tjera të natyrës psikopedagogjike.
Përvetësimi i fjalëve të reja dhe njohja me kuptimet e sakta të tyre është një nga rrugët më të rëndësishme të zhvillimit të të folurit të fëmijëve dhe të zotërimit të gjuhës amtare si mjet i marrëveshjes shoqërore. Prandaj pasurimi i fjalorit të nxënësve është një veprimtari mësimore, e cila shtrihet në këtë procesin mësimor që përbën dhe kërkon që t’i kushtohet vëmendje e madhe, ndërkohë që përfshin tërë veprimtarinë në shkollë e jashtë shkolle (leximi i librave i gazetave, shikimi i filmave, i televizorit dëgjimi i radios etj.) dhe shtrihet deri në orët e çdo lënde mësimore.
Kur themi që “nxënësi mëson në shkollë gjuhën amtare”, nuk kemi parasysh një nxënës të huaj, por nxënësin shqiptar, i cili e di gjuhën amtare në një nivel të caktuar dhe në mënyrë praktike, njeh 3-4 mijë fjalë, strukturat kryesore, ndërtimin gramatikor e shumë elemente të tjera, që i ka fituar deri në moshën 6-7 vjeç.
Mbi këtë bazë shkolla bën normalizimin e këtij bagazhi (shmang elemente dialektore, të gabuara etj.), i mëson nxënësit nocionet themelore për gjuhën si sistem dhe ia pasuron ligjërimin me mjete leksikore, frazeologjike, semantike, sintaksore stilistike ende të panjohura për të.
Për sa i përket pasurimit të fjalorit të nxënësit duhet thënë se deri tani ka qenë ana më e dobët e punës së shkollës në mësimin e gjuhës amtare. Prandaj puna për pasurimin e fjalorit të nxënësve në shkollë duhet të trajtohet si drejtim i veçantë e shumë i rëndësishëm. Kjo punë nuk duhet parë vetëm si përvetësim i një shume mekanike fjalësh të rastit. Fjalët e reja duhen mësuar në tekste e kontekste ligjërimore, më pas mund të punohet me semantikën e tyre (për njohjen e kuptimeve të parme a të prejardhura) dhe për ngjyresat e veçanta.
Në shkollë, procesi i pasurimit të fjalorit të nxënësve realizohet në mënyrë të programuar. Çdo lëndë u jep fëmijëve mundësi të zotërojnë leksikun dhe frazeologjinë aktive në tërë stilet e gjuhës (letrar, shoqëror, politik, shkencor) sipas lëndëve. Por, rol të veçantë në pasurimin e fjalorit të nxënësve luan vetë mësimi i gjuhës shqipe si lëndë mësimore, përmes së cilës kalon tërë puna për njohjen e përdorimin e fjalëve; një punë që përqendrohet në grupet e ndryshme leksiko-semantike.
Përvoja tregon që sot theksi duhet vënë më shumë në tri drejtime kryesore që janë:
- Njohja e fëmijëve lidhet me semantikën e fjalës.
- Zhvillimi gjuhësorë i fëmijëve për t’ì përdorur fjalët në varësi nga tipat dhe stilet e të folurit.
- Dallimi dhe veçimi shkallë-shkallë (nga fondi i fjalorit të nxënësve) i fjalëve dialektore nga fjalët e thjeshtë ligjërimit, duke i vënë në barasvlerë me fjalët e gjuhës standarde, për të rritur te nxënësit kulturën e të folurit.
Rëndësi të veçantë merr përmbajtja e punës për pasurimin e fjalorit të nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe. Sistemi i leksikut të gjuhës ndryshon nga sistemet e tjera (fonetik, gramatikor), së pari, nga pafundësia e njësive të tij; së dyti, nga ndryshimet e mëdha në lidhje me semantikën, fjalëformimin e përdorimin stilistik të fjalëve.
Të dhënat e kohëve të fundit e quajnë si të domosdoshme që për të realizuar të folurit normal, nxënësi duhet të zotërojë afërsisht 3000 (për moshat e vogla shkollore) njësi leksikore emërtuese. Por kjo e dhënë nuk do të thotë që fëmijët të aftësohen për të zotëruar vetëm një fond të tillë fjalori. Është detyrë e shkollës që këtë fond ta zgjerojnë sa më shumë. Zotërimi i një leksiku të tillë realizohet edhe gjatë rrjedhës së jetës së njeriut.
Suela PATOSHI,
Nëndrejtor, shkolla 9-vjeçare "Fiqiri Kurti”, Kavajë
Publikim N.Allkja Biçaku
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe