
Strategjia Kombëtare e Arsimit 2021-2026, Kushi: Fokusi tek gjithëpërfshirja dhe sigurimi i cilësisë në arsim
Në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë kanë nisur konsultimet publike për Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021-2026. Ministrja Evis Kushi në takimin e parë ka theksuar se në fokusin kryesor të kësaj strategjie për arsimin parauniversitar do të jenë gjithëpërfshirja dhe sigurimi i cilësisë në arsim.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka nisur tashmë konsultimet publike për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026.
Këtë e bën të ditur Ministrja Evis Kushi përmes një publikimi në rrjete sociale, ku shprehet se është zhvilluar një diskutim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, i cili është edhe takimi i parë i konsultimit publik për hartimin e kësaj strategjie.

Për sa i përket arsimit parauniversitar, Kushi nënvizon edhe pikat kryesore që do të jenë në fokusin e strategjisë:
"Në fokus kryesor të kësaj strategjie për arsimin parauniversitar do të jenë gjithëpërfshirja dhe barazia në arsim, digjitalizimi, meritokracia dhe zhvillimi profesional i mësuesve, menaxhimi dhe sigurimi i cilësisë në arsim, si dhe shtimi i vëmendjes për zotërimin e kompetencave të të nxënit gjatë gjithë jetës".
Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026, Ministrja Kushi shpreh ndër të tjera angazhimin e plotë të MASR për të ndërtuar një sistem arsimor sa më gjithëpërfshirës, i cili trajton me sukses nevojat individuale të të gjithë fëmijëve, nxënësve e studentëve tanë, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë dhe me respekt për diversitetin.
Në fund, ajo falënderon edhe partnerët zhvillimorë, donatorët, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të përfshirë, të cilët javët në vijim do të jenë pjesë e konsultimeve të gjëra publike për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit 2021-2026.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
QSHA: Regjistrimet për licencën e mësuesisë deri më 7 prill, provimi do të zhvillohet në muajin maj, ja procedurat
Hapen aplikimet për provimin e licencës 2025, regjistrimet mbyllen më 14 prill
Rama dhe Manastirliu prezantojnë transformimin arsimor: Paga mësuesish 1250 euro dhe program pas-shkolle për fëmijët