MATURA SHTETËRORE 2019

Sot, testimi i detyruar për 36 mijë maturantë në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë

Mbi 36 mijë maturantë në mbarë vendin ditën e sotme do t’i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore 2019, atij të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Testet hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga QSHA.

Mbi 36 mijë maturantë në mbarë vendin ditën e sotme do t’i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore 2019, atij të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Testet e provimeve në provime të detyruara dhe me zgjedhje hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga QSHA. Testi për secilin nga provimet e detyruara dhe me zgjedhje vlerësohet me 60 pikë maksimale. Maturantët apo kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2019 do t’i rijapin në sezonin e vjeshtës”, – bën me dije QSHA.


Testimi

Përkatësisht maturantët në 12 qershor do testojnë njohuritë në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, ndërsa provimi i Matematikës do të zhvillohet në 17 qershor 2019. Sakaq, në udhëzim bëhet me dije për të gjithë maturantët e vitit mësimor 2018-2019 se provimi me zgjedhje do të mbahet në 24 qershor. “Administrimi i provimeve të Maturës Shtetërore 2019 bazohet në rregulloren e Maturës Shtetërore 2019, miratuar me urdhrin nr. 780, datë 23.11.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë në MASR dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore, të përcaktojnë testin për secilin provim të Maturës Shtetërore. Provimet e detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019 fillojnë në orën 10:00 dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testet e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga QSHA-ja”,theksohet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë. 


“Listat e maturantëve mbetës të dërgohen në QSHA në format të printuar dhe elektronik. Drejtoritë e shkollave njoftojnë maturantët mbetës që të mos paraqiten në provimet e Maturës Shtetërore 2019 pa likuiduar më parë provimet e klasës. Organizimi i konsultimeve me maturantët të kryhet sipas procedurave të përcaktuara në Urdhrin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 121, datë 25.2.2011, ‘Për organizimin e konsultimeve në ndihmë të nxënësve maturantë'”, thuhet në Fletoren Zyrtare.


Alternativat

Të gjithë kandidatët që do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore 2019 duhet të njihen me udhëzuesin për plotësimin e fletë-përgjigjes për pyetjet me alternativa, si edhe një model të fletë-përgjigjes. Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar udhëzuesin me direktivat e nevojshme për maturantët. “Pyetjet me zgjedhje (alternativa) do të korrigjohen në formë digjitale nga sistemi i ngritur në QSHA. Në të katërta provimet e Maturës Shtetërore 2019, maturantët/kandidatët përveç testit, duhet të plotësojnë edhe një fletë-përgjigje për pyetjet me zgjedhje (alternativa). Udhëzoni maturantët/kandidatët të lexojnë me vëmendje udhëzimet e dhëna në fletë-përgjigje, para se ta plotësojnë atë. Fletë-përgjigjet përmbajnë disa udhëzime të përgjithshme për të ndihmuar maturantin/kandidatin në plotësimin e saj”, – theksohet në udhëzimin e QSHA-së. Në këtë të fundit bëhet me dije se maturantët duhet të plotësojnë në fillim testin, pastaj të plotësojnë fletë-përgjigjen për pyetjet me zgjedhje. Pyetjet me alternativa mund të jenë të shpërndara në test (jo njëra pas tjetrës), por numrat e pyetjeve në tabelën e fletë-përgjigjes do të jenë në përputhje me numrin që secila pyetje ka në test. “Udhëzoni maturantin/kandidatin si të veprojë saktë për të mbushur rrathët e tabelës për secilën pyetje. Ndërkohë, çdo maturant/kandidat që kërkon fotokopjen e testeve të maturës dhe të fletë-përgjigjeve përkatëse duhet të paraqesë kërkesën në shkollë brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim. ZVAP mbledhin kërkesat për fotokopje nga çdo shkollë dhe i dorëzojnë ato në QSHA brenda 4 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim. “Gjithashtu, informohen të gjithë maturantët/kandidatët se kërkesat për fotokopje të testit dhe të fletë-përgjigjes mund të kryhen ‘online’ në portalin ‘e-Albania’, duke përdorur shërbimin ‘Kërkesë për kopje të testit të maturës’, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultateve të secilit provim. Maturantët/kandidatët do të njoftohen edhe me ‘e-mail’ në kohën që shërbimi do t’u kthejë përgjigje”, – theksohet në njoftimin e drejtoreshës së QSHA-së, 


Për mënyrën si plotësohet fletëpërgjigja shërben artikulli mëposhtëm

Plotësimi i fletëpërgjigjes


Vlerësimi

Në udhëzimin e shpallur nga MASR pak ditë më parë rreth masave se si do të zhvillohen provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, është konfirmuar se përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve për secilën lëndë do të bëhet nëpërmjet teknologjisë digjitale. Ekspertët kanë hartuar tashmë fondin me qindra pyetje për secilin provim, nga ku teknologjia digjitale do të selektojë edhe pyetjet për testin final që do të plotësojnë maturantët. Pas zhvillimit të çdo provimi, testet do të dërgohen nga shërbimi postar nën masa të rrepta sigurie drejt shkollës “1 Maji”, gjimnazit “Ismail Qemali”, të cilat do të shërbejnë edhe si qendrat ku do të bëhet vlerësimi i testeve. Ndërsa qendra e tretë e vlerësimit do të jetë në Elbasan, në godinën e shkollës “Vasil Kamami”. Ambientet e këtyre shkollave do të ruhen nga forcat e policisë ndërmjet datave 8 qershor deri në 2 korrik, kohë në të cilën parashikohet të ketë përfunduar edhe procesi i vlerësimit të testeve të lëndës me zgjedhje. N


Në çdo mjedis provimi do të instalohen pajisjet e bllokimit të zhurmave të mjeteve të komunikimit. Çdo maturant do të kontrollohet në mënyrë të rreptë para se të hyjë në ambientin që i është përcaktuar për zhvillimin e provimit. Lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore 2019 për shkollat e arsimit të mesëm të lartë janë: 3 provime të detyruara, përkatësisht në lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e Huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila do të përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista e 11 lëndëve të konfirmuara nga MASR për të gjitha shkollat e mesme. Janë përcaktuar edhe lëndët specifike për maturantët e shkollave profesionale. 


Për të qenë kalues si në provimet e detyruara, ashtu edhe në ato me zgjedhje, maturanti apo kandidati i viteve të shkuara duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të pikëve totale me të cilat vlerësohet testi. Kandidatët nuk lejohen të rijapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme kanë marrë rezultate jo më të ulëta se sa 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shumë se një herë një lëndë, në provimet me zgjedhje i njihet vetëm rezultati i vitit të fundit.


(Portali Shkollor)

3,885 Lexime
5 vjet më parë