Sot provimi i matematikës, maturantët në ankth
Maturantët e parë që u paraqitën në shkollë kishin kaluar një natë të gjatë, nuk kishin mundur të vinin gjumë në sy, kjo dukej qartë në fytyrat e tyre, por edhe prindërit u kërkonin të hanin diçka, të pinin një kafe...
Provimi i sotëm për maturantët nuk ishte si gjithë të tjerët, kjo për shkak të shkallës më të lartë të vështirësisë që mbart lënda e matematikës. E konsideruar si: “bota e shifrave”, “lënda e formulave”, “matematika e ekuacioneve” kjo lëndë kërkon më shumë studim dhe përkushtim. Maturantët, të vetëdijshëm për këtë i janë futur studimeve dhe kanë qëndruar për orë të tëra me “ekuacionet”, “formulat” dhe shifrat në mënyrë që të arrijnë rezultatet e dëshiruara.
Janë plot 42.400 maturantë që testohen sot në provimin e fundit të detyruar të Maturës Shtetërore. Rregullat janë të qarta dhe të njëjta për të gjithë, askush nuk mund të thyejë rregullat pasi në të kundërt penalizohet. Drejtoritë e shkollave dhe mësuesit e lëndës kanë mbledhur maturantët një ditë më parë dhe iu kanë dhënë udhëzimet e fundit duke theksuar zbatimin e rregullores.
Ne ishim pranë maturantëve të gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet për të parë nga afër emocionet, ankthin dhe vështirësitë përpara fillimit të provimit të matematikës. Ashtu siç pritej, askush nuk mund të futej brenda territorit të shkollës, përveç maturantëve.
Maturantët filluan të paraqiteshin në shkollë që në orën 07:30. Maturantët e parë që u paraqitën në shkollë kishin kaluar një natë të gjatë, nuk kishin mundur të vinin gjumë në sy, kjo dukej qartë në fytyrat e tyre, por edhe prindërit u kërkonin të hanin diçka, të pinin një kafe pasi në dhomë kishin parë gjatë gjithë natës dritën e ndezur. Ishin 2 vajza që mbërritën në shkollë të shoqëruara nga dy prindërit e tyre. Vajzat pasi u paraqitën në shkollë kuptuan që ishte ende herët dhe kështu iu bindë prindërve dhe të gjithë së bashku u drejtuan në kafenenë përballë shkollës, por për asnjë çast nuk i larguan sytë nga porta e shkollës duke ndjekur kështu çdo lëvzje.
Më pas numri i maturantëve u shtua, oborri i shkollës u mbush me nxënës, ndërsa prindërit i shikonin përtej rrethimit të oborrit të shkollës. Pasi u grupuan, maturantët bisedonin dhe dukej sikur për një çast ishin më të qetë teksa ndjenin mbështetjen e njëri-tjetrit.
Më pranë portës qëndronin një grup vajzash, 5 vajza, të cilat të strukura në një qoshe pranë portës bisedonin se cilat pyetje mund të ishin pjesë e tezës së provimit. Përsërisnin formulat të cilat kishin frikë se nuk do t’i kujtonin dot në provim, më tepër i kishte pushtuar ankthi sesa frika.
Koha kaloi shpejt edhe pse ne vetëm po vëzhgonim dhe po mundoheshim të kuptonim se çfarë emocionesh apo ndjesish i përshkonin maturantët tani, teksa ndodheshin para syve tanë. Emrat e maturantëve nisën të thirreshin, po ndaheshin në grupe për t’iu drejtuar më pas klasave ku do të zhvillohej testimi. Dalë nga dalë oborri u boshatis, nuk shikoje më asnjë njeri.
Prapa hekurave dukeshin prindërit të shqetësuar, të cilët prisnin me padurim që provimi të përfundonte dhe fëmijët e tyre ta hiqnin edhe këtë “barrë” e cila ishte e fundit dhe më pas ata ishin të rritur, kandidatë për studentë në universitete. Ju mbetej vetëm provimi me zgjedhje, i cili ishte sfida e fundit për ta.
Në universitet provimet nuk do të jenë njëlloj, jo më me kaq ankth, pasi ata janë të rritur dhe rezultate pozitive të çdo provimi i afrojnë gjithnjë e më tepër pranë profesionit, të cilin ata e kanë zgjedhur mes shumë profesioneve të tjera.
Në fakt, ata maturantë që do të fitojnë degën që duan do të jenë me fat, pasi këtë vit kriteret e pranimit janë përcaktuar nga vetë universitetet.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës