Siguria rrugore në arsimin parauniversitar, MAS dhe DPSHTRR marrëveshje për hartimin dhe zbatimin e kurrikulës së re
Marrëveshja e re nga MAS dhe DPSHTRR synon të zhvillojë tek nxënësit njohuritë për sigurinë rrugore por edhe aftësitë praktike. Nga ana tjetër synon të trajnojë mësuesit për t’a përcjellë sa më mirë këtë kurrikul të re tek nxënësit.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) Blendi Gonxhe nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi për hartimin dhe zbatimin e unifikuar të kurrikulës së re të edukimit për sigurinë rrugore.
Kjo marrëveshje e re synon të zhvillojë tek nxënësit njohuritë për sigurinë rrugore por edhe aftësitë praktike. Nga ana tjetër synon të trajnojë mësuesit për t’a përcjellë sa më mirë këtë kurrikul të re tek nxënësit.
Ministrja Kushi falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor për marrëveshjen e deritanishme, pasi prej muajit janar të vitit 2022 në shumë shkolla të vendit janë zhvilluar orë edukative me kënde të lëvizshme për të stimuluar situata, për t’i edukuar dhe aftësuar nxënësit për sigurinë rrugore.
Kushi u shpreh se pavarësisht se orët edukative kanë qenë në shumë shkolla të vendit, me mbi 2 mijë nxënës, kaq është e pamjaftueshme.
“Është më se e nevojshme, madje e domosdoshme që ne tashmë të kemi një kurrikul të re, tekste të reja të certifikuara ku nxënësit të marrin të gjitha njohuritë e duhura për sigurinë rrugore, madje edhe për sigurinë publike,” - shprehet ministrja.
“Jemi dëshmitarë të aksidenteve, shpeshherë dhe fatale, shpeshherë ku përfshihen edhe fëmijë të vegjël që janë të shkaktuara pikërisht për shkak të një pakujdesie të vogël, për shkak të një mungese të njohurive apo të aftësive praktike edhe tek drejtuesit e automjetit por edhe tek këmbësorët apo ata që pedalojnë. Prandaj do të bëjmë gjithçka që të hartojmë kurrikulën në një kohë sa më të shpejtë me ekspertë të fushës, po kështu të përgatisim tekste që gjithashtu të jenë të unifikuara në të gjitha shkollat. Dhe theksoj që kjo kurrikul e re do të jetë një kapitull në lëndën e qytetarisë për të gjithë arsimin parauniversitar, në të gjitha klasat, si tek nxënësit e vegjël, ashtu dhe tek adoleshentët dhe moshat më të rritura,” – nënvizoi Kushi.
Gjithashtu ajo shtoi se përveç njohurive teorike, do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në të gjitha shkollat në vend. Ministrja Kushi u shpreh se kjo është një kurrikul e re që kërkon angazhimin e përbashkët për ta zbatuar siç duhet.
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri
Fondi i pyetjeve për provimin e licencës, për të gjitha profilet