Analizë

“Shumë zhurmë për asgjë” nga mësuesi Ervin Nezha

“Në një faqe online, ndihmëse për punën e mësuesit vura re kolegë (mësues) që i qenë vërsulur një kolegu anonim, që nuk kishte llogaritur si duhet shkallëzimin e pikëve të testimit. Komentet më lanë shije të keqe, sepse tregojnë se sa rendësi u japim ne si mësues gjerave pa ndonjë vlerë reale...”

Në një faqe online, ndihmëse për punën e mësuesit vura re kolegë (mësues) që i qenë vërsulur një kolegu anonim, që nuk kishte llogaritur si duhet shkallëzimin e pikëve të testimit. Komentet më lanë shije të keqe, sepse tregojnë se sa rendësi u japim ne si mësues gjerave pa ndonjë vlerë reale, që kryesisht janë teknike dhe jo thelbësore për procesin mësimor, madje ndonjëherë gati të padobishme.  


Në kohën që flasim, në shumë kurrikula të suksesshme, testimi cilësohet si metodë e vjetër, e tejkaluar. Ai përpos se rrit ankthin dhe çrregullon gjendjen psiko-fizike të nxënësit, mat vetëm një sasi njohurish të grumbulluara, pa perspektivë për kreativitetin. Testimi nuk e favorizon kreativitetin sepse është një “superstrukturë inxhinierike” që e kanalizon dijen sipas mënyrave shumë të kufizuara madje në raste të veçanta në mënyra banale. Edhe në rastet më produktive, në testimet më të mirëmenduara, më të kolauduara dhe më të mirëmenaxhuara, nuk flasim dot për objektivitet absolut përderisa dy nota 10, nuk tregojnë të njëjtën cilësi pune, ose dy nota 5  merren në mënyra të ndryshme. Mirëpo në imitimet skandaloze të viteve të fundit, të instaluara me hir e pahir në sistemin tonë arsimor,  një syresh mësuesish, pas 50-60  vjetësh përdorimi në botë, mësuan nga trajnimet, teknikën (matricën) e hartimit të testeve "Blue Printin" si formën organizuese më "të pagabueshme" të testimit dhe mendojnë se me këtë zbuluan "formulën e bombës bërthamore" dhe na e shesin si mençuri të madhe. Kur siç thash, kjo metodë është aq e sofistikuar por edhe e vjetruar njëherë. Dhe nuk është e udhës që ngaqë ne na ra rasti vonë ta mësojmë, ta quajmë si diçka novatore dhe të padiskutueshme.  


Madje, për kureshtje, testimi si formë e kontrollit të njohurive, në sistemet më të dalluara arsimore është eliminuar fare ose është në eliminim e sipër pasi gjykohet si formë tejet brutale për të matur përparimin e nxënësit, në një kohë kur kompetencat lëndore dhe dija në hapësirat ndërlëndore janë shumëfish më të mëdha sesa ajo që ofron teza sidoqoftë e hartuar ajo, madje-madje shumëfish më të mëdha se dija qe ne marrim në një auditor.   


(Madje, në disa sisteme debat të madh ka edhe për vlerësimin ( heqjen e tij) por ky është diskutim më i gjerë.)   


Ky agresivitet i kolegut ndaj kolegut, buron nga padija, sepse çdo formë agresive në fakt buron nga padija. Dhe gjykoj nuk është e udhës që të kthehemi në mësues robotë, që gjithçka e bazojmë në matje dhe arritje intelektuale objektive dhe vetëm objektive. E kuptoni se sa dëshpëruese është kur ne përpiqemi që kapitullin mësimor, ose tre muaj mësim, t'i marrim mbrapsht përmes testimit, që zgjat vetëm 45 min?  


Pra, ne nxënësin në këtë mënyrë, dashje pa dashje, e konsiderojmë si një magazinë, ku vendosim ato dije që mendojmë se i duhen dhe përpiqemi që në fund të çdo kapitulli, t’i inventarizojmë këto dije me mosbesimin “e rremë” se mund të na firojnë. Kur dihet se është normale që informacioni mund të vendoset, mbivendoset, harrohet dhe rikujtohet është proces bio-psikologjik, si harresa dhe kujtesa.  


 Me këtë që po shkruaj, nuk po them se ne duhet të heqim dorë krejtësisht nga sistemi i testimeve lëndore, por të heqim dorë nga të menduarit se testimi është “gjyqi i fundit” i nxënësit dhe pas testimit jeta mbaron. Kjo nuk është e vërtet, pasi shpeshherë një testim i punuar mirë ose keq, nuk tregon asgjë. Madje për ilustrim mund t’ju them se në vitin 1968, nga shumë astronautë  që u morën në testim për njohuri mbi sistemet inxhinierike, Neil Armstrong doli i 18, por prapë u përzgjodh nga NASA si astronauti kryesor, për misionin Apollo dhe u bë njeriu i parë që shkeli në Hënë. Pra siç duket, përveç rezultateve të fletës së testimit, ata që e përzgjodhën veçuan edhe karakterin, guximin, gjakftohtësinë dhe aftësinë e të menduarit. Këtë duhet të synojmë edhe ne. Të mos jenë pikët ato që përcaktojnë gjithçka por edhe faktorë që qenien humane e bëjnë të suksesshme dhe të dobishme në shoqëri. 


Tani për ilustrim, mu dha rasti të shikoj në TV,  një formë testimi të lëndës së Historisë në Taivan, ku mësuesi demonstron forcën e legjioneve romake, që e bënë Romën një perandori të pathyeshme. 

Ai mat njohurinë e nxënësve të tij, duke zhvilluar imagjinatën dhe dijen e tyre. Ai i bën nxënësit aktorë të lojës. Formon legjionin dhe i udhëzon nxënësit e vet përmes lojës, për mënyrën si funksiononte ky formacion ushtarak. Dhe vetëm përmes këtij ushtrimi ai merr përgjigje për dhjetëra pyetje që i mendon kyçe në rezultatet e të nxënit:  


P.sh: Cilat ishin pikat e forta dhe të dobëta të legjioneve? Çfarë të rejash solli për epokën ushtarake ku u aplikuan?Si funksiononin?...etj.  


Dhe mat përmes vëzhgimit aftësinë që kanë nxënësit e tij, për të zbatuar në mënyrë praktike dhe të matshme atë që quhet dije e marrë në mënyrë teorike. Dhe cili ishte rezultati i këtij testimi? Secili nxënës mund të jetë i aftë të flasë për atë përvojë që e ka përjetuar vetë fizikisht dhe emocionalisht dhe të kalojë çfarëdolloj testimi me sukses. 


Sigurisht që sistemi ynë arsimor  nuk ka arritur ende në nivele të tilla nivele, por disa gjera duket se i vështirësojmë ne vetë si mësues, dhe ndonjëherë pa shkak, megjithëse nuk na pëlqen gjithmonë ta pranojmë këtë.




Nga mësuesi Ervin Nezha 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,246 Lexime
1 vit më parë