Shqipëri - Hungari, nënshkruhet programi i bashkëpunimit në arsim
Në prani të dy Presidentëve, atij të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Republikës së Hungarisë, u nënshkrua “Programi i Bashkëpunimit në Fushën e Shkencës dhe Arsimit”
Në prani të dy Presidentëve, atij të Republikës së Shqipërisë dhe atij të Republikës së Hungarisë, u nënshkrua “Programi i Bashkëpunimit në Fushën e Shkencës dhe Arsimit” ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministrja Lindita Nikolla dhe Ministrisë së Burimeve Kombëtare të Hungarisë, përfaqësuar nga Ambasadori Antal Heizer.
Programi i bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe shkencës për vitet 2016-2018, është i një rëndësie të veçantë duke qenë se ky program do të rrisë bashkëpunimin dy palëshmes dy vendeve.
Gjatë zbatimit të tij palët do të inkurajojnë dhe mbështesin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë midis institucioneve të arsimit të lartë të të dy vendeve, zbatimin e programeve të përbashkëta dhe projekteve kërkimore.
Në fushën e arsimit dhe shkencës, palët do të bashkëpunojnë në kuadër të programit “Erasmus +”, programit për kërkimin shkencor dhe novacionit "Horizont 2020" dhe Programit të Shkëmbimit të Studimeve Universitare për Evropën Qendrore, CEEPUS me qëllim për të rritur e intensifikuar mobilitetin e studentëve dhe të stafit akademik në të dy vendet.
Përdorimi i programeve të mësipërme evropiane për shkëmbimin e përvojave do të realizohet duke organizuar vizita studimore, seminare trajnimi i stafit dhe kualifikime në fushat e interesit. Paralelisht do të sigurohet dhe pjesëmarrja në konferenca të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare si: simpoziume, seminare shkencore, profesionale dhe kulturore.
Nga ana tjetër, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, pala hungareze do të ofrojë gjithsej 20 bursa në vit për studentët shqiptarë për të ndjekur studimet në Hungari.
Marrëveshja parashikon gjithashtu dhe mësimin e gjuhës hungareze në Shqipëri dhe gjuhës shqipe në Hungari. Në këtë aspekt, palët do të inkurajojnë mësimdhënien e gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës në Fakultetin e Arteve të Eötvös Loránd, Universiteti i Budapestit dhe zhvillimin e kurseve të përkthimit dhe interpretimit për gjuhën hungareze dhe shqipe.
Fajton Softa: Siguria në shkolla duhet të certifikohet, duhen bërë kontrolle me detektorë dhe të vendosen kamera
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Oficerët e sigurisë në shkolla