Analizë

Shqetësime për efektivitetin e reformës në Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar

Reforma në Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar ka sjellë ndryshime në strukturë, por ka shkaktuar shqetësime për efektivitetin e saj. Numri i ulët i punonjësve dhe mungesa e analizës të thellë e kanë bërë të vështirë përmirësimin e cilësisë dhe mbikëqyrjes së institucioneve arsimore.

Nga Fiqiri Çilfiku, ekspert arsimi 


Me Urdhrin e Ministrit të MAS, Nr.571 datë 18.11.2024, “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar” (ZVAP), i cili ka shfuqizuar urdhrin. Nr.234, datë 19.04.2019, të ndryshuar, ka filluar riformimi i 52 zyrave ekzistuese. Ajo që duhet të ndodhte duhet të ishte vërtetë një reformë radikale në menaxhimin e sistemit tonë arsimor në gjithë territorit, por nuk ka ndodhur kështu.


Struktura ndryshon për të rritur performancën dhe për të riparuar problematikat që janë evidentuar. Struktura aktuale a mundet të sigurojë cilësinë që presim nga sistemi arsimor? Uroj që ta bëjnë, por nga ajo që shihet nuk besoj pasi është ndërtuar në raport të zhdrejtë me ekspertizën që i duhet, pa analizë dhe pa vizion, në varësi të detyrave funksionale që ka dhe që i dalin sot shkollës. Detyrat kryesore të ZVAP janë të përcaktuara në rregulloren 4699/1, datë 30.4.2019 dhe që rrjedhin nga përcaktimet e ligjit 69/212, VKM-së 99/2019 dhe Strategjisë së Arsimit Parauniversitar 2021-2026.


ZVAP funksionin bazë të tyre, kanë kurrikulën dhe sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar e për këtë duhet të:


  • Monitorojnë zbatimin e kurrikulës, metodologjitë dhe standardet që mbështesin dhe përmirësojnë procesin e ofrimit të shërbimit arsimor.
  • Mbikëqyrin veprimtarinë e përditshme dhe funksionimin e institucioneve arsimore, përmbushjen e detyrave administrative dhe rregullsinë e procesit mësimor.
  • Vlerësojnë nevojat dhe problematikat gjatë ofrimit të shërbimit arsimor dhe propozojnë zgjidhjen e tyre.
  • Menaxhojnë dhe mbikëqyrin/kontrollojnë institucionet arsimore parauniversitare lidhur me zhvillimin e proceseve dhe veprimtarive mësimore.
  • Kryejnë miradministrimin e burimeve njerëzore për institucionet publike të arsimit parauniversitar. Si dhe i propozon DRAP shpërndarjen e tyre në varësi të aftësive, kontributit të gjithë secilit dhe parimeve të drejtësisë e meritokracisë.
  • Bashkëpunojnë për ngritjen e rrjeteve profesionale të mësuesve si dhe përhapin praktikat dhe përvojat e suksesshme të mësuesve të institucioneve arsimore.
  • Bashkëpunojnë për rekrutimin e mësuesve nëpërmjet menaxhimit/mirëmbajtjes/përditësimit të portalit kombëtar “Mësues për Shqipërinë”, ndjekjen e procedurave përkatëse të konkurrimit, përpunimin e analizimin e të dhënave dhe shpalljen e rezultateve.
  • Propozojnë miradministrimin e burimeve financiare dhe shpërndarjen e tyre në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi dhe nevojat e institucioneve arsimore bazuar në formulën “për nxënës”.
  • Organizojnë dhe mbështesin shërbimin psiko-social në institucionet arsimore parauniversitare publike për evidentimin e problematikave psiko-sociale të fëmijëve/nxënësve dhe zgjidhjen e tyre.
  • Bashkëpunojnë me njësitë e vetëqeverisjes vendore për planifikimin, realizimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së institucioneve arsimore dhe raportojnë në DRAP.
  • Monitorojnë procedurat për përzgjedhjen, shpërndarjen dhe pajisjen e nxënësve me tekste shkollore dhe raportojnë në DRAP.
  • Organizojnë dhe mbështesin zhvillimin e provimeve dhe vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin parauniversitar.
  • Grumbullojnë të dhënat statistikore nga institucionet arsimore nën juridiksionin e tyre, ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve dhe sigurisht hartojnë raporte për institucionet eprore.


Siç shihet pjesa më e madhe e detyrave lidhen me pjesën e kurrikulës dhe procesit mësimor që zhvillohet në shkollë, mësuesin, prindin dhe sigurisht fëmijën. Nuk po përmend këtu projektet e shumta që mësyjnë shkollën, olimpiada apo veprimtari të tjera jashtëshkollore apo në komunitet, për të cilat duhet koordinim nga ZVAP. 


Shumë detyra që sot kryhen nuk janë në këtë listë sepse kanë dalë në pah më vonë, p.sh mrnachini i punës së oficerëve të sigurisë, koordinatorëve, trajtimit të mirëqenies së nxënësve në shkolla, vlerësimi psikosocial, etj.


Në neni 34, të rregullores përcaktohen detyrat e Sektorit të Kurrikulës dhe Zhvillimit Profesional, të cilat më së shumti janë si më poshtë:


a. Këshillon drejtuesit, mësuesit lëndorë dhe ata kujdestare në fushën e kurrikulës.


b. Identifikon nevojat për zhvillim profesional të mësuesve përmes pyetësorëve, bisedave me ta, pjesëmarrjes në mbledhjet e ekipeve lëndorë, vizitave në institucione arsimore, vëzhgimeve të orëve mësimore, kryerjes me nxënësit të testeve të standardizuara e minitesteve, takimeve me prindër e nxënës e me organizma që i përfaqësojnë ato, me përfaqësues të tjerë komunitetit.


c. Merr informacion mujor nga shkollat mbi gjendjen e mjeteve elektronike te TIK-ut dhe të laboratorëve të kompjuterëve, verifikon gjendjen dhe raporton në DRAP dhe AKAP.


d. Ndjek plotësimin nga shkollat te parapëlqimeve te nxënësve në kurrikulën me zgjedhje.


e. Verifikon saktësinë e plotësimit të amzës së digjitalizuar nga shkollat.


f. Grumbullon të dhënat statistikore nga institucionet arsimore sipas kërkesave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit apo kërkesave të DRAP dhe AKAP.


g. Përpunon të dhënat për renditjen e institucioneve arsimore (karta e performancës).


Për të kryer detyrat e mësipërme numri i punonjësve është shkurtuar duke shkuar në 340 punonjës nga 428, pra është ulur me 88 punonjës të cilët i janë shtuar drejtorive rajonale dhe Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar.


Me urdhrin e ri në ZVAP, vetëm 154 punonjës janë specialistë të arsimit, nga të cilët 120 specialistë dhe 30 përgjegjës sektori. Nuk po analizojë nivelin arsimor për rekrutimin e tyre pasi mjafton edhe bachelori për t’u punësuar, ndërkohë që mësuesit janë me master shkencor, me provim shteti dhe me Portal.


Ajo që është shqetësuese është tkurrja e numrit të punonjësve në sektorët e kurrikulës në shumë zyra arsimore. Kështu nga 52 ZVAP në 22 prej tyre struktura parashikon vetëm një specialist kurrikule, në 9 janë 2 specialistë dhe në 7 ZVAP 3 specialist. Vetëm në 14 zyra ka më shumë se 4 punonjës në SKZHP, që mund të merren me kurrikulën dhe sigurimin e cilësisë në shkolla.


Nuk di si mund të monitorohen, inspektohen, ndiqen nga qendra, shkollat publike qendër, vartëse, shkollat private, kopshtet publike, kopshtet private apo qendrat pas shkolle që janë shtuar me ndryshimet ligjore të vitit 2023.


Por kjo strukturë, ka dhe një problematikë tjetër, bie në kundërshtim me vendimin nr. 893, datë 17.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të organizimit dhe të funksionimit të kabineteve ndihmëse, të organizimit të brendshëm të institucioneve të administratës shtetërore, si dhe për procedurat e hollësishme për përgatitjen, propozimin, konsultimin dhe miratimin e organizimit të brendshëm”.


Ky vendim përcakton se pozicionet e dedikuara për funksionet e shërbimeve mbështetëse në çdo institucion nuk duhet të kalojnë 33% të numrit të përgjithshëm të pozicioneve të institucionit. Në 7 ZVAP ky raport është 50% dhe në 22 raporti është i përmbysur pasi kemi vetëm një punonjës në sektorin e kurrikulës.


Në institucionet e varësisë, të cilat kanë një numër të reduktuar të stafit deri në 10 (dhjetë) pozicione, struktura e brendshme si rregull duhet të jetë e sheshtë, me vetëm një pozicion drejtues dhe të gjitha pozicionet e tjera që i raportojnë atij.


Një sektor mund të krijohet si njësi organizative e veçantë kur në të janë të paktën një pozicion shef/përgjegjës sektori dhe dy vartës. Një sektor mund të krijohet edhe pa pozicionin e shefit/përgjegjësit, nëse është në kuadër të një drejtorie dhe ka të paktën dy nëpunës.


Një drejtori mund të krijohet nëse ka në përbërje të saj të paktën dy sektorë ose nëse ka të paktën 5 (pesë) punonjës.


Nuk po flas pastaj për funksionet të tjera si ai i mbajtjes së magazinës, i mbajtjes së financës së institucionit apo i arshivës e protokollit.


Uroj shumë që punonjësit e këtyre institucioneve të japin më të mirën dhe të arrijnë rezultatet që pret publiku për të siguruar shërbim arsimor cilësor në të gjithë territorin dhe barazi në arsim për çdo fëmijë, por nga analiza e mësipërme e shoh me dyshim…



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,140 Lexime
1 muaj më parë