Një jetë në arsimin shqiptar

Shpresa Bejo, ikonë e arsimit shqiptar

Shpresa Bejo, një jetë në arsimin shqiptar, duke iu përkushtuar sa historisë të brezave që themeluan gjimnazin e parë të Tiranës, po aq edhe një mjeshtre e arkivës, e dokumentimit të historisë së gjimnazit të parë shtetëror.

Të gjithëve na mbeten në kujtesë njerëz të veçantë, nga ata fare të rrallët të cilët janë po aq të rëndësishëm sa faret në brigjet e deteve ku ankorohen anijet. Drita e tyre rezon në drejtimin tonë, e ajo është sa e domosdoshme po aq edhe frymëzuese.

Është model i burimit të energjisë, pasionit dhe përkushtimit. Quhet Shpresa Bejo. Një jetë në arsimin shqiptar, duke iu përkushtuar sa historisë të brezave që themeluan gjimnazin e parë të Tiranës, po aq edhe një mjeshtre e arkivës, e dokumentimit të historisë së gjimnazit të parë shtetëror, më 1925, kur kryeministri i asaj kohe Ahmet Zogu me anë të një dekreti, urdhëroi çeljen e Liceut të Tiranës.

Të tillë mësues janë ndër të rrallët, e janë pikërisht ata që kur hyjnë në kujtesën e brezave mbeten atje përgjithmonë, me imazhin e tyre të përsosur. As koha dhe asgjë tjetër nuk ka fuqi përballë tyre, pasi fuqia e tyre është ajo e dritës, që tejkalon gjithçka me një shpejtësi të pamatshme nga shkenca.

Telefoni i saj është gjithmonë i hapur, madje edhe tash që ajo i ka përmbushur vitet e punës, dhe kujdeset për nipin e saj, jo vetëm si një gjyshe e dashur, por si një edukatore e jashtëzakonshme. Është modeli i nënës të dëshiruar prej çdo fëmije, ndërsa i biri sot i suksesshëm në fushën e artit kompozon muzikë klasike, dhe është njëkohësisht pedagog në një prej universiteteve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Modestia dhe thjeshtësia e Shpresa Bejos na sfidojnë me urtësinë dhe durimin, pasionin dhe energjinë pozitive që shpërndan. Gjithmonë pas skene, në sallën e madhe të teatrit, si atë mjeshtrin e madh që gjithçka e drejton kah suksesi.

Ajo udhëhiqet nga parime, dhe një prej tyre është pikërisht ky mesazh i Nënë Terezës: “Jo gjithsecili prej nesh mundet të bëjë gjëra të mëdha, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Falë punës të jashtëzakonshme, pasionit dhe vizionit të mësueses Shpresa Bejo, është përmbledhur nga arkivat dokumentacioni sa autentik po aq edhe i rëndësishëmi cili dëshmon historinë Gjimnazit të parë të Tiranës. 

Shpresa Bejo tashmë është pjesë e historisë së arsimit shqiptar, pasi ajo ka ditur jo vetëm ta dokumentojë, por edhe ta shkruajë historinë, për të cilën kemi nevojë të gjithë.

Hapat e zhvillimit të arsimit të mesëm në kryeqytet, dhe në të gjithë vendin, nisën me hapjen e gjimnazit të parë shtetëror, më 1925, kur kryeministri i asaj kohe Ahmet Zogu me anë të një dekreti, urdhëroi çeljen e Liceut të Tiranës. Ky vendim, përpos të tjerave, do të shënonte lindjen e një tradite; një traditë që do të pasqyronte vlerat e një populli arsimdashës e atdhetar.

Shkolla, e çelur fillimisht me një drejtor, katër profesorë, dy mësues dhe njëzetepesë nxënës, do të radhitej ndër vite si shkollë elitare e arsimit kombëtar, duke luajtur një rol të rëndësishëm në progresin e tij.

Mësuesit dhe nxënësit e këtij gjimnazi kanë dhënë një kontribut të paçmueshëm si pjesë e shkencës dhe kulturës shqiptare. Ata kanë qenë njerëz të shquar që kanë bërë emër në fushatë ndryshme duke shkruar kështu me germa të arta historinë e suksesit të këtij gjimnazi.

Pjesë e stafit pedagogjik të kësaj shkolle kanë qenë personalitete të artit, kulturës dhe shkencës shqiptaresi: Mësuesi i popullit Zoti Anton Deda drejtor i shkollës në vitin 1940-1944, Lasgush Poradeci, Nonda Bulka, Abdurrahim Buza, Skënder Luarasi, Arshi Pipa, Vedat Kokona, Anton Mazreku, Minella Karajani, Mark Gurakuqi, Kostandin Trako, Naun Stralla, Lirak Dodbiba, Skender Anamali, Nexhat Hakiu, etj. Tetëmbëdhjetë prej tyre janë "Mësues të Popullit" dhe dymbëdhjetë "Mësues të Merituar".

Të njohura janë tashmë kontributet e kësaj shkolle dhënë edhe për zhvillimin e arsimit shqiptar përmes figurave të njohura të profesorëve Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Aleks Buda, Dhimitër Shuteriqi, Petraq Pepo, Gjergj Canco, Sali Ceka, Qazim Turdiu, Aqif Selfo, Ahmet Gashi, Avni Zajmi, Qamil Bala, Vangjel Gjikondi, Mihal Sherko, Karl Gurakuqi, Hysni Babameto, Safet Butka, Gavril Meksi, Aleko Tashko, Mihal Zallari, Stefan Prifti, Kadri Baboçi, Siri Shapllo, Gaqo Marko, Rudolf Papristo, Fadil Repishti, Sadete Cuci, Ibrahim Babamusta, etj.

Personazhe të njohur të jetës politike dhe shoqërore, si ish-president i Republikës Alfred Moisiu, të cilët arritën të drejtojnë deri në majat e piramidës së shtetit shqiptar, ishin pjesë e këtij gjimnazi. Një kontribut të jashtëzakonshëm dha kjo shkollë, me personalitetet e saj, qofshin nxënës apo mësues, në luftë. Sot ky gjimnaz krenohet me 75 dëshmorët e saj, 13 prej të cilëve "Heronj të Popullit" si : Qemal Stafa, Vasil Shanto, Ali Demi, Themo Vasi, Margarita Tutulani, Shyqyri Ishmi, Shejnaza Juka, Skënder Caci, Asim Zeneli, Manush Alimani, Nazmi Rushiti, Myslim Keta dhe Alqi Kondi.

Në vitet 1947-1948 shkolla mori emrin "Qemal Stafa" në nderim të ish-nxënësit të saj, i vlerësuar për inteligjencën dhe talentin e tij. Për kontributin dhe vlerat e tij, Qemal Stafa, u bë heroi i parë i vendit, për nderin tonë dhe të shkollës.

Që prej krijimit, nga bankat e kësaj shkolle kanë dalë figura me vlera të rralla, të shquara për kontribute të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme të jetës.

Personalitete në shkencë: Profesorët Shefqet Ndroqi, Petrit Radovicka, Alfred Uci, Barjam Peza, Osman Kraja, Adelina Mazreku, Besim Daja, Neritan Ceka, Viktor Kasimati, Egon Gjadri, Spiro Qirko, Taxhedin Baholli dhe Bashkim Baholli, Maksim Cikuli, Artur Zajmi, Kristo Frashëri, etj.

Në fushën e letrave: Jakov Xoxa, Zihni Sako, Mustafa Grablleshi, Dalan Shapllo, Mihal Hanxhari, Dionis Bubani, Petro Zheji, Myzafer Xhaxhiu, Teodor Keko, Gjergj Zheji, Fatos Kongoli, Rita Petro, Mira Meksi, Edmond Tupja, si edhe në gazetari Afërdita Sokoli, Artur Zheji, etj.

Në sport: Skënder Begeja, Besim Fagu, Zihni Gjinali, Dilaver Toptani, Rexhep Spahiu, Enver Maci, Feti Borova, Masar Aga, Miço Papadhopulli, Ramiz Pregja, Agim Fagu, Petrit Dibra, Edra Alibega, Klodeta Gjini, Sulejman Demollari deri tek ish kapiteni i ekipit kombëtar të futbollit Igli Tare.

Artistë të popullit: Naim Frashëri, Sandër Prosi, Pirro Mani, Kujtim Spahivogli, Panajot Kanaci, Vaçe Zela, Violeta Manushi, Prokop Mima, Robert Ndrenika, Janaq Paço, Agim Prodani.

Artistë të Merituar: Enver Birko, Ndriçim Xhepa, Mario Ashiku, Hysen Hakani.

Piktorë të Popullit dhe Piktorë të Merituar: Andrea Kushi, Abdurahim Buza, Sali Shijaku, Ksenofon Dilo, Janaq Paço, Zef Bumçi, Shaban Haderi, Fatmir Haxhiu, Kujtim Buza, Nexhmedin Zajmi, Maks Velo, etj

Sot, shumë nxënës të kësaj shkolle vazhdojnë studimet e larta në universitetet më prestigjioze të botës, ku kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Ndërsa maturantët e këtij gjimnazi janë dalluar për arritjet e tyre duke i dhënë shkollës tituj të rëndësishëm vlerësimi nga instanca të ndryshme.

Gjimnazi "Qemal Stafa" gëzon të gjitha dekoratat dhe titujt që mund t’i jepen një institucioni siç janë :

Urdhri Pune Klasi II.

Urdhri i Lirisë Klasi II.

Urdhri i Flamurit.

Titulli Hero i Punës

Gjatë viteve 2006-2013, nga rezultatet e maturës shtetërore gjimnazit i janë akorduar 3 Prizma të Artë dhe 4  Prizma të Argjendtë.

Me 28 Prill është vlerësuar me çmimin Harku i Triumfit kategoria Gold për vitin 2013, nga organizata më e madhe e vlerësimit të cilësisë BID EUROPE. Ndër 100 kriteret që plotësoi ky gjimnaz ishin cilësi e lartë mësimdhënie, rezultate të larta, trajnim i vazhdueshëm, cilësi në planifikim, komunikim, lidership, përdorim teknologjie e standarde në inovacion, etj. “The European Award for Best Practices” vjen pas çmimit Arch”- kategoria ‘Gold’, ‘Harku i triumfit’ për vitin 2013 në Frankfurt në Gjermani, nga organizata më e madhe ndërkombëtare në vlerësimin e 100 kritereve të menaxhimit të cilësisë totale që i bëhen organizatave publike dhe jopublike në mbarë botën pas një vlerësimi të këtij gjimnazi në 10 vitet e fundit.

(Portali Shkollor)

6,124 Lexime
8 vjet më parë