Programet dhe kushtet e shkollimit në gjimnazin "Eqrem Çabej", Dr.Beqiri: Është shkolla më unike në Kosovë
Në intervistën e dhënë për “Mësuesit kosovarë”, përcjell “Portali Shkollor Albas”, mes të tjerash, drejtori i gjimnazit të Filologjisë "Eqrem Çabej", Prishtinë, Shemsedin Beqiri pretendon se shkolla e tij është unike me programet për shkollim dhe me kushtet që ofron.
Segregacioni i nxënësve shqiptarë, kalimi e organizimi i mësimit në shtëpi–shkolla dhe sfidat për mbijetesën e arsimit shqip, janë vetëm disa nga ngjarjet e viteve 90-të. Këto ngjarje janë shndërruar tashmë në copëza kujtimesh ndër breza, edhe pse, shpesh, sa të ëmbla e sa të hidhura. Në këtë varg ngjarjesh dhe te disa histori suksesesh, sidomos të pasluftës, na kthen Shemsedin Beqiri, drejtor në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë. Në intervistën e dhënë për “Mësuesit kosovarë”, përcjell “Portali shkollor”, mes të tjerash, drejtori Beqiri pretendon se shkolla e tij është unike me programet për shkollim dhe me kushtet që ofron.
Arsimi shqip tashmë ka një histori të veten. Ndër vite e vite mund të konsiderojmë se nuk ka pasur edhe aq fat të mirë. Mësuesit e etapave të ndryshme janë dhe mund të llogariten gjithnjë si dëshmitarët më të denjë për të vërtetuar për problemet dhe për pengesat që po i bëheshin arsimit në Kosovë dhe vetë mësuesve posaçërisht, si në kohë lufte e në kohë paqeje, ndër ta jeni edhe ju. Cilat janë problemet më të theksuara me të cilat dikur është ballafaquar dhe që sot po ashtu po ballafaqohet sistemi arsimor në Kosovë?
Beqiri: Nëse i referohemi zhvillimeve në arsimin shqip gjatë viteve 90-të, është më se e vërtetë se mësuesit shqiptarë ishin bartësit kryesorë të të gjitha zhvillimeve, ishin sakrifikuesit më të mëdhenj, ishin ata të cilët, jo vetëm se nuk po e pranonin nënshtrimin nga pushtuesit serbë të kohës, por ishin edhe sfiduesit e parë të atij regjimi serbo-sllav, qëllimet e të cilit kuptoheshin fare qartë nga të gjithë ne. Pushtuesit serbë jo rastësisht prekën në shkollën shqipe, për ndërtimin e së cilës u sakrifikuam shumë gjatë tërë shekullit XX. Historia e dëshmoi se sulmi ndaj shkollës shqipe kishte pikësynim të sillte zhgënjim në radhë të parë te shqiptarët, që të mos ta ndërtonim jetën në trojet tona, por ta bënim gjetiu, të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Evropës. Pushteti i atëhershëm shqiptarin e shkolluar nuk e donte, atë e luftonte me çdo mjet. Ndihem shumë krenar që i takoj atij brezi mësuesish që kontribuova për aq sa munda, në atë kohë shumë të rëndë për ne si komb. Ishte kohë aspak e lehtë për të gjithë ne. Ne kishim mbështetje të parezervë popullin, sepse ishim në shërbim të tij. Ne nuk dinim të ankoheshim fare, as të frikësoheshim para kërcënimeve fizike që i praktikonte regjimi serb! Nuk mendonim asnjë çast për komoditetet vetjake. Kështu u forcuam, kështu kontribuuam dhe dolëm fitues, dolëm ndërtues të idesë se, arsimimi është jeta jonë, arsimi është e ardhmja jonë. Për ruajtjen dhe për zhvillimin e tij nuk kursejmë asgjë, as jetën! Mund të lë diç pa përmendur, ama arsimi i këtyre viteve ishte sinonim i të gjitha vlerave pozitive të brezave të shumtë para nesh, që e mbajtën gjallë frymën atdhetare duke kontribuuar dhe sakrifikuar edhe jetën, duke mos iu nënshtruar atij regjimi vrasës që nuk kursente mjet pa përdorur për të na nënshtruar dhe zhbërë ne si komb liridashës, duke vrarë dhe burgosur me vite të tëra njerëzit më kryengritës të kohës. Sot jemi më mirë. Sot ne luftojmë jo për mbijetesë, por për progres. Sot ne jemi në çdo aspekt më të organizuar. Sot kemi mbështetje profesionale të institucioneve tona, që i ndërtuam me shumë mund. Kemi një shkollë më të mirë, jo se s’kemi nevojë ta kemi ndryshe, me kushte fare më të mira, me infrastrukturë më komode. Jemi të radhitur krahas zhvillimeve të sistemeve ndërkombëtare të arsimit me vendet që kanë aspirata të avancuara, në ndërtimin e një shkolle më moderne dhe të konkurrueshme me ato vende. Zhvillimet kurrikulare në shkollat tona e dëshmojnë më së miri gatishmërinë që kemi për ndryshim dhe progres. Dikush mund të mos pajtohet me këtë konstatim, por unë jam i prirë të besoj se shkolla jonë nuk është pa të meta, ama nuk është edhe pa të arritura. Është hapave të mëdhenj dhe në drejtime pozitive. Ne kemi humbur shumë hapa, por një nxitim i kujdesshëm na përafron shumë me shkollat e vendeve të ndryshme. Ne kemi këto synime. Mësuesit kosovarë sot kanë arsye të ndihen më ndryshe, më mirë se më parë. Për shkollën sot investohet shumë në përvetësimin e përvojave bashkëkohore të mësimdhënies. Kjo nuk guxon të mohohet. Ne nuk duhet të tërhiqemi nga përpjekjet për të arritur rezultate më të mëdha bashkë me nxënësit tanë. Përjetësisht ndihem krenar që ata i kemi tepër ambiciozë. Ne duhet të mos tërhiqemi, por edhe të mos ndalemi së kontribuuari, duke ofruar përvoja të reja në mësimdhënie para nxënësve tanë. Këtë e kemi obligim, këtë e kemi qëllim.
Ju keni një përvojë goxha të madhe në arsim. Cilat janë disa nga të arriturat gjatë përvojës suaj si mësues gjuhe?
Beqiri: Përcjelljen e çdo zhvillimi pozitiv të arsimit shqip te ne, e vlerësoj arritje të lartë. Kjo gjë ma shtoi përgjegjësinë, që ta kem një qasje më këmbëngulëse para nxënësve, për të cilët s’u kurseva fare gjatë gjithë përvojës sime. Pata gatishmërinë t’i mbështes, t’i ndihmoj dhe t’i orientoj me kreativitet në orientimet jetësore të tyre. Në aspektin profesional kisha një përgjegjësi të dyfishtë. Kisha përgjegjësi se si të arrij te ta të ndikoj në kultivimin e një kulture shprehëse dhe gjuhësore sa më progresive, me idenë e ngritjes së ndjenjës së atdhedashurisë dhe të dëshirës për studim në karrierën e tyre jetësore. Kultivimi i gjuhës doja të kuptohej si kontribut e më shumë si përgjegjësi nga të gjithë. Sot krenohem se shumë nga nxënësit me të cilët kam kontakte ta thonë me admirim për gjithë kontributin dhe ndihmën profesionale të dhënë për ta. Misionin e mësuesit me kohë e kuptova drejt. Atë vijova ta kem qëllim parësor gjatë kryerjes së punës së mësuesit pa rezervë. Nuk parapëlqeva kurrë të flas për veten time. Zgjodha rrugën e sakrificës dhe të kontributit, me dëshirë. Ua lashë të tjerëve ta vlerësojnë.
Falë përkushtimit dhe rezultateve të larta që keni treguar me nxënësit në shkollat ku keni punuar me nxënësit më parë, ju morët një pozitë të re. Si e pritët emërimin tuaj drejtor në njërin nga gjimnazet më me emër në kryeqytet? Ç’mendim kishit në ato çaste? Ishin çaste gëzimi? Po të sikletshme?
Beqiri: Me vullnet të lartë kontribuova në shkollën e cila ishte kryefjala e arsimit shqip në Kosovë, për 21 vjet me radhë, në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë. Unë, personalisht, kurrë nuk e kam parë shkollën të ndarë si një ishull në mes të detit. I rëndësishëm është fakti që t’i duam ato njësoj, pa dallim. Të gjitha kanë peshë të njëjtë për mua. Ato i pasuron dhe i zbukuron rinia jonë e mrekullueshme.
Ndërrimi i vendit të punës ishte i papritur për mua. Tingëllon jo këndshëm të thuhet, por është fakt se nuk kam pasur fare ambicie të udhëheq me shkollën. M’u ndryshua bindja se duhej të kontribuoj vetëm në mësimdhënie. Nuk e kisha të lehtë, sepse isha përjetësisht i lidhur me punën time profesionale. Bindja se mësimdhënia është art, ka kuptim. Nuk do ta kem të vështirë që edhe udhëheqjen ta shndërroj në bindje të tillë. Marrjen e detyrës së re, të them të drejtën, e kuptoj si një obligim shtesë për mua, obligim të dyfishtë. Besimin e shprehur nga instancat komunale lehtësisht e shndërrova në përgjegjësi, asgjë tjetër. Në shkollën e re gjeta një ngrohtësi dhe gatishmëri të lartë për punë. E kam njohur pjesën më të madhe të kolektivit të Gjimnazit të Filologjisë “Eqrem Çabej” në takimet bashkëpunuese të udhëhequra nga DKA-ja, pjesë e të cilit jam për dy vjet rresht, ku fitova një përvojë bashkëpunuese shtesë. Është kënaqësi të hasësh në një gatishmëri të tillë bashkëpunuese, siç e gjeta në kolektivin e ri. Është motiv që të nxitë të mos kursesh asgjë për t’i ndihmuar dhe për t’i mbështetur. Për pak ditë kuptova se këtu bëhet punë e çmueshme nga të gjithë mësimdhënësit. Ky fakt më motivon që të mos e kursej fare në angazhimet profesionale dhe udhëheqëse. Ky është vullneti im, ky është orientimi im. Është pikësynimi im që emri i gjimnazit, “Eqrem Çabej”, të shndërrohet në sinonim suksesi, të bëhet shtylla kryesore e përparimit të shkollave të vendit tonë. Nuk ka gjë të paarritshme. Mjafton t’i qartësosh qëllimet. Kjo gjë bashkërisht me lehtësi mund të ndodhë dhe jam plotësisht i bindur se do të ndodhë!
Sa duhet të jesh i përgatitur për të qenë një drejtues ideal? Çfarë e karakterizon atë? Cili është çelësi i suksesit? Duhet të kesh guxim? Po të druhesh, duhet?
Beqiri: Asnjeri nuk mund të bëhet drejtues ideal, i duhen shumë përpjekje për të arritur deri në këtë pikë. Mjafton të ketë qasje dhe trajtim të drejtë për çdo çështje, t’i trajtojë të gjithë me përshtypjen se është duke ndihmuar e jo duke i vlerësuar me sy kritik. Autoriteti i drejtorit duhet të jetë i pahetueshëm, duhet të sjellë kreativitet dhe mbështetje ndaj mësimdhënësve dhe ndaj nxënësve. Drejtori nuk guxon të jetë me prirje vetjake. Duhet t’i dëgjojë me shumë kujdes idetë e të tjerëve, sepse ato kanë vlerë, kanë rëndësi. Ato mund të jenë nesër fillim i realizimeve të projekteve të mëdha në dobi të shkollës. Siguria se punon drejt dhe në bashkëpunim me kolektivin ku punon, ta shton zellin për punë, ta rritë gatishmërinë të mos i largohesh fare përgjegjësisë ndaj sfidave dhe të bën të përballesh me ato në çdo çast. Besoj se çdo punë, po i hyre me frikë duke e menduar dështimin, sigurisht se nuk do të kesh sukses në kryerjen e saj. Duhet gjithnjë ta mendosh veç progresin dhe të përpiqesh për të. Për këtë të duhet përgatitje e lartë e udhëheqjes, vendosmëri, guxim dhe bashkëpunim.
Çfarë ka risi në këtë shkollën tuaj tani? Çfarë keni arritur të ndryshoni nën drejtimin tuaj? Çfarë kishte nevojë që të ndryshonit më shumë?
Beqiri: Këtu, jo se bëra ndonjë mrekulli, por sapo mora detyrën, iu rreka punës. Ofrimi i mundësive për të gjithë nxënësit pa dallim, që të kenë qasje të barabartë në kabinetet që ka shkolla, krijoi nevojën e investimit të ngutshëm. Kjo mundësi nuk ishte më parë, veçanërisht për nxënësit me aftësi ndryshe. Tani e tutje, e tërë hapësira shkollore është më funksionale me ofrimin e mundësive për të gjithë. Në shumicën e lëndëve do të zhvillohet mësimi kabinetik. Do të jetë në funksion edhe salla e testeve. Me një fjalë, nxënësit që ka shkolla, por edhe ata të cilët mendojnë të vijnë këtë vit në klasën e dhjetë, do të kenë hapësirë funksionale shumë më ndryshe nga vitet e mëparshme. Interesimi veç ka filluar të shfaqet ende pa filluar regjistrimi këtu. Çdo ditë më shkruajnë mesazhe, çdo ditë ka të atillë që vijnë në shkollë ende pa filluar regjistrimi për të mësuar më shumë për kushtet dhe mundësitë që ofron shkolla. Kjo na jep kurajën dukshëm. Besoj se ky interesim do të ndikojë dukshëm në rritjen e konkurrencës progresive këtu, që është vlerë për ne.
Sa nxënës numëron shkolla?
Beqiri: Gjimnazi “Eqrem Çabej” në Prishtinë numëron rreth 750 nxënës. Mësimi për ta zhvillohet në një ndërresë, të shpërndarë në 24 paralele.
Nga sot do të bëhet edhe pranimi i nxënësve të rinj nëpër gjimnaze dhe nëpër shkolla profesionale. Ç’mendim keni ju për kriteret që janë vendosur për nxënësit?
Beqiri: Situata e pandemisë globale Covid-19 shtrëngoi institucionet tona arsimore të vendosin kështu. Kriteret nuk janë të reja, janë po ato që i kishim edhe viteve të tjera veçse janë të reduktuara për t’iu përshtatur rrethanave aktuale. Kriter i ri është llogaritja me pikë e aktiviteteve jashtëshkollore të nxënësve. Besoj se nuk do ta kemi të vështirë përzgjedhjen e nxënësve.
Përse nxënësit duhet të regjistrohen në shkollën që ju e drejtoni? Çfarë e bën të pëlqyeshme e të veçantë atë?
Beqiri: Ka shumë arsye dhe motiv për të gjithë ata që vendosin arritjen e sukseseve në shkollimin e mesëm të lartë. Shkolla jonë ofron mundësi të shumta. Kushtet për të nxënë njohuri të reja, këtu janë ideale. Duke filluar nga mësimdhënësit, që kanë një përkushtim dhe përgatitje të lartë për punë. Hapësira e favorshme e zhvillimit të mësimit kabinetik, salla dhe fusha sportive, janë ambiente të kënaqshme për të zhvilluar aktivitete mësimore me interes për nxënësit. Se vërtet është punuar dhe punohet gjithnjë në shkollën tonë, dëshmohet nga rezultatet e larta të arritura nga nxënësit tanë. Nxënësit e rinj duhet ta dinë se gjimnazi ka program të veçantë shkollimi që nuk e ka asnjë shkollë në Kosovë. Këtu në fokus është mësimi i gjuhëve, që nuk është diku tjetër. Fondi orëve të gjuhëve ndryshon prej shkollave të tjera. Ky fakt u ofron mundësi të shumta nxënësve të rinj që të orientohen pa mëdyshje këtu. Gjuha gjermane, përpos si gjuhë e dytë e huaj, mësohet me program të veçantë shtesë. Më parë shkolla kishte të angazhuar profesorë gjermanë në këtë program, ndërsa sot mësimi mbahet suksesshëm nga profesorët e gjimnazit tonë. Shumica e nxënësve tanë certifikohen në këtë program me vlerësim të njëjtë me të nxënësve gjermanë në Gjermani. Certifikimi, ata, i barazon në konkurrim studimi me nxënësit gjermanë në çdo universitet të Evropës. Ky sukses duhet çmuar, duhet të ndiqet nga të gjithë ata që kanë ambicie për t’i arritur majat e suksesit. Falë angazhimit të pakursyer nga të gjithë, nxënësit tanë, jo veçse ishin pjesëmarrës në aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore edhe në arenën kombëtare e ndërkombëtare, por treguan rezultate të larta aty, duke na bërë të ndihemi krenarë me ta. Edhe në fakultetet tona, nxënësit tanë listohen suksesshëm në drejtime të ndryshme. Me një fjalë, përgatitja e tyre për studim duhet të kuptohet si nxitje reale e orientimit pa dilema. Ne si gjithmonë i mirëpresim nxënësit e rinj në klasën e dhjetë.
A keni ndër mend ta realizoni tani ndonjë projekt të ri në dobi të shkollës?
Beqiri: Po. Planifikohet ende pasurimi i kabineteve që ka shkolla me mjete konkretizimi, shtimin e fondit të librave të bibliotekës, të pasurimit të mjeteve sportive në sallën e sporteve etj. Do të përpiqemi pa u ndalur fare në krijimin e kushteve më të volitshme, me qëllim që nxënësit ta ndiejnë veten më mirë në ambientet e shkollës ku do të zhvillohet mësimi për ta. Këtë e kam prioritet.
Vetëm se jemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor dhe ende nuk dihet qartë për realizimin e mësimit. Cilat probleme mendoni se do ta përcjellin këtë vit shkollor? Sa do të jetë i vështirë ose edhe i frytshëm për personelin arsimor dhe për nxënësit kudo në Kosovë? Keni ndonjë urim? Cili do të ishte ai?
Beqiri: Vlerësoj dhe besoj në koordinimin institucional të zhvillimeve më të reja në shkollat tona. Tashmë nuk ka justifikime. Situata pandemike nuk është e re për ne. Ne mbajtëm një etapë të vitit të shkuar shkollor. Nuk e patëm aspak të lehtë, sepse ishte situatë me të cilën nuk ishim sprovuar më parë. Edhe për këtë vit, uroj që gjithçka të fillojë mbarë! Tashmë është një planifikim më i kënaqshëm për secilin nga variantet e menduara për t’u realizuar nga MASh-i. Organizimi në kushte pandemie shpresoj se do të mendohet dhe të planifikohet mirë. Vlerësoj se do t’ia dalim mbarë, edhe pse para vetes kemi një sfidë të përmasave globale. Në fokus do ta kemi ruajtjen e shëndetit për nxënësit dhe për mësimdhënësit tanë. Shpresoj se kjo do të ndodhë deri në çastin e lënies mbrapa të pandemisë! Shfrytëzoj rastin që, të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, kudo në Kosovë, t’i uroj për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor! Le të përfillen këshillat e IKShPK-së dhe të institucioneve tona arsimore, sepse ato janë për të mirën tonë, të familjeve tona, të së ardhmes sonë...
Gjimnazi i Filologjisë "Eqrem Çabej", Prishtinë
Intervistoi: Mentor Hajrizi
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër falenderuese mësuesit
Urim për nxënësit e mi!
Për Klodin: Një udhëtim i paharruar mirësie...