Gjuha shqipe

Shpërndarja e përqendruar e kërkimit gjuhësor

"...sot kemi vetëm një gjuhësi kumtesore, arritjet e së cilës edhe kur kanë vlera shkencore, humbasin në vëllime pa fund, që prehen të qeta nëpër biblioteka, sepse askush nuk u referohet, askush nuk ua ka nevojën, me përjashtim ..."

Gjuhësia shqiptare ka qenë një zonjë e rëndë, por sot është një zonjë e rënë. Çfarë ka ndodhur? Një dorë njerëzish me mendësi primitive, krahinore dhe antishkencore shfrytëzuan rrëzimin e diktaturës ushtarake të Enver Hoxhës, diçka që ishte domosdoshmëri historike, për t’u bërë protagonistë shkurtabiqë të rrëzimit edhe të gjuhës standarde. Me këto synime ata shkatërruan edhe institucionet gjuhësore, që e kishin përpunuar shqipen standarde, duke vijuar punën e atdhetarëve gjatë shekujve për të ngulitur shqipen e shkruar. Ata dështuan në rropatjet për ta rrëzuar shqipen standarde dhe të gjithë e shohin se si ajo së shpejti do të festojë një përvjetor prej gjysmë shekulli. Por sa për institucionet, patën sukses dhe në ditët tona nuk ka asnjë autoritet të pranuar për problematikën e gjerë të kësaj fushe, e cila ka të bëjë jo thjesht me punën e përditshme të cilitdo që ulet të shkruajë, e në radhë të parë me veprimtarinë shkresore të shtetit, as edhe thjesht me kërkesat e arsimit, por ndërthuret me mbrojtjen e identitetit kombëtar. 


Përfundimisht, sot kemi vetëm një gjuhësi kumtesore, arritjet e së cilës edhe kur kanë vlera shkencore, humbasin në vëllime pa fund, që prehen të qeta nëpër biblioteka, sepse askush nuk u referohet, askush nuk ua ka nevojën, me përjashtim të atyre që duan të marrin ca grada kinse shkencore. Me keqardhje e them, se edhe albanologjia e huaj tashmë nuk i vlerëson punimet tona, nuk shfrytëzon revistat tona shkencore, të cilat prinin në hulumtimet e kësaj fushe.


Nga ana e jashtme duket, siç do ta thosha me një term të diskredituar të dikurshëm, sikur ka një masivizim të shkencës, meqë në një numër jo të vogël qytetesh kemi departamente dhe një lumë disertacionesh e diskutimesh me ngjyrë politike. Për të mos vazhduar me kritikën e gjendjes së tanishme, besoj se ka më shumë rëndësi të shtrojmë pyetjen: cila do të ishte rrugëdalja, cila do të ishte perspektiva, çfarë duhet ndërmarrë?


Për ta kapërcyer këtë gjendje, hapi i parë është ta shohim atë objektivisht. Rrjedhimi më i dukshëm i saj është shpërndarja e kërkimit gjuhësor dhe për pasojë, kudo merren me gjithçka ka të bëjë me gjuhën shqipe, domethënë çdo departament e çdo konferencë merret me të gjitha temat e mundshme. Me përjashtim të rasteve individuale, të cilat do të gjallojnë kurdoherë edhe në kushtet më të pafavorshme, nuk kemi specialistë ose organizime të specializuara dhe prej këndej, nuk kemi sinteza përgjithësuese, të cilat edhe ruajnë vazhdimësinë, edhe hapin perspektiva të mëtejshme, edhe ndihmojnë praktikën dhe kulturën. Do të ripohojmë se ka një shpërndarje të gjurmimeve në këtë shkencë. A do të thotë kjo, se zgjidhja është të kthehemi përsëri te përqendrimi vetëm në ndonjë institucion? Mendoj se kjo së pari, nuk është e mundshme praktikisht për shumë arsye, madje menjëherë do të dëgjonim zërat e analistëve, se kjo do të ishte shkelje e lirisë akademike. Pa u zgjatur me përimtime të panevojshme këtu, do të shprehem se shpërndarjen do ta pranojmë. Por për ta ndryshuar gjendjen, do të propozoja një formulë, që mund të duket kontradiktore: do të zbatojmë shpërndarjen e përqendruar. Këtë ide do ta shpjegoj konkretisht.


Mund ta nisim me dialektologjinë. Pas një arritjeje madhore, siç ka qenë Atlasi dialektologjik, është e ngutshme të vijojmë me gjurmimet dialektologjike për shkak të proceseve shumë të vrullshme si pasojë e lëvizjeve të mëdha demografike brenda vendit dhe të mërgimeve masive në vendet e huaja. Mjafton t’ju vë në dijeni, se studiues të huaj po vijnë në Shqipëri dhe po regjistrojnë edhe thërrmija prej disa vetash, që flasin të folmen e ndonjë gjuhe të huaj në trevat tona dhe pastaj disa prej tyre, me qëllime jo të mbara, i përdorin studimet e tyre për të goditur diçka nga historia jonë. Ne nuk jemi të përgatitur nga asnjë pikëpamje për të dhënë gjykimin tonë shkencor e historik rreth pakicave shumë të vogla të të folmeve në gjuhë të tjera benda trevave shqiptare. Pasi të kuptohet se këtu kemi një fushë të nevojshme kërkimesh, nuk do të kërkoja që të kthehemi te modeli i dikurshëm, domethënë që për këtë të ketë një sektor me nëpunës në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë. Fare mirë për këtë disiplinë mund të bëhej qendër, ta zëmë, departamenti i gjuhës në Shkodër. Atje le të përgatiten kërkuesit, le të krijohet baza shkencore, domethënë biblioteka e specializuar, kartotekat, po sidomos një laborator me teknikën moderne, që ta kapërcejmë metodën krejt të vjetruar të përshkrimit me vesh, kur sot ka një teknologji të përparuar regjistrimi dhe përpunimi. Pedagogët e atij departamenti nuk ka përse të merren me gjithfarë aspektesh të tjera, por të specializohen pa ndërprerje dhe me kohë do të kishim një qendër me autoritet, së cilës mund t’i drejtohemi. Do të kishim ndihmesat tona edhe në kornizën e ballkanologjisë. Po në këtë punë do të përfshiheshin studentët dhe të gjithë ata ngado qofshin, që do të shkruanin disertacione për dialektologjinë, ndërsa atje të mbroheshin këto disertacione përpara njerëzve specialistë. 


Edhe studentët e gjuhëve ballkanike me pedagogët e tyre do ta gjenin veten në këtë lëmë.

Ne jemi prapa me studimet për fonetikën e shqipes. Po e them me hamendje, se këtë fushë do ta mbulonte departamenti në Universitetin e Durrësit, apo do të ishte po ashtu pranë atij të Shkodrës. Hapi i parë është të merret një laborator fonetik. Ai kushton shumë, megjithatë nuk kam dyshim se mund të bënim të interesuar biznesmenë të caktuar që të financonin pjesërisht bashkë me shtetin. Po aty krijohet mundësia për të themeluar degën e mjekësisë për shërimin e fëmijëve me cene të të folurit. Më lejoni t’ju vë në dijeni për diçka. Sot në Gjermani një varg gjuhëtarësh i kanë lënë kumtesat dhe merren pikërisht me trajtimin e fëmijëve që lindin me patologji të të folurit. Që të jemi brenda parametrave të ditës, është një degë mjaft fitimprurëse dhe do të mbështeste edhe kërkimin fonetik.


Ne jemi të prapambetur në fushën e sintaksës. Arsyeja është se pjesa e sintaksës së përgatitur në Institutin e dikurshëm të Akademisë së Shkencave, qysh në kohën kur doli ishte larg arritjeve të gjuhësisë bashkëkohore dhe është e çuditshme, që një vepër e tillë u ribotua vetëm dhjetë vjet më parë. Duke e ndier këtë, disa gjuhëtarë iu përveshën punës dhe tashmë janë botuar katër sintaksa. Kjo është diçka shpresëdhënëse, domethënë nuk është e gjithë tabloja e errët. Por kështu është përftuar një problem i ri: duke pasur një larmi trajtimesh, cili do të zgjidhet si më i përparuari për të shpjeguar ndërtimin e thënieve të shqipes, sepse na duhet si për të përpunuar më tej gjuhën standarde, ashtu edhe për të pasur një zgjidhje për mësimin deri në shkollën e mesme. Le të themi se kjo punë do të përqendrohej në Vlorë dhe nuk po përsëris se çfarë hulumtimesh të tjera të specializuara do të ndërmerreshin si për rastet e tjera të mësipërme.


Ne jemi mjaft keq me fushën e gjuhësisë kompjuterike. Kjo është e lidhur ngushtë me përkthimin me makinë. Mjafton të vë në dukje, se duke kërkuar të hyjmë në Bashkimin Europian, duhet doemos të përgatitemi për përkthimin me makinë, siç është përpunuar për gjuhët e tjera, që të përballohet vëllimi jashtëzakonisht i madh i përkthimeve të përditshme. Çfarë do ta pengonte, të themi Universitetin e Korçës, të dërgonte për specializim dy-tre veta dhe pastaj këta të ngrinin qendrën e posaçme, e cila gjithashtu do të ndihmonte sektorë të tjerë dhe me përfitime financiare.


Departamenti i gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës do të bëhej qendra për kërkimet në fushën e mësimdhënies së gjuhës. Aty do të arrihej edhe shqyrtimi i teksteve mësimore për shqipen në shkollë, si edhe do të hartoheshin programet për rikualifikimin periodik të mësuesve dhe kualifikimin e redaktorëve ose të punonjësve të tjerë të nevojshëm për arsye të tjera.


Departamentet e gjuhëve të huaja gjithashtu do të kishin për detyrë të përpunonin metodikat e mësimit të gjuhëve përkatëse, të punonin për përmirësimin e teksteve mësimore, të merreshin me përqasjet e gjuhëve përkatëse me shqipen për të ndihmuar shkollën dhe praktikën e përkthimit. Njëkohësisht, çdo disa vjet mund të organizonin konferenca për zhvillimet e gjuhësisë në vendet përkatëse. Kështu, departamenti i gjermanishtes do të na na vinte në dijeni periodikisht, se çfarë drejtimesh përpunohen në gjuhësinë gjermane për gramatikën, për semasiologjinë, për sociolinguistikën, për pragmatikën e kështu më tej, duke mos lejuar që të mbetemi fare larg zhvillimeve të sotme shkencore.


Nuk po zgjatem po në këtë hulli me degët e tjera dhe me qendrat e ndryshme, që do t’i merrnin përsipër dhe kështu do të kishim pikërisht një shpërndarje të kërkimit, por të përqendruar në ekipe të specializuara, të cilat do ta ndiqnin punën duke e thelluar me vazhdimësi.


Ka një detyrë madhore, e cila kërkon të ngrihet një Institut i Fjalorit të Shqipes. Jemi i vetmi vend në Europë, që nuk e ka një qendër të tillë dhe që nuk e vijon punën akademike për leksikun e gjuhës së vet dhe prandaj nuk boton fjalorë me autoritet akademik, të cilët janë të nevojshëm deri edhe për praktikën gjyqësore. Po aty do të përqendrohej drejtimi i punës me terminologjinë për të mbërritur te një Komision Shtetëror i Terminologjisë në bashkëpunim me gjuhëtarë, i cili është i domosdoshëm në kohën e zhvillimeve të vrullshme shkencore e teknologjike dhe mungesa e tij pengon deri edhe tregtinë, edhe marrëdhëniet e ndryshme me vendet e tjera. Nuk mund ta lë pa përmendur atë që quhet Academia della Crusca në Itali, e cila ka pesë shekuj që e ndjek leksikun e italishtes dhe i dëgjohet fjala me adhurim. Instituti i Fjalorit do të fillonte me ndërtimin e një Kartoteke të Leksikut të Shqipes  me metodat e reja, ndërsa do të shfrytëzonte edhe Kartotekën e vjetër, e cila në tridhjetë vjetët e fundit është lënë pas dore, është mbushur me gjëra të pavlerë, aq sa do të thosha që një e treta e skedave të saj duhen hequr. Prej vitit 1980 është ribotuar disa herë Fjalori i gjuhës shqipe, por puna leksikografike ka shkuar duke u degraduar dhe as ajo kartotekë nuk është shfrytëzuar. Po kufizohem të vë në dukje vetëm një shembull tejet domethënës, se në ribotimin e vitit 2006 fjalët “imperializëm” dhe “ekzistencializëm” janë përkufizuar sipas fjalorëve rusë të epokës sovjetike.


Me një kartotekë të re do të ndihmoheshin edhe studimet për historinë e shqipes, ndër të cilat vend qendror zë etimologjia. Të paktën t’u vihet një ledh marrëzive kinse etimologjike që botohen në shtypin e përditshëm, marrëzi që na turpërojnë përballë mendimit shkencor europian.


Siç shihet edhe me kaq, ka mundësi për një vështrim tjetër. Hapi i domosdoshëm është t’i jepet fund kakofonisë kumtesore, e cila është një vetëmashtrim se po bëhet shkencë. Konferencat shkencore nga parada që janë tashti, në të cilat secili lexon diçka para një auditori që pothuajse nuk interesohet,  do të shndërroheshin në mbledhje me një numër të kufizuar kumtuesish, për paraqitjet e të cilëve të bëhen detyrimisht diskutime serioze, sepse në Shqipëri ka ardhur dita që nuk guxon më njeri të shprehë një kundërshtim të argumentuar, pasi menjëherë gjendet para një sulmi që nuk ka të bëjë aspak me etikën shkencore. Natyrisht, e vura në dukje që kushdo ka të drejtë të merret me lëmin që i intereson, por unë e kam fjalën për punën e organizuar në të mirë të përparimit shkencor dhe në interes jo të dikujt, por të kombit, të shtetit, të shkollës, të praktikës, të marrëdhënieve ndërkombëtare. Departamentet përkatëse çdo dy-tre vjet do të organizonin konferencat e tyre të detyrueshme rreth objektit të përcaktuar, ku do të mbaheshin kumtesa po rreth asaj tematike, me diskutime e kundërshtime dhe atëherë do të shpreheshim se vërtet nëpër universitete bëhet punë shkencore me arritje të vijueshme, të dukshme dhe që e meritojnë financimin.


Për ta vënë në praktikë këtë drejtim, do të dëshiroja që së pari të mblidhej një konferencë kombëtare e gjuhësisë shqiptare. Aty të mos vinin disa kumtestarë, por të vinin gjithë departamentet e institucionet përkatëse me propozime konkrete se për cilën fushë do të kërkonin të specializoheshin, çfarë projektesh do të kishin, si do ta zhvillonin veprimtarinë dhe prej këndej, çfarë do ta kryenin me burimet e veta dhe çfarë financimesh do të kërkoheshin. Shkenca bëhet me projekte të përpunuara, me afate, me burime njerëzore e financiare. Nga një konferencë e tillë do të arrihej te një parashtresë, që do të kalonte për shqyrtim e miratim nga organet shtetërore dhe me kohë do të merrte formë të përcaktuar e të njohur. Unë jam për bërthama kërkimore, me projekte dhe me specialistë të përkushtuar, jo për anarkinë e sotme kinse shkencore. Kjo do t’i jepte mundësi shtetit të kishte një tablo tërësore, jo një institucion të vetëm me nëpunës, si dhe do të mund të kontrollonte se si shpenzohen fondet për shkencën në këtë fushë.


Unë kam besim se gjuhësia shqiptare do të rimëkëmbet, do të japë fryte me të cilat do të dalë e përgatitur edhe në arenën e shkencës europiane dhe sidomos do të rifitojë autoritetin që e meriton në shërbim të kulturës shqiptare dhe të identitetit kombëtar.


(Prof. Xhevat Lloshi)

1,967 Lexime
7 vjet më parë