Aktualitet

Shkolla e fshatit në Funarës të Librazhdit e shkatërruar, nxënësit mësojnë në ambientet e një lokali, pranë kanë bilardo

Shkolla e fshatit Funarës në Librazhd e shkatërruar, prindërit në protestë: Nuk i çojmë më fëmijët të bëjnë mësim në bodrume dhe lokale, të rindërtohet.

Fëmijët e fshatit Funarës në Librazhd nuk kanë shkuar në shkollë dhe ende nuk e kanë marrë lapsin në duar për të shkruar. Shkak është mungesa e shkollës, pasi aktualja është jashtë funksioni pasi u dëmtua në tërmetin e 2019.


Shkollës iu vënë kyçi nga autoritetet për shkak të dëmtimeve nga tërmeti dhe nuk mund të zhvillohet mësim si dhe ambientet që përdoren aktualisht. Për shkollën ekzistuese u mor vendimi për ta mbyllur, deri në një moment të dytë kur të vendosej se çfarë do bëhej me shkollën, nxënësit do zhvillonin mësim në ambiente alternative. Prindërit kanë pranuar fillimisht, por kjo situatë vijon prej 4 vitesh dhe ata tashmë kërkojnë shkollën për të çuar fëmijët e tyre.


“Shkolla më e afërt është 4 km. Meqë ka kaq vite që na gënjejnë ne nuk do t’i çojmë fëmijët në shkollë. Nuk pranojmë asnjë kompromis tjetër, duam të bëhet funksionale shkolla”, thanë prindërit.

Një tjetër deklaroi se fëmijët kanë mungesë të theksuar njohurish pasi klasat janë bashkuar.


“Niveli i arsimit është copë-copë sepse bëjnë mësim në klasa të bashkuara. Fëmijët tanë janë analfabetë”, tha një nënë.

“Gjithë pensionin e kam lënë për nipat. Kanë marrë shtëpi me qira dhe rrinë në Librazhd. Çfarë të them. Shkolla është komplet jashtë kushteve”, u shpreh një gjyshe.


“Kam dy fëmijë, nuk i sjell dot në shkollë. Nuk po kërkojmë gjë për vete, as punë. Do marrim rrugët, por për fëmijët shkolla duhet”, tha një tjetër prind.


Ndërsa një mësuese pranoi situatën problematike dhe tha se prindërit kanë të drejtë, por se fëmijët duhet të shkojnë në shkollë.

“Kam 40 vjet mësuese këtu. Jam ndjerë shumë keq ditën e parë kur nuk kisha asnjë nxënëse dhe nuk përjetuam asnjë emocion. Ambientet ku jemi janë të papërshtatshme, janë skandaloze, por ama fëmijët pa shkollë nuk mund të rrinë. Unë kam ardhur dhe ditët e pushimit me kolegët për të sistemuar klasën. Këtu kam 6 nxënës të klasës së parë. Prindërit kanë të drejtë dhe ne i mbështesim, por fëmijët duhet të mësojnë, puna nga ne nuk mungon”, tha një mësuese.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

959 Lexime
1 vit më parë