OPINION

Shkolla dhe detyra e edukimit të integruar të nxënësve

Në kohën e sotme shkolla ka detyrë imperative (urgjente) që të edukojë të rinjtë duke u mësuar atyre rregullat e bashkekzistencës paqësore, të mirëkuptimit reciprok dhe tolerancës së ndërsjellët.

Shkolla është sot një nga institucionet që shfaqet me një problematikë komplekse socio-pedagogjike dhe që përballet me shumë vështirësi që janë në zgjerim dhe me intensitet të lartë për familjen dhe shoqërinë.


Padyshim është fare e vërtetë që shkolla ka pësuar rupture pedagogjike dhe sidomos edukative në shumë aspekte, që kanë cenuar integritetin social pedagogjik të këtij institucioni. 

I cili është me rëndësi të veçantë për edukimin e brezave të rinj, zgjerimin e hapësirave të sigurisë morale qytetare të nxënësve. Mungesa e sinkronizimit të komponentëve të integritetit socio-pedagogjik, shndërrimit mekanik i përgjegjësive ontologjike të saj në një “duel pedagogjik” përgjegjësish të “ndara” midis mësuesit dhe nxënësit, ka ulur shumë koeficientin e rezultateve, sidomos në optikën e “kuotave të edukimit” shkollor. 

Shikimi në bllok dhe trajtimi holistik i problematikave të nxënësve, mungesa e përgjegjësisë edukative, indiferenca e mësuesit në shkollë dhe e prindit në shtëpi janë pengesë serioze përballë detyrës së përbashkët, për të bërë diagnoza të diferencuara të problemeve që kanë nxënësit individualisht. Vetëm mbi këtë bazë bashkëpunimi e kooperimi socio-pedagogjik bëhet i mundur pastaj trajtimi i nxënësve përmes një procesi kompakt edukativ, duke e bërë atë proces të individualizuar, të shoqëruar edhe me ndërhyrjeve të personalizuara. Kjo mungesë e dukshme e punës së integruar duket qartë që e ka cenuar rëndë rolin social dhe autoritetin edukativ të shkollës shqiptare. 

Ky konstatim është fare i lehtë kur shikon situatën që zhvillohet në shkollat tona. Të rinj të paedukuar, pa sens qytetar, të dhunshëm, agresivë, bulliste e ngacmues seksualë, përdorues të drogës dhe alkoolit, takohen gati çdo ditë në ambientet e shkollave tona. Ndërkaq “ping-pongu” i përgjegjësive në raportet mësues-prind, indiferenca bilaterale është bërë një “qyrk” i madh përgjegjësish, të cilin me një lloj indiference nuk pranon ta “veshë” as shkolla as familja. Një gjë është e sigurt. Në kohën e sotme shkolla ka detyrë imperative që të edukojë të rinjtë duke u mësuar atyre rregullat e bashkekzistencës paqësore, të mirëkuptimit reciprok dhe tolerancës së ndërsjellët.


Gëzim TUSHI

Sociolog, Mjeshtër i Madh


(Portali Shkollor) 

4,170 Lexime
4 vjet më parë