Shahini: më 18 maj hapet shkolla vetëm për maturantët, për të tjerët vazhdon mësimi online
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka deklaruar se provimet e maturës shtetërore do të mbahen mes datës 8-18 qershor 2020. Ndërkohë provimet e klasave të pesta dhe të nënta do të anulohen.
Më në fund nga Ministria e Arsimit kanë dalë plane të detajuara për mbylljen e vitit shkollor 2019-2020.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë ministrja Besa Shahini ka deklaruar se “për shkak të provimit të maturës për maturantët, kemi vendosur të hapim shkollat vetëm për klasën e 12-të për një periudhë 3 javore nga 18 maj deri në 5 qershor, ku do të punohet për mësimet që nuk mundet të zhvillohen online”.
Por mësimi online do të vazhdojë për pjesën tjetër të nxënësve, ndërsa provimet klasave të 5-ta dhe të 9-ta do të anulohen. Në dy javët e qershorit do të bëhet mbyllja e vlerësimeve të nxënësve.
Ministrja Shahini ka dhënë edhe detaje të tjera për mënyrën se si do ta zhvillojnë maturantët mësimin dhe provimet. Kështu, në një klasë do të ketë vetëm 15 nxënës, ndërsa do të respektohet distanca 1.5 metra. Si orë mësimore, maturanët do të zhvillojën vetëm lëndët që kanë provim.
Në fund ministrja Shahini ka falënderuar mësuesit, prindërit por edhe nxënësit për rregullat që kanë respektuar dhe për udhëzimet e dala nga dikasteri i saj.
Më poshtë pikat më të rëndësishme të deklaratës së plotë të ministres Shahini mbi provimet e maturës dhe mbylljen e vitit shkollor 2019-2020.
• Shkollat do të hapen vetëm për maturantët nga periudha 18 maj deri me 5 qershor, nën rregulla strikte të higjienës dhe distancimit social;
• Provimet e Maturës Shtetërore do të mbahen mes datave 8-18 qershor, më të reduktuara dhe sipas plan-programeve të reja;
• Nga data 4 maj e në vijim maturantët do të përqëndrohen në zhvillimin e temave që do të përfshihen në provimin e maturës;
• Masat e marra dhe afatet kohore nuk do të ndikojnë në aplikimet dhe regjistrimet në universitet si brenda po ashtu edhe jashtë vendit;
•Provimet e klasave të 5-ta dhe 9-ta nuk do të zhvillohen;
• Mësimi online vijon deri më 29 maj, më pas, në dy javët e para të qershorit do të mbyllen vlerësimet e fundvitit.
(N.Allkja Biçaku)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Hartimi i projektit kurrikular
Udhëzuesi i përditësuar për mësimin në kushtet e shtëpisë