“Së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, komuniteti dhe familja”
Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon ashpër ngjarjen e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Hasan Koçi”, ku një mësues është filmuar duke ushtruar dhunë fizike mbi një nxënës
Ministria e Arsimit dhe Sportit dënon ashpër ngjarjen e ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Hasan Koçi”, ku një mësues është filmuar duke ushtruar dhunë fizike mbi një nxënës.
Nga verifikimet paraprake, rezulton se ngjarja ka ndodhur ditën e mërkurë datë 27.01.2016, gjatë orës së biologjisë në klasën e VII-të të shkollës 9 vjeçare “Hasan Koçi”, në Durrës. Pamjet filmike janë mundësuar nga nxënësit e klasës të cilët menjëherë kanë informuar drejtorinë e shkollës për rastin.
Pas marrjes së informacionit, Drejtoria e Shkollës në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Durrës ka vepruar menjëherë, duke filluar procedurat disiplinore dhe marrjen e masës administrative të pezullimit nga detyra të mësuesit Flamur Pajo, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj nxënësit të klasës së VII-të.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, fton të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës.
Dhuna nuk ka vend në shkollat tona dhe kushdo që cënon të drejtat themelore të nxënësve shqiptarë, nuk do të jetë më pjesë e trupës pedagogjike. Gjithashtu, ftohen organet e drejtësisë për të ndjekur penalisht rastin.
MAS është thellësisht e vendosur për t’u përballur me sfidën që kemi të gjithë së bashku për të larguar dhunën nga shkolla, nga komuniteti dhe nga familja.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës