“Sami Frashëri” dhe “Emin Duraku” më të mirët në Tiranë
Drejtoria Arsimore e Tiranës ka publikuar renditjen e shkollave të Tiranës në bazë të kartës së performancës. Kështu lista e gjimnazeve kryesohet nga “Sami Frashëri”, ndërsa “Emin Duraku” më e mira ndër shkollat 9-vjeçare.
Drejtoria Arsimore e Tiranës ka publikuar renditjen e shkollave të arsimit parauniversitar në kryeqytet përgjatë vitit mësimor 2016-2017. Renditja është bërë në bazë të kartës së performancës. Janë vlerësuar disa kritere që kanë të bëjnë me rezultatet e arritura në provimet e maturës shtetërore, provimet e lirimit, numrin e mungesave, largimin e nxënësve nga shkolla, etj.
Vlerësimi është realizuar mbi shtatë tregues, matja e të cilave është kryer në të njëjtën kohë si në shkollat e arsimit parauniversitar publik, ashtu edhe në ato private.
Referuar treguesve mbi arritjet e realizuara gjatë vitit të shkuar mësimor, listën si gjimnazi më i mirë në kryeqytet e kryeson shkolla “Sami Frashëri”, e ndjekur më pas nga shkolla “Qemal Stafa”.
Ndërsa në vend të tretë dhe të katërt rezultojnë të jenë me pikë të barabarta Shkolla “Ismail Qemali”, si dhe Shkolla “Petro Nini Luarasi”. Ndër shkollat që kanë raportuar treguesit më të dobët janë Shkolla “ Kostandin Ksristoforidhi” që listohet e fundit, si dhe Shkolla “Sandër Prosi”, në të cilat nota mesatare e provimeve të maturës, numri i mungesave të nxënësve, si dhe largimet nga shkolla pa mbaruar viti mësimor rezultojnë të jenë më të lartat krahasuar me gjimnazet e tjera të vlerësuara.
Vlerësimi i shkollave 9-vjeçare është realizuar mbi bazën e treguesve të tillë, si: përqindja e nxënësve kalues në provimet e lirimit, nota mesatare e shkollës në provimet kombëtare të lirimit, pikët mesatare në testimin e realizuar për klasat e pesta, realizimin e objektivave të planit vjetor, përqindja e mungesave të bëra nga nxënësit, numri i nxënësve të larguar, si dhe treguesi mbi numrin e fituesve që secila shkollë ka realizuar në konkurrimin rajonal.
Lista kryesohet nga shkolla “Emin Duraku”, e cila renditet në vend të parë sa i takon arritjeve të realizuara. Ndërsa pas saj vijnë shkolla “Mihal Grameno”, si dhe shkolla “Misto Mame”. Pikët më të ulëta sa i takon plotësimit të treguesve i kanë Shkolla “Avni Rustemi”, e cila është e fundit në listë, si dhe Shkolla “At Zef Pllumbi”.
Sa i takon numrit të mungesave rekord mbajnë nxënësit e Shkollës “Hasan Prishtina”, me 6 për qind. Ndërsa sa i takon rezultateve të dala nga testimi i klasave të pesta, rezultatet më të dobëta i raportojnë nxënësit e Shkollës “Lidhja e Prizrenit”.
Shkollat private
I njëjti vlerësim nëpërmjet Kartës së Performacës është realizuar edhe në gjimnazet dhe shkollat 9-vjeçare private që ushtrojnë aktivitet në kryeqytet. Referuar këtyre institucioneve, listën e gjimnazeve më të mira e kryesojnë shkolla “M. Akif”, si dhe shkolla “Ernest Koliqi”. Me rezultatet më të dobëta prezantohet shkolla “Guinness”.
Ndërsa sa i takon rankimit të shkollave të arsimit të detyruar, lista kryesohet nga Shkolla “Rreze Drite”, ndërsa me rezultatet më të ulëta është “Drita e Dijes”.
Karta e performancës gjimnaze private 2016-2017
Karta e performancës 9-vjeçare publike 2016-2017
Karta e performancës 9-vjeçare private 2016-2017
Karta e performancës shkollat CU publike 2016-2017
Karta e performancës shkollat Cl publike 2016-2017
(Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!