Sa lexojnë mësimdhënësit?
Diplomimi është vetëm një çelës që hap vetëm një dritare të jetës individuale dhe shoqërore, por se ç’na pret më pas është detyrë e secilit që të përgatitemi dita - ditës si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në zhvillimin intelektual për të qenë pjesë e qëndrueshme dhe integrues në shoqërinë ku jetojmë.
Hyrja e tij në shkollë na bënte vërtet përshtypje. Me një temperament të dukshëm, hijerëndë dhe shtatlartë, dhuronte në çdo kalim të tij një buzëqeshje fisnike, i përshëndeste të gjithë e më pas tregohej i kujdesshëm të ndalohej tek ata që i kërkonin ti bënin pyetjen e radhës.
Zyra e tij e punës përveç një modestie fine kishte edhe një hijeshi të larmishme dhe specifike. Asgjë s’përfshihej në të jashtëzakonshmen, por çdo orendi zinte vendin e vet në mënyrë tërheqëse.
Bisedat dhe diskutimet që bënte kishin një peshë të dukshme dhe natyrshëm të bënin për vete. Qoftë në diskutimet e lira mes kolegësh qoftë edhe në mbledhjet në këshillin pedagogjik fjala e tij kishte një rëndësi të posaçme. Fliste qartë, me një terminologji të përzgjedhur, ndërtonte fjali koherente dhe domethënëse, ishte i kuptueshëm dhe dinte mjaft mirë të theksonte fjalët e duhura në vendin e duhur, fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e parë tjetrin në sy dhe kuptonte më së miri psikologjinë e secilit bashkëbisedues. Për nga dija dhe kultura ishte shumëdimensional dhe një gjë të këtillë e shfaqte në çdo kohë dhe drejtim. Në orët mësimore s’hynte asnjëherë i papërgatitur dhe ofronte risi të shumta. Nxënësit e donin dhe e respektonin së tepërmi, edhe kolegët gjithashtu. Ai ishte ndryshe sepse ai lexonte.
Një grup nxënësish së bashku me disa prej mësuesve i vajtën një ditë për vizitë. U mahnitën nga ajo që panë, pasi mësimdhënësi i tyre kishte dhomën ku punonte rrethuar nga katër anët me libra, një larmi e tërë, një harmoni brilande, ç’të kërkoje mund të gjeje aty… Biseda mes tyre nisi nga veprimtaritë e përditshmërisë duke vijuar më pas me tematika të larmishme, e mbi të gjitha të dhëna dhe njohuri të padëgjuara më parë. Ishte e qartë tashmë se nga e merrte tërë këtë frymëzim ky mësimdhënës i apasionuar. Ishte i dashuruar pas librit ashtu sikurse edhe libri qe bërë miku i tij më i ngushtë. Ishte mëse e qartë se kishte investuar prej vitesh për profesionin e tij fisnik.
Përfundimi i një universiteti në kohët e mëparshme ka qenë jo vetëm një privilegj, por edhe një përgjegjësi, pasi shkolla nuk i dilte çdokujt dhe përgjegjësia për të menaxhuar profesionin ka qenë tejet e madhe, sepse vëzhgimi dhe kontrolli kanë qenë dy komponentë të pashmangshëm për mbarëvajtjen e sistemit arsimor dhe edukativ, e për më tepër edhe për rritjen e cilësisë.
Në realitetin e sotëm hyrja në një universitet dhe diplomimi nuk i përkasin tashmë një kategorie të caktuar, kjo pasi mundësitë dhe alternativat janë të shumta, për rrjedhojë studentët kanë të drejtë të zgjedhin aty ku dëshirojnë. Kjo është diçka shumë pozitive pasi:
- U ofron një mundësi të artë të gjithëve që dëshirojnë të ngrihen në aspektin arsimor dhe edukativ duke u bërë pjesë e “grupit të intelektualëve”.
- Çdokush që vijon arsimin e lartë ka mundësi të shpalosë dhe të kultivojë aftësitë individuale duke e integruar veten në shkallë të ndryshme të shoqërisë.
- Me mundësinë e arsimimit të shoqërisë rritet edhe konkurrenca duke nxitur kështu edhe punën kërkimore për strategji dhe standarde gjithnjë në rritje.
“Libri i mësuesit” thjesht një “lehtësim” i procesit mësimor apo diçka më shumë?
Prej vitesh tashmë mësimdhënësit kanë në duar një material mjaft didaktik dhe praktik, një orientues tepër racional me një strukturim të admirueshëm siç është edhe “libri i mësuesit”. Sikurse jemi të gjithë të vetëdijshëm, e në mënyrë të veçantë për atë kategori mësimdhënësish që janë përdorues të rregullt të këtij materiali, përmbajtja dhe struktura janë në nivele shumë të larta. Nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për një “përpilim ditari”, por edhe për të dhëna dhe informacione orientuese dhe referenca të shumta, ku një mësimdhënës gjen një mbështetje të hekurt për ta zhvilluar sa më konciz procesin mësimor.
Për një efikasitet të tillë nevojitet një “lexim” i rregullt dhe i mirëfilltë, jo vetëm i materialit libror, që tashmë mësimdhënësit e çdo fushe e njohin më së miri, përkundrazi të sa më shumë botimeve të larmishme që nuk janë të kufizuara vetëm në përmbajtjen lëndore, por edhe të fushave të ndryshme të jetës.
Sa më shumë risi aq më shumë produktivitet.
Sa më shumë lexime aq më shumë risi.
Sa më shumë kërkesë dhe llogari ndaj vetes aq më shumë lexime.
A lexojnë mësimdhënësit aq sa duhet në të vërtetë? A janë të lexueshëm dhe të kuptueshëm në procese të ndryshme mësimore dhe edukative?
- Për sa kohë që profesionin e kemi kthyer në një “rutinë” me të cilën jemi pajtuar thjesht për ta “kryer si punë”, interesi për “leximin” ka humbur që në pikënisje.
- Për sa kohë që “ambicia” si ndjesi e efikasitetit profesional nis e zbehet duke çuar në humbjen e energjisë personale, kërkesa për një “lexim të rregullt” nuk del në plan të parë.
- Të zhytur në botën materiale dhe “telashin” për një përshtatje me bashkëkohoren anashkalohet plotësimi individual dhe profesional.
- Me krijimin e bindjes se “i diplomuari” është edhe “i plotësuari” profesionalisht, humbasim në retorikën e të zakonshmes duke përqafuar “mekaniken” e njohurive të nxëna tashmë prej shumë vitesh.
- Vështirësitë dhe sfidat e jetës e kanë bërë mësimdhënësin të tregohet më i “shtrënguar” në plotësimin dhe integrimin e “karrierës” së tij duke mos i dhënë kohën e duhur “të lexuarit”.
- Mangësitë dhe vështirësitë në spektrin financiar e kanë kufizuar mësimdhënësin të “integrohet” me hapa të shpejtë në realizimin e një karriere të frytshme duke lënë mënjanë disa dispozita kyçe që sjell profesioni në fjalë.
- Mungesa e një “kërkese llogarie” nga ana e drejtuesve të institucioneve arsimore për një ngritje të nivelit arsimor dhe edukativ me bazë “leximin” ka çuar në një “anashkalim” të këtij procesi kaq jetik dhe domethënës.
- Një “kërkesë të tillë llogarie” nga ana individuale dhe për rrjedhojë edhe profesionale shihet tek mësimdhënësit në përgjithësi vetëm në kuadër të të ashtuquajturave “provime të kualifikimeve”.
- Në plotësimin e “dosjeve të kualifikimeve” mësimdhënësit tregohen të kujdesshëm në plotësimin me rigorozitet të kësaj procedure, pasi natyrshëm është në interesin e tyre vetjak në ngritjen e nivelit profesional.
- Ka qenë një “shabllon” i përhershëm që biblioteka e shkollës të vihet nën kujdesin e “mësuesve të letërsisë”, nisur nga ideja se janë ata që merren drejtpërdrejtë me librin, e në këtë mënyrë është “kufizuar” dhe “ngushtuar” spektri i veprimit për një “lexim të rregullt” edhe për fushat e tjera lëndore të institucionit arsimor.
- Duke u konceptuar biblioteka si një “laborator” vetëm “për lexuesit” e librave letrarë, mësimdhënësit e të gjitha lëndëve të tjera kanë ngelur “të shmangur” dhe madje në të shumtën e rasteve as që e kanë ditur se ku i bie të jetë “biblioteka e shkollës”.
- “Këshilli pedagogjik” ka qenë dhe mbetet “laboratori” i integrimit të mësimdhënësit në jetën e tij profesionale, por për sa kohë që ky “laborator” kthehet në “strehëzën” e bisedave të përditshmërisë personale larg terrenit të një “ngritjeje profesionale” mësimdhënësit ç’integrohen dhe zhvendosen në “humnerën” e perceptimeve.
- Zhvillimi i “trajnimeve” të vazhdueshme brenda institucionit arsimor do ta vinte mësimdhënësin në “fokusin” e “leximeve specifike”, por për sa kohë që të tilla “projekte” janë të pakta dhe të mangëta, mësimdhënësi ngelet në “rutinën” profesionale.
- Zhvillimi në mënyrë efikase i “projekteve” që kanë të bëjnë me “NVP” (sikurse njihet në arsimin parauniversitar si “Nota e Vlerësimit të Portofolit”) e nxit akoma më shumë mësimdhënësin drejt një “leximi” vizionar duke sjellë edhe orientime të larmishme për nxënësit, por të tilla projekte ngelen në drejtë hije dhe plotësohen në të shumtën e rasteve me “nota pozitive” kur mësimdhënësi i shmanget plotësimit të mirëfilltë të ideve duke mos plotësuar edhe një bazë të “lexuarit”.
- Mbetja e mësimdhënësit “në periferi” duke mos iu dhënë rasti dhe mundësia “të dëgjohet” apo “të afirmohet” ka sjellë edhe mungesën e një interesimi për një “lexim” si nga ana e mësimdhënësit për veten e tij ashtu edhe nga ana e drejtuesit në “njohjen” e “tjetrit”.
- Nëse shprehemi metodikisht për një sistem edukativ “me në qendër nxënësit” harrojmë në fakt se në qendër të këtij sistemi është vetë mësimdhënësi, i cili vetëm nëpërmjet “leximeve” arrin të nxjerrë në dukje vlerat e së ardhmes në fusha të ndryshme të jetës.
- Bashkëveprimet dhe bashkëpunimet mes “qendrës” dhe “periferisë” sjellin përherë reflektime mbi ngritjen profesionale, por në rastet kur një terren i tillë nuk krijohet mësimdhënësi mbetet “periferik” duke vijuar të qëndrojë “i kufizuar” në rrethin e tij të ngushtë pa mundësi depërtimi drejt qendrës. Një fenomen i tillë vihet re qartazi edhe në zbritjen e numrit të nxënësve për shkak të shpërnguljeve të ndryshme.
- Ndjekja dhe azhurnimi me botimet e kohës si në gazeta, revista dhe libra të gjinive të larmishme sjell një ripërtëritje të gjykimit dhe mendimit, por distancimi nga të tilla botime e zbeh dita ditës këndvështrimin intelektual duke u kthyer në një individ pa peshën e duhur në shoqëri. Sa të impenjuar janë mësimdhënësit në këtë drejtim, qoftë edhe nëpërmjet mjeteve të komunikimit të kohëve të sotme?
Diplomimi është vetëm një çelës që hap vetëm një dritare të jetës individuale dhe shoqërore, por se ç’na pret më pas është detyrë e secilit prej nesh që të përgatitemi dita - ditës si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në zhvillimin intelektual për të qenë pjesë e qëndrueshme dhe integrues në shoqërinë ku jetojmë.
Si mund të arrihet kjo?...
Përqafojeni leximin, rinovoni vetveten!...
Nga Evans Drishti
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Tronditjet në shoqërinë tonë shqiptare/ Përse të rinjtë po rriten “të mbyllur” në një shoqëri të hapur?
Portofoli i praktikës profesionale, profili Gjuhë shqipe dhe Letërsi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!