INTERVISTË

Rrezarta Basha: MASR po risheh mundësinë për të rritur numrin e psikologëve në shkolla

Duket se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinsë po risheh mundësinë për të rritur numrin e psikologëve në institucionet arsimore. Këtë e ka bërë të ditur gjatë një interviste një nga specialistet e MASR, Rrezarta Basha.

Në një intervistë për Portalin Shkollor, Rrezarta Basha, specialiste në drejtorinë e përgjithshme të arsimit parauniversitar, bënë me dije se MASR po risheh mundësinë për të rritur numrin e psikologëve në shkolla. Gjatë një sondazhi që ne si portal kryem në faqen tonë zyrtare të Facebook u komentua se numri i psikologëve që shërbenin nëpër institucionet arsimore ishte i vogël. Për të gjitha pikëpyetjet e ngritura nga ndjekësit mbi këtë çështje ne morëm përgjigje nga një prej specialisteve pranë MASR. Ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme. 



ZJ. Basha, psikologët u bënë pjesë të të gjithë shkollave shqiptare për herë të parë në vitin 2013. Sa i rëndësishëm ka qenë roli i tyre deri më tani?


Shërbimi psikologjik është ngritur për herë të parë në vendin tonë në vitin 2004 sipas një vendimi datë 11.10.2004, Nr. 321, “Eksperimentimi i shërbimit psikologjik në sistemin arsimor parauniversitar në vitet shkollore 2004-2005-2006’’. Duke parë nevojën dhe domosdoshmërinë e rolit të tij në shkollë , MASH në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 20 të ligjit nr.69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë “ u bë e mundur shtrirja e tij në të gjithë vendin. Qëllim i këtij shërbimi është vlerësimi i gjendjes psiko-sociale të nxënësve me probleme të të nxënit ose sjelljes, në bashkëpunim me stafin pedagogjik të shkollës dhe prindërit , planifikimi dhe realizimi i shërbime që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësve. Aktivitetet ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese mbi tematika të ndryshme sociale apo dhe fenomene të ndryshme që shfaqen herë pas herë në shoqërinë tonë janë gjithashtu në fokusin e punës së tyre. Identifikimi, këshillimi, parandalimi, vlerësimi, ndërhyrja dhe profesionalizmi janë elementet që kanë çuar drejt suksesit rolin e pikologut në shkollë. Krahas psikologut shkollor sot janë renditur edhe një sërë aktoresh të cilët garantojnë orientimin dhe zgjidhjen sa më të mirë në funksion të mirëqenies së nxënësit, siç mund të flasim për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kanë psikologët me qendrat e Shëndetit Mendor mbi trajtimin e rasteve të vështira në shkollë apo dhe bashkëpunimin me Njësinë e Mbrojtjes së Fëmijëve që janë të atashuara pranë Njësive Bashkiake për një zgjidhje të mundshme mbi problemet social-ekonomike që nxënësit mund të shfaqin.



Momentalisht psikologët mbulojnë dy ose tre institucione arsimore dhe mesatarisht i bie të jenë dy herë në javë në secilin institucion. Nisur nga kjo, a duhet të ketë më shumë psikologë në shkolla në mënyrë që puna e tyre të jetë më efecientë, duke marrë të mirëqenë dëshirën dhe etikën e tyre profesionale për ta bërë punën me integritet? 


Numri i punonjësve të shërbimit psiko-social për të mbuluar institucionet arsimore në vend është i përcaktuar brenda numrit të punonjësve arsimor të miratuar. E megjithatë mund të themi se strukturat e ngritura në MASR janë duke riparë mundësinë për të rritur numrin e psikologëve në shkolla, sigurisht kjo dhe në bazë të kapacitete që ne kemi, për të qenë më pranë dhe për të bërë më të mirën për nxënësit tanë. Për sa i përket dëshirës dhe profesionalizmit në lidhje me ushtrimin e profesionit, vetë profesioni i psikologut simbolizon kujdesin ndaj tjetrit e si rrjedhojë ushtrimi i tij në mungesë të etikës profesionale do të sillte denigrimin të figurës në shkollë, çka mendoj se askush nuk do ta dëshironte në rrugën e tij profesionale .


Nga një sondazh që ne kemi bërë në faqen zyrtare të Facebook të Portalit Shkollor për praninë ose jo të psikologëve në shkolla, rezulton se 96% e tyre janë pro psikologut në shkollë dhe 4% janë përgjigjur me jo. Sipas këtyre të fundit rolin e psikologut mund ta bënin mësuesit, ndoshta ata kujdestar. A mund ta bëjë një mësues rolin e psikologut dhe e kundërta, psikologu rolin e mësuesit?


Mësuesi dhe psikologu janë dy profesione të ndryshme duke u nisur nga formimi dhe përgatitja e tyre profesionale. Mësuesi zhvillon dhe konkretizon njohuritë e reja në disiplinat përkatëse ndërkohë psikologu promovon mirëqenien mendore, fizike të nxënësit si dhe lehtëson procesin e të nxënit. Unë mendoj që bashkëpunimi ndërmjet tyre do të orientonte drejt përmirësimit të rezultateve të të nxënit dhe sjelljeve të nxënësve në shkollë. Kur aktorët koordinojnë punën me njëri - tjetrin dhe gjithsekush ushtron detyrat për të cilat është përgjegjës në profesionin e tij atëherë dhe rezultati për ndryshimet e pritshme do të jetë i dukshëm .



Në sondazhin një fjalë, komentuesit kanë ngritur shqetësimin mbi funksionalitetin e psikologëve në shkolla dhe konfidencialitetin që ata duhet të ruajnë në punën e tyre. Çfarë kriteresh duhet të përbush një psikolog për të punuar me nxënësit? 


Kriteret që duhet të përmbush një individ i cili ushtron profesionin e psikologut duke u nisur nga ana ligjore është se ata duhet të kenë diplomën e studimeve të larta Bachelor dhe Master Shkencor ose Master Profesional në degën e Psikologjisë ose ekuivalent me të. Gjithashtu duhet të ketë sjellje profesionale në përshtatje me Kodin e Etikës dhe Deontologjisë. Për sa i përket kofidencialitetit, unë mendoj se është një çështje që nuk ka nevojë për diskutim, që në momentin kur një individ vendos për të ushtruar profesionin e psikologut me ndërgjegje dhe përkushtim. Altruizmi, empatia, serioziteti, korrektësia duhet të jenë udhërrëfyese të profesionit të psikologut.



Mentaliteti jonë shqiptar nuk e pranon të folurit me një psikolog. Sa e vështirë është të thyhet kjo barrierë?  


Shoqëria shqiptare duke qenë e mbyllur dhe duke pasur një mentalitet patriarkal, fillimisht e pati të vështirë të pranonte psikologun, si një prej aktorëve bashkëpunues në institucionet arsimore. Roli dhe puna e tij ishte shumë e vështirë të pranohej nga prindërit dhe nxënësit, por në të njëjtën kohë edhe nga vetë stafet pedagogjike që ishin pjesë përbërëse e shkollës . Referimi i rasteve nga mësuesit për të kërkuar ndihmën e psikologut ishin vërtet të reduktuara dhe akoma më të rralla ishin rastet kur prindërit pranonin që fëmijët e tyre të ndihmoheshin nga psikologu. Si çdo gjë re e cilat pritet me skepticizëm por me pas pranohet në sajë të punës dhe profesionalizmit që vetë këta profesionistë treguan përgjatë viteve, sot mund të themi me bindje se roli i psikologut shkollor është një ndër pikat e forta të sistemit tonë arsimor.



Për sa i përket kontaktit psikolog-nxënës në shkolla, me informacionin që ne kemi dimë se, psikologët i ftojnë nxënësit për një seancë (a për të folur), gjatë kohës që ata janë në orën e mësimit. Mendoni se kjo është mënyra e duhur? 


Puna e psikologut të shkollës është e ngritur mbi bazën e një marrëdhënie të ndërsjellë. Këshillimet individuale dhe në grup janë pjesë e përditshmërisë së punës së psikologut në shkollë. Janë vete nxënësit, mësuesit dhe prindërit që e shohin sot psikologun e shkollës si profesionistin që do ti ndihmojë mbi problematika të ndryshme të hasura brenda ambienteve të shkollës, si: marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, mësuesit, prindërit, procesin akademik, perceptimit për veten dhe të tjerët. Sigurisht që një psikolog nuk jep receta të gatshme mbi zgjidhjen e problemit, por ai i orienton dhe i ndihmon ata në zgjidhjen e problemit. 



Duke qenë se të rinjtë në shkolla i karakterizon energjia dhe kurioziteti ata shpesh herë bëhen problematikë. A do të ishin të nevojshëm në institucionet arsimore edhe punonjësit social? Pra a duhet të kenë shkollat edhe psikolog edhe punonjës social? 



 Adoleshenca është një periudhë delikate, çdo adoleshent është unik dhe nuk ka një formulë që rekomandohet, ndaj dhe vendosja e urave të komunikimit ndërmjet tyre është domosdoshmëri për të njohur dhe kuptuar më shumë mbi natyrën e tyre. Gërshetimi ndërmjet dy profesioneve do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë së zhvillimit mendor dhe social të fëmijëve. Psikologu ka në fokus të punës së tij individin ndërkohë që punonjësi social fokusohet te grupi shoqëror, familja dhe komuniteti. 

 



(Intervistoi Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

4,777 Lexime
5 vjet më parë