Në shkollën “Sinan Tafaj”

“Romeo dhe Zhuljeta” nën interpretimin e gjimnazistëve

“Klubi i fjalës” në gjimnazin “Sinan Tafaj” nis rrugëtimin me veprën e njohur “Romeo dhe Zhuljeta”. Shfaqja u konceptua në pesë shtylla kryesore: prezantimi i “Klubit të fjalës”, prezantimi i veprës, debat, ekspozitë e interpretim.

“Trego mëshirë në këtë botë, sepse po lejove pangopësinë nga varri do të ngrihen të hanë edhe ty.”

“Kur të mbushësh të dyzetat dimri do mbulojë brigjet e tua, çarje të thella do të krijojë në fushat e bukurisë tënde. Gjallëria dhe krenaria tani do të bëhen të pavlerë, copë-copë si lecka të vjetruara.”

Këto janë disa nga vargjet me të cilët hapet shfaqja e përgatitur nga nxënësit anëtarë të “Klubit të fjalës” në gjimnazin “Sinan Tafaj” në kryeqytet. Vargjet u recituan nga nxënësit: Orest Daci, Kristi Papa, Misir Resulaj, Sonila Dautaj, Amanda Halltari. Ky klub u prezantua sot para mësuesve të shkollës dhe nxënësve me veprën “Romeo dhe Zhuljeta”. Gjithçka u organizua nën drejtimin e mësueses së letërsisë Henrieta Lena.

Shfaqja ishte konceptuar në pesë shtylla kryesore: prezantimi i “Klubit të fjalës”, prezantimi i veprës, debat mbi veprën, ekspozitë dhe interpretim. Nxënësit arritën të befasonin dhe surprizonin të gjithë të pranishmit madje edhe mësuesen kujdestare e cila e dinte që ata ishin shumë të mirë në fizikë, por me këtë shfaqje ata e mahnitën edhe në art.

"Klubi i fjalës" është një grup i krijuar nga nxënësit e klasave të XI-ta të shkollës “Sinan Tafaj”. Qëllimi i klubit është të tregojë fuqinë e fjalës dhe rëndësinë e librit në jetën tonë. Klubi ndahet në njësi të vogla ku secila njësi ka detyrat përkatëse të cilat duhet të përmbushen për të arritur qëllimin e përbashkët. Duke qenë se pajisjet elektronike po zënë pjesën më të madhe të kohës tek të rinjtë duke i bërë ata të mendojnë se jeta pa to është e pamundur, “Klubi i fjalës” ka zgjedhur të reagojë. Ata duan të tregojnë se libri është i pazëvendësueshëm dhe se mënyra më e mirë për t’u pajisur me dije është nëpërmjet tij.

Anëtarët e klubit përgatitën një fletëpalosje prezantuese për këtë aktivitet. Për këtë janë kujdesur nxënësit: Bora Zaimi, Endri Hoxha dhe Kristi Papa. Është vizualisht e këndshme, e pasur me informacion dhe çdo i pranishëm në shfaqje ka një të tillë. Ideja është e bukur dhe rezultati nuk mund të ishte ndryshe.

Shfaqja u prezantua nga dy vajza të bukura dhe të zgjuara, Bora Zaimi dhe Klea Boshnjaku. Gjatë bisedës pas shfaqjes, mësuese Henrieta tregon se kishte zgjedhur dy vajza për të prezantuar pikërisht për t’iu dhënë një mesazh djemve. Vajzat demonstruan para të gjithëve aftësitë e tyre në prezantim, me një të folur të pastër, të rrjedhshme e cila përmbante brenda saj edhe interpretim, ato ia dolën të drejtonin me profesionalizëm dhe dominuan sallën.

Më pas një material i përgatitur në PowerPoint solli informacion rreth William Shakespeare dhe veprave të tij. Materiali shoqërohej me foto, ishte përmbledhës dhe rifreskoi njohuritë e të gjithë të pranishmëve në shfaqje.

Pas materialit ishte radha e debatit. Ndryshe nga ç’jemi mësuar të shikojmë në shfaqje këtu debati ishte i vërtetë. Secili nxënës kishte përgatitur argumentet e tij se si rrodhën ngjarjet në vepër, kush ishte e drejtë dhe kush ishte e gabuar. A mund të ishte gjetur një rrugëzgjidhje tjetër për të shpëtuar të dashuruarit dhe për të jetuar dashurinë e tyre? Si vjen kjo ngjarje tek ne, si përshtatet me realitetin shqiptar. Gjithçka e thënë nga gjimnazistët, e argumentuar deri në detaje dhe interpretuar me një natyrshmëri që të bënte të mendoje dhe të kuptoje në të gjitha këndvështrimet këtë vepër. Të gjithë nxënësit ishin angazhuar dhe gjithsecili prej tyre kishte diçka për të thënë. Nxënësit që debatuan me njëri-tjetrin rreth veprës janë: Dea Hoxha, Florin Luka, Eriselda Saliu, Sonila Shehu, Juxhin Gorenca.

Nxënësit: Amanda Halltari, Saimir Tollja, Dejvi Tafaj, Xhoana Gorce u prezantuan në aktivitet me zhanrin e pikturës. Secili nxënës prezantoi pikturën dhe tregoi se përse kishte zgjedhur atë mënyrë të shprehuri. Bashkangjitur me pikturën nxënësit kishin përzgjedhur një shprehje të William Shakespeare dhe piktura kishte një lidhje logjike me shprehjen.

“Klubi i fjalës” kishte zgjedhur që shfaqjen ta mbyllte duke interpretuar një pjesë nga vepra. Brendi Bega nën rolin e Romeos dhe Enxhi Koci nën rolin e Zhuljetës përcollën shumë emocione teksa interpretuan pjesën. Ishte përzgjedhur për t’u interpretuar fragmenti ku dy të rinjtë, personazhet kryesore në vepër i japin fund jetës së tyre. Romeo dhe Zhuljeta me interpretimin e tyre ia dolën të përlotnin të pranishmit në sallë të cilët duartrokitën aktorët e rinj.

Të gjithë mbetën të befasuar. Ishte shfaqja e parë dhe “Klubi i fjalës” premtoi shfaqje të tjera akoma më emocionuese. Drejtoresha e gjimnazit Mira Kotobelli, i falenderoi nxënësit për emocionet që dhuruan dhe ju kujtoi atyre se është detyrë e të gjithë stafit pedagogjik që t'iu ofrojë mbështetje maksimale të gjithë nxënësve të talentuar. 

Portali Shkollor përgëzon “Klubin e fjalës” për realizimin e shfaqjes, ju uron shumë suksese dhe gëzuar festat!

6,127 Lexime
8 vjet më parë