"Pensioni... nuk mund ta mendoja jetën pa nxënës"
Portali Shkollor sjell një intervistë të realizuar me mësuesen e parë në qytetin e Preshevës, Refiqe Hajrullahun, e cila ka edukuar dhe mësuar shumë breza nxënësish në kushte të vështira.
Mësuesja e parë në qytetin e Preshevës, Refiqe Hajrullahu, në një intervistë tregon vitet e para të punës, si e pritën banorët e zonës dhe vështirësitë në punën e përditshme me nxënësit, të cilët nuk kishin as mjete mësimore. Vite më parë nxënësit ishin më të rezervuar e më të qetë dhe, njëkohësisht, shumë të dashur. Ndërsa çasti më i vështirë për mësuesen Refiqen ishte kur ju desh të largohej nga shkolla dhe nxënësit: “Në kujtesën time ka shumë ngjarje që më kanë mbetur. Momenti më i vështirë ishte kur u ndava përgjithmonë nga nxënësit dhe nga shkolla, pra shkuarja ime në pension. Nuk mund ta mendoja jetën pa nxënës”.
Ju jeni mësuesja e parë që vendosët të ktheheshit në Preshevë dhe të punoni në këtë profesion. E mbani mend, si e morët këtë vendim, çfarë menduat?
Natyrisht e mbaj mend. Me shkuarjen time në Shkollën Normale të Shkupit, unë isha përcaktuar për të qenë mësuese në vendin tim – Preshevë, sepse në atë kohë Presheva kishte shumë nevojë për mësues të kualifikuar.
Si ishin ditët e para të punës?
Me kënaqësi dhe vullnet të madh fillova ditët e para të punës sepse isha e përgatitur për këtë profesion.
Si i kujtoni nxënësit tuaj të parë?
Në fillim, nxënësit e parë ishin më të rezervuar, të qetë por shumë të dashur.
Si ju pritën?
Kuptimi i fjalës “Shkollë” atëherë ishte i madh prandaj edhe pritja ishte e madhe. Në sytë e tyre të vegjël shihej kureshtja por edhe dëshira që po vinin për herë të parë në shkollë.
Cili ishte reagimi i prindërve dhe i banorëve?
Prindërit me shumë dashamirësi dhe gëzim e pritën ardhjen e mësueses, sepse mentaliteti i asaj kohe ishte që një grua mësuese do të kujdeset dhe do t’i kuptoj më mirë fëmijët e tyre. Edhe pse rrethet e prapambetura ishin kundër arsimimit të femrës shqiptare, por ne me punë i thyem ato vese negative.
Cila ishte vështirësia më e madhe e juaja si mësuese?
Vështirësitë më të mëdha gjatë punës sime ishin ngase fëmijët vinin të pa përgatitur, nuk kishin mundësi të blinin lapsa e fletore. Duhej kohë e gjatë për t’i përgatitur për zhvillimin e shkronjave e mësimet në vazhdimësi.
Si e shikoni sot mësimdhënien? Ndryshimet në arsim si i gjykoni?
Sot shumë gjëra kanë ndryshuar, kushtet janë përmirësuar, shkollat janë pajisur me kompjuterë. Fëmijët janë shumë më të përgatitur...
A ju takojnë sot ish- nxënësit tuaj?
-Shumë shpesh takohem me nxënësit e mi, i kam shumë të dashur. Kur i takoj ashtu të rritur, që kanë kryer fakultetet, janë punësuar në profesione të ndryshme (mësues, profesor, mjek, etj.) më kaplon një ndjenjë e madhe krenarie.
Çfarë ju ka mbetur në mendje, një çast apo moment i veçantë, qoftë i bukur qoftë i vështirë?
Në kujtesën time ka shumë ngjarje që më kanë mbetur. Momenti më i vështirë ishte kur u ndava përgjithmonë nga nxënësit dhe nga shkolla, shkuarja ime në pension, nuk mund ta mendoja jetën pa nxënës.
A ka diçka që ju ka mbetur peng?
Për herë të fundit e mora klasën e parë duke shpresuar se do ta kryej edhe këtë gjeneratë të fundit, mirëpo nuk e mbarova, dola në pension, e kjo më ka mbetur peng.
Çfarë do ju thoshit sot nxënësve tuaj nëse për një ditë do të ishit sërish mësuese?
Kisha porositur që të mësojnë sa më shumë, sepse dija është gjëja më e shtrenjtë, që brezat e rinj të jenë të edukuar dhe të arsimuar dhe kjo është mburrja për çdo punëtorë të arsimit.
(Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Për ty biri im që nis klasën e parë...
Urim për nxënësit e mi!