Roli i drejtorit në zhvillimin profesional të mësuesit
Roli i drejtuesit në organizimin e detyrave, proceseve monitoruese, vëzhguese, por dhe në krijimin e klimës së duhur në shkollë është tejet i rëndësishëm duke luajtur rolin e komponentit kyç të një mësimdhënie të suksesshme.
Drejtori është person i zgjedhur apo i emëruar, që ka për detyrë të organizojë e të drejtojë punën dhe veprimtarinë e shkollës, si institucion pedagogjik. Duke qenë në pozitën e drejtuesit të institucionit drejtori jo vetëm mbart përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e tij e për të siguruar mbarëvajtjen institucionit, por ka dhe mundësinë për të sjellë praktika të reja e për të bërë ndryshime në dobi të procesit mësimor-edukativ e në drejtim të rritjes së cilësisë së punës mësimore. Rritja e cilësisë së punës mësimore, si dhe e nivelit të mësimdhënies e mësimnxënies lidhet drejtpërsëdrejti me zhvillimin profesional të mësuesve, ku roli i drejtorit për të patur një zhvillim të vazhdueshëm e të qëndrueshëm është esencial.
Së pari drejtori duhet të iniciojë nisma që lidhen me kualifikimin e brendshëm të mësuesve të shkollës. Ky proces përfshin identifikim e çështjeve për të cilat mësuesit e shkollës kanë nevojë të rrisin kapacitetet e më tej zhvillimi i trajnimeve apo kualifikimeve të brendshme periodikisht. Me një rëndësi të veçantë vjen dhe mirë organizimi i takimeve të realizuara sipas departamenteve, duke i vënë theksin rritjes së kapaciteteve edhe mbi bazën e këtij klasifikimi. Gjithashtu vlen të përmendet rëndësia e sigurimit të një literature pedagogjike shtesë për kualifikim të mësuesve, por dhe për ta vënë në shërbim të përdorimit nga ana e tyre, në drejtim të zhvillimit të një mësimdhënie të suksesshme. Nëpërmjet këtij procesi realizohet jo vetëm rritja dhe zhvillimi i kapaciteteve të stafit pedagogjik, por dhe përmirësimi i atyre elementeve që në punën e mësuesve paraqiten si sfida, problematika apo kanë nevojë për përmirësim.
Së dyti drejtuesi duhet të zhvillojë periodikisht vëzhgimin e orëve mësimore, si dhe të monitorojë planifikimin e punës konkrete në klasë. E gjykuar në këtë aspekt drejtuesi, jo vetëm vëzhgon dhe monitoron, por mbart dhe detyrën e përgjegjësinë për të adresuar rekomandime në drejtim të zhvillimit të procesit mësimor ndaj mësuesit, duke ndikuar kështu jo vetëm në përmirësimin e mësimdhënies, por dhe në përmirësimin e praktikave të mësuesit duke e orientuar në mënyrë indirekte drejt një zhvillimi të mëtejshëm profesional.
Së fundmi nuk duhet lënë pa përmendur dhe faktori psikologjik, ku drejtuesi mbart peshën kryesore. Duke krijuar një klimë familjare në shkollë, mbi bazat e bashkëpunimit, komunikimit, jo vetëm me nxënësit por dhe me mësuesit, e të tre komponentët pra: drejtues, mësues e nxënës me njëri-tjetrin, orientohen drejt një mësimdhënie më të suksesshme çka ndikon në aspektin profesional të vetë mësuesit.
I parë në këto këndvështrime mund të themi se roli i drejtuesit në organizimin e detyrave, proceseve monitoruese, vëzhguese, por dhe në krijimin e klimës së duhur në shkollë është tejet i rëndësishëm duke luajtur rolin e komponentit kyç të një mësimdhënie të suksesshme e zhvillimi profesional evident, të stafit pedagogjik.
(Dorina Zhuka, Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve në Portalin “Mësues për Shqipërinë” 2024