Roli i drejtorit në krijimin e klimës pozitive në shkollë
Pra drejtuesi, për të qenë një lider i suksesshëm i institucionit arsimor që drejton duhet me doemos të nxisë frymën pozitive nëpërmjet një sërë mjetesh që posedon në pozicionin e ndodhur
Klima pozitive dhe bashkëpunuese kurdoherë në shkollë është aq idealizëm sa dhe realitet i mundshëm, ku për arritjen e kësaj të fundit nevojitet kooperim e përkushtim i të gjithë aktorëve për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm për të nxënit e për të përmirësuar standartet e shkollës si institucion arsimor. E parë në këtë këndvështrim, drejtuesi si personi me pozicionin më të lartë në shkollë luan rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e ecurisë së saj, e veçanërisht ndikon mjaft në krijimin e një klime pozitive, ose jo, nëpërmjet modelit të drejtimit.
Së pari eksperienca, por dhe studimet indikojnë se modeli i drejtimit që drejtuesi zgjedh të ndjekë ndikon drejtpërsëdrejti në klimën e krijuar në shkollë. Është treguar se një model drejtimi autoritar, qoftë ai dhe i modelit dashamirës krijon një klimë të ftohtë e më pak të hapur a bashkëpunuese se një model drejtimi këshillues, a kooperues. Gjithashtu vihet re se një një stil drejtimi në ekip, ka një impakt tejet të lartë si në arritjet e nxënësve, përfshirë cilësinë e mësimdhënies e mësimnxënies, e si në krijimin e një fryme pozitive bashkëpunimi, duke u orientuar krahas një shkolle të suksesshme drejt një shkolle gjithashtu miqësore.
Gjithashtu nxitja e klimës pozitive realizohet në themelet e një shkolle të orientuar drejt parimeve të demokracisë e pjesëmarrjes së të gjithë aktorëve në vendimmarrjen e brendshme. Organe kolegjiale të brendshme në shkollë si “Këshilli i Prindërve”, “Qeveria e Nxënësve”, “Bordi i Shkollës” etj, duhet të fuqizohen rrënjësisht për sa lidhet me vednimmarrjen në këtë institucion, dhe ky fuqizim dhe angazhim i tyre duhet të jetë së pari iniciative e drejtuesit, për të formësuar një shkollë të hapuar ndaj komunitetit ku stafi pedagogjik-nxënësit-prindërit e drejtuesit punojnë së bashku me qëllim arritjen e objektivave të përbashkëta.
Nuk duhet lënë pa përmendur fakti se aktivitetet shkollore,nxisin në mënyrë të pashmangshme kooperimin, komunikimin e mirë e me qytetari si dhe forcojnë lidhjen mes aktorëve të ndryshëm në shkollë. Kështu drejtuesit i lind përgjegjësia të jetë iniciator e mbështetës i fuqishëm i këtyre aktiviteteve me karakter edukativ e njëkohësisht argëtues e konsolidues të një marrëdhënieje të ngrohtë dhe klime pozitive në shkollë.
Pra drejtuesi, për të qenë një lider i suksesshëm i institucionit arsimor që drejton duhet me doemos të nxisë frymën pozitive nëpërmjet një sërë mjetesh që posedon në pozicionin e ndodhur, ku vlen të theksohet fakti se roli i drejtuesit dhe metodat e tij të menaxhimit, në këtë aspekt janë në mënyrë të pashmangshme vendimtare.
(Nga: Dorina Zhuka, Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!