FAMILJA DHE SHOQËRIA

Rolet gjinore në familje

Në këtë kohë qëndrimi brenda mureve të shtëpisë të të gjithëve ne, Msc. Alberita Shala sjell një vështrim mbi rolet gjinore në familje, se sa të rëndësishme janë ato jo vetëm për këtë grup individësh por për të gjithë shoqërinë.

Famija është njësia bazë e shoqërisë. Gjithçka fillon në familje dhe transmetohet në shoqëri. Në mungesë të saj nuk do te kishte zhvillim, mirëqenie dhe vazhdimësi të jetës. Familja bërthamë përfshin  çiftin e bashkëshortëve të cilet jetojnë së bashku me fëmijët e tyre duke ndarë me njëri-tjetrin përgjegjësitë familjare, kujdesin ndaj femijëve dhe të gjitha detyrimet e bashkëjetesës së përbashkët.


Termi roli i gjinisë (ose stereotipi i rolit të seksit) i referohet nje modeli ose grumbulli sjelljesh që konsiderohen të përshtatshme për meshkujt ose femrat në një kulturë të caktuar, (Unger, 2004). 


Familja ka rolin dhe ndikimin e saj kryesor në formimin e konceptit për rolin gjinor te djemtë dhe vajzat. Koha që kalojnë prindërit me fëmijët, të ardhurat ekonomike dhe marrëdhënia midis tyre ndikon në formimin e rolit gjinor te fëmijët. Sa më shumë të kalonin kohë prindërit aq më shumë ndihmonin ata fëmijët në lidhje me zhvillimin e rolit gjinor, (Basow 1980).


Marrëdhëmiet e shëndosha familjare e martesore janë një kontribut i rëndësishëm në eliminimin e stereotipeve gjinore. Diskriminimi më i madh i grave ndodh në shtëpitë e tyre, e gjithë kjo ndikuar nga kultura jonë patriarkale. Të gjitha dispozitat e Kodit të Familjes që trajtojnë të drejtat dhe detyrimet bashkëshortore bëjnë kujdes që të mos bëjnë dallimin midis burrit dhe gruas.


Ndarja e përgjegjësive në familje është mjaft e rëndësishme. Kjo jo vetëm që ndikon në formimin e rolit gjinor te fëmijët por ndikon edhe në krijimin e atmosferës pozitive në familje. Në familje duhet te ketë barazi në nivelin mesatar në mënyrë që konfliktet të jenë më të pakta.


Në shoqërinë tonë duhet të kemi bashkëshortë që e kuptojnë njëri-tjetrin, nxisin komunikimin, ndajnë punët dhe obligimet. Nëse mungon balancimi në raportin e përgjegjësive gjithmonë do të jetë njëri partner më i pakënaqur dhe i konsumuar psikologjikisht  nga ngarkesa që mbart përgjegjësia.  Në këtë raport kemi edhe diferencat sa i përket ndarjes së punëve brenda familjes. Në shumicën e shoqërive roli  i seksit mashkullor karakterizohet me tipare të tilla si: lidershipi, pavarësia, agresiviteti dhe vendimmarrja, ndërsa ai femeror pritet të jetë si më i mësuar, i varuar dhe i ndjeshëm.  Kemi ende mendësinë e njëjtë qe ai i cili siguron të ardhurat në familje është mashkulli, ndërsa femra është ajo që kujdeset për fëmijët dhe punët e shtëpisë.


Fëmijet janë të ekspozuar ndaj shumë faktorëve të cilët ndikojnë në qëndrimet dhe sjelljet e tyre ne lidhje me rolet gjinore. Këto qëndrime dhe sjellje mësohen zakonisht në shtëpi dhe më pas përforcohen nga moshatarët e femijëve, përvoja shkollore dhe mediat. Megjithatë ndikimi më i fuqishëm në zhvillimin e roleve gjinore  duket se ndodh brenda familjes me prinderit që transmetojnë  haptazi dhe fshehurazi besimet e tyre ndaj gjinisë.


 Para se fëmijët të mund të shprehin preferencat e tyre janë prindërit ata që krijojnë mjedise të ndryshme për djemtë dhe vajzat. Dhomat e gjumit janë të zbukuruara me ngjyra të ndryshme. Foshnjat vishen me ngjyra specifike gjinore, rozë për vajzat dhe blu për djemtë.  Që nga fillimi i zhvillimit të fëmijëve prindërit ofrojnë përvoja që nxisin këmbënguljen, eksplorimin dhe kontrollin emocional te djemtë. Nga ana tjetër ata nxisin imitimin, varësinë dhe ndjeshmërinë emocionale te vajzat. Sikurse edhe shumë gjëra të tjera të karakterit të edukimit edhe modelimi fillon në shtëpi. Fëmijët shohin nënën dhe babain të angazhuar në punët tradicionale sipas seksit të tyre, nënën të angazhuar në gatim dhe babain duke riparuar. Pra që nga lindja fillon të zhvillohet roli gjinor. Shpesh menjëherë kur i sapolinduri mbërrin në shtëpi, shumë tipare të mjedisit të tyre bazohen tërësisht në gjininë e tyre, si për shembull nëse rrobat e tyre janë rozë apo blu, nëse lodrat e tyre janë kukulla apo makina, dhe nëse rrobat e tyre kanë zbukurime apo jo, (Beal, 2005).   


Të gjithë fëmijët  kanë nevojë për mundësinë që të eksplorojnë role të ndryshme dhe stile të ndryshme të jetës. Ne duhet të sigurohemi që mjedisi i fëmijës të reflektojë diversitet te rolet gjinore. Prindërit duhet të marrin pjesë në programe informuese kushtuar rolit dhe diskriminimit gjinor, tipizimeve seksuale dhe rëndësisë së tyre në mënyrë që fëmijët të informohen dhe të zgjedhin vetë formën e tyre të sjelljes. Fëmijët duhet të përfshihen në mjedise që nxisin bashkëpunimin, ndërveprimin dhe lojën e tyre pa diferenca gjinore. Udhëzuesit më të mire padyshim se jemi prandaj të sillemi dhe të veprojmë drejt duke lënë anash paragjykimet dhe diferencat.

                                                                    

                                                    Msc. Alberita Shala




(Portali Shkollor)

7,465 Lexime
4 vjet më parë