Vlerësimi

Rolet dhe përgjegjësitë në vlerësim

Vlerësimi i nxënësit është një proces i rëndësishëm jo vetëm për nxënësit por edhe për prindërit, mësuesin e stafin drejtues të shkollës. Por cili është roli dhe përgjegjësia e gjithsecilit në këtë proces?

Vlerësimi i nxënësit është një proces i rëndësishëm jo vetëm për nxënësit por edhe për prindërit, mësuesin e stafin drejtues të shkollës. Por cili është roli dhe përgjegjësia e gjithsecilit në këtë proces?


Nxënësit:

- angazhohen aktivisht në procesin e të nxënit; 

- vlerësohen si pjesë e të nxënit të përditshëm përmes një sërë veprimtarish, përfshirë dialogun dhe ndërveprimin me bashkëmoshatarët dhe mësuesit, kërkimet praktike, demonstrimet, prezantimet me gojë, diskutimet; 

- vlerësohen përmes punëve me shkrim dhe produkteve të tilla, si veprimtari krijuese, raportime, projekte; 

- demonstrojnë njohuritë, shkathtësitë dhe qëndrimet përmes një sërë të dhënash, përfshirë detyrat e vlerësimit, veprimtaritë, testet dhe provimet; 

- planifikojnë dhe rishikojnë të nxënit e tyre përmes reflektimit, vendosjes së qëllimeve të të nxënit dhe përcaktimit të hapave të mëtejshëm të të nxënit personal; 

- rishikojnë të nxënit e tyre përmes vetëvlerësimit; 

- bashkëpunojnë në vlerësimin e bashkëmoshatarëve; 

- kontribuojnë në moderimin e vlerësimit.


Mësuesit dhe stafi drejtues:

- planifikojnë, hartojnë dhe kryejnë vlerësime, si pjesë e vazhdueshme e procesit të të nxënit dhe mësimdhënies, dhe në mënyrë periodike përdorin vlerësime specifike, teste ose provime; 

- sigurojnë që vlerësimi të mbështesë të nxënit dhe të bazohet në një bazë të dhënash, të cilat gjykohen përkundrejt rezultateve të pritshme dhe nxisin progres, gjerësi dhe thellësi në procesin e të nxënit; 

- punojnë me kolegët për të zhvilluar një kuptim të përbashkët për rezultatet e pritshme përmes veprimtarive, të cilat përfshijnë planifikim koherent, kontroll, përvojë, rishikim dhe feedback për përmirësim; 

- përfshijnë nxënësit plotësisht në vlerësim dhe i ndihmojnë ato të kuptojnë çfarë pritet prej tyre; 

- marrin pjesë në sigurimin e cilësisë, moderimin e veprimit, duke përdorur materiale të vlefshme për zhvillimin e ekspertizës së vlerësimit dhe për sigurimin e praktikave të vlerësimit të vlefshme dhe të besueshme; 

- vlerësojnë të dhënat e të nxënit për të kontribuar në raportimin e arritjeve të nxënësve dhe progresin e tyre; 

- raportojnë rezultatet e arritjeve të nxënësve për palët e interesit (nxënësit, prindërit, mësuesit, qeverisja lokale, institucionet profesionale, MAS, shoqëria civile etj.); 

- informojnë prindërit/kujdestarin në kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për suksesin dhe vështirësitë e fëmijëve të tyre dhe i udhëzojnë ata si të ndikojnë në përmirësimin e rezultateve; 

- shpjegojnë rezultatet e nxënësve duke marrë parasysh kushtet në të cilat janë arritur ato (socio - ekonomike, kulturore etj.); 

- përgatitin raportime për arritjet në nivel klase ose fushe të nxëni dhe i interpretojnë ato; 

- shqyrtojnë veprime të ndryshme me synim përmirësimin e vlerësimit; 

- kujdesen për besueshmërinë e informacioneve dhe përdorimin e drejtë të tyre.


Prindërit:

- përfshihen aktivisht në mbështetje të të nxënit të fëmijëve të tyre; 

- përfshihen plotësisht kur fëmijët dhe të rinjtë kërkojnë mbështetje përmes programeve individuale; 

- marrin informacion të rregullt rreth anëve të forta të fëmijëve të tyre, progresit dhe arritjeve të tyre; 

- informohen për boshllëqet dhe mënyrat përmes të cilave mund t’u vihet në ndihmë nxënësve; 

- informohen për performancën e fëmijëve në shkollë përkundrejt niveleve të arritjeve në shkallë të veçanta në fushat e të nxënit; 

- sigurojnë mundësi që stafi të bashkëpunojë për planifikimet kurrikulare të të nxënit, mësimdhënies dhe vlerësimit në mënyrë koherente për të siguruar thellësi, sfida dhe zbatim të të nxënit; 

- sigurojnë mundësi që stafi të diskutojë, të shkëmbejë përvoja dhe të zhvillojë kuptimin për rezultatet e pritshme përmes pjesëmarrjes në moderimin e vlerësimit (detyrave); 

- sigurojnë që veprimtaritë mësimore të përmbushin qëllimet dhe të jenë të menaxhueshme; 

- sigurojnë që monitorimi dhe kontrolli i progresit të nxënësve mbështet të nxënit e tyre; 

- sigurojnë që vetëvlerësimi bazohet në një sërë të dhënash mbi të gjitha aspektet e të nxënit.


Autoritetet arsimore

Kanë përgjegjësinë: 

- të sigurojnë informacion për cilësinë e edukimit në shkollë dhe standarde të përshtatshme në edukim; - të mbështesin vetëvlerësimin dhe përmirësimin e proceseve; 

- të sigurojnë që shkollat kanë infrastukturën e nevojshme për të mbështetur gjykimet e mësuesve dhe të fokusohen në veprimet e nevojshme për përmirësim; 

- të lehtësojnë rrjetet lokale dhe të kontribuojnë në veprimtaritë mësimore përmes përfshirjes së partnerëve në sektorë të ndryshëm;

- të lehtësojnë zhvillimin e një bashkëpunimi efektiv ndërmjet autoriteteve arsimore dhe partnerëve dhe të lidhin praktikat lokale me ato në nivel kombëtar; 

- të sigurojnë mundësi që shkollat të përmbushin rezultatet e pritshme; 

- të sigurojnë që informacioni i vlerësimit përdoret në mënyrën e duhur për të inkurajuar stafin e shkollës, me synimin që ai të reflektojë për lidhjet ndërmjet praktikës së klasës dhe rezultateve të pritshme të nxënësve, për përmirësimin e mëtejshëm të tyre.


(Portali Shkollor)

5,588 Lexime
6 vjet më parë