Risitë dhe "mangësitë" e sistemit SMIP, në arsimin parauniversitar
Sivjet në vitin shkollor 2023-2024, SMIP është një detyrim për arsimtarët në çdo shkollë në Shqipëri. Dritan Staro, administratori i SMIP, shkolla 9-vjeçare "Sali Zaimi", Vërlen, sjell një analizë mbi risitë dhe “mangësitë” e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar.
Pas një vit eksperimentimi me probleme teknike për faj të sistemit, apo me vështirësitë e mësuesve për ta përmbushur atë, sivjet në vitin shkollor 2023-2024, tashmë SMIP është një detyrim për arsimtarët shqiptarë në çdo shkollë, anekënd vendit.
Natyrisht, që në fillim duhet të theksohet që ai është risi, që në periudhën digjitale, ku jetojmë, është i domosdoshëm.
SMIP në mënyrë definitive, zhduk çdo mënyrë abuzive për çdo nevojë dokumentacioni në arsimin parauniversitar. Ai shërben shpejt dhe saktë çdo shërbimi të qytetarëve.
Me anën e tij, shtetasit marrin çdo informacion, çdo shërbim që atyre u nevojitet për fëmijët e tyre.
Sistemi është smart edhe në lidhje me regjistrimin apo transferimin e nxënësve nga njëra shkollë te shkolla tjetër, brenda apo jashtë qendrës së banimit të nxënësit. Shërbimi realizohet nga e-albania që është root për sistemin SMIP.
Prindërit, marrin rezultatin e fëmijëve, në çdo kohë dhe periudhë të vitit shkollor. Ata kanë mundësinë për marrjen e dëftesave të fëmijëve të tyre të suportuara nga SMIP te e-albania.
Po si çdo risi që futet rishtas, ka edhe “vështirësi” të cilat duhet të eliminohen, pasi të njihen nga përdoruesit.
Së pari sistemi SMIP ka nevojën bazë internetin .Kështu që ai duhet ekzistent në çdo shkollë dhe në çdo zonë.
Përdorimi i SMIP bëhet i mundur nëpërmjet pajisjeve elektronike digjitale që duhen të jenë në çdo shkollë dhe t’u vihen në dispozicion çdo mësuesi. (Theksojmë se në shkollat rurale, ky problem është ekzistent).
Këto probleme të infrastrukturës, po vijnë duke u rregulluar dhe nuk është ndonjë problem i madh që shkollat të pajisen të gjitha me internetin e duhur dhe pajisjet e nevojshme të SMIP.
Së dyti për shkak të mosnjohjes së teknologjisë digjitale mësuesit hasin vështirësi në përdorimin e sistemit. Është e nevojshme që mësuesit në këtë vit të marrin trajnime të detyrueshme (pa kredite), nga kompetentet për përdorimin e SMIP.
Sivjet, edhe regjistri fizik do të mungojë, për shkak të SMIP, që ka në vetvete regjistrin elektronik.
Edhe kjo është risi, pasi mësuesit të mësuar me vite me këtë "shok" të përhershëm, u duket mungesë.
Mospërdorimi i regjistrit fizik sjell si nevojë përdorimin e regjistrit personal të mësuesit, i hequr para një viti. Në fakt, regjistri personal nuk është objekt monitorimi, por i nevojitet mësuesit për dokumentimin e notave dhe mungesave të nxënësve, si dhe datave dhe orëve mësimore.
Sidoqoftë natyrisht lindin pyetje të ndryshme si:
Ku do të pasqyrohen të dhënat biometrike të nxënësve që më parë hidheshin më parë në regjistrin fizik, manual, në dy kolona në fillim dhe në fund të vitit shkollor?
Ku do të pasqyrohen problematikat e takimeve me prindër që i përmbante regjistri manual? etj.
Si konkluzion Sistemi është një arritje digjitale bashkëkohore që sistemit arsimor shqiptar i mungonte. Me angazhimin e ekipit krijues dhe përdoruesve ai do t'i shërbejë më së shumti komunitetit të prindërve për t'i informuar ata me progresin e fëmijëve të tyre, në kohë reale.
Nga Dritan Staro, administratori i SMIP, shkolla 9-vjeçare "Sali Zaimi", Vërlen
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Bukurie A Hajdarmataj: Letërsia dhe ndikimi i saj në formimin e karakterit të nxënësit
Rolet gjinore në familje
Një mësues mund të ndryshojë botën