Në shkollë

Rekuiem për mësuesit e të vegjëlve

Nxënësit shkollën e jetojnë në tërë spektrin e saj: në lojë, në marrëdhënie, në të mirë e në të keq. Në tërë rrumbullakësinë e saj e jetojnë shkollën nxënësit. Dhe mësuesit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse investojnë kohën e tyre të çmuar për t’i mësuar.

Fëmijët hyjnë në shkollë dhe ka prindër që mendojnë se ata e jetojnë shkollën vetëm si një vend ku do të mësojnë. Kaq. 

Në të vërtetë nxënësit shkollën e jetojnë në tërë spektrin e saj: në lojë, në marrëdhënie, në të mirë e në të keq.. Në tërë rrumbullakësinë e saj e jetojnë shkollën nxënësit. 

Dhe mësuesit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse investojnë kohën e tyre të çmuar për t’i mësuar. Përgjatë këtij rrugëtimi,  problemi është se secili prej tyre lë një shenjën më të rëndësishme dhe të pashlyeshme. 

         Po...përse problem? Sepse ndonjëherë këto shenja dalin jashtë në mënyrë të paparashikueshme dhe ti je aty, ka raste e shtangur e ka raste me fjalën e lëmuar e të zgjedhur, produkte këto të një profesionalizmi perfekt, por që tek i cili nuk po beson më askush. 

    

A t’ju tregoj diçka? Ejani me mua në një klasë të tretë: 

           

- Mse këtu duhet ta mbyllni derën mirë kur të ikni.  A e di që kanë ardhur vjedhësit te lagja ime? Duhet të jeni të kujdesshëm. Këtu ka edhe kompiutera, jo vetëm banka.

      Për serinë: shkolla është edhe e imja, duhet të bëni kujdes!

- Mse nuk jam mirë...të shkoj të mas temperaturën? Ika, mirë? 

       Që do të thotë se çdo kënd i shkollës nuk ka sekrete, që nga klasa e tretë mund të shkosh të marrësh shkumësa, laptopin, libra, fshesë madje të gjitha këto edhe me sy mbyllur.  

- Mse kam shumë dhimbje koke: e lava fytyrën, siç më the ti dhe nuk më iku. Bëra edhe disa hapa nëpër korridor, po hiç....Prandaj, unë them të thërrasim mamin...po nuk di si t’ia bëj... apo të rri edhe pak...?

        Që përkthehet; mirë jam edhe këtu, sepse në fund të fundit nuk jam edhe aq keq, po të rri mund edhe të më ikë dhimbja e kokës... po prit të të përqafoj pak... ah tani jam më mirë.

- Mse këtu po dridhet tavolina...

- Po jooo, është Albi që po hidhet përpjetë. 

- ...Aaa mirë... - po sytë ndërkohë janë hapur tej e tej që tregon se është i shqetësuar, madje i tmerruar. 

- Unë sa do të bërtisja :”Të gjithë poshtë bankave!”. Dhe do të nisja të numëroja derisa të mbaronte tërmeti, po  qenka Albi....Uh, çfarë frike! Ama shkolla jonë është shumë e fortë, apo jo mse? 

        Tani kjo do të përkthehej: Unë akoma kam frikë, por po sforcohem të dukem i qetë..në fund të fundit jeni ju që duhet të më mbroni, pa shiko....duhet të besoj te ju...

Por këto janë vetëm pak. Mijëra të tjera do të shpërthenin. Ata na tregojnë gjëra të mrekullueshme: 

- Dje ishte dita më e bukur e jetës sime.

- Po ç’gjë e bukur të ndodhi?

- Tërë ditën dje ndenja me mamin, vetëm ne të dyja.   

        Dhe sa të lumtur janë kur ti e vë re se kanë veshur një palë atlete të reja për shembull, apo kanë mbledhur flokët gërshet. 


Po përse duhet t’i themi vetes këto? Pse duhet t'i shkruajmë herë pas here? Pse kemi nevojën që të na lexojnë të gjithë? 

Sepse mund të ndodhë që ndërsa pret vajzën të mbarojë kursin e anglishtes, të të kalojë pranë një djalë i bukur, i ëmbël, me aromë qumështi. Rreth 13 vjeç. 

Je vetëm ti dhe “Përshëndetje mësuese” me shumë delikatesë që të buzëqesh e largohet. 

Është mirësia vetë brenda një njeriu dhe mirësia vetë mbetet.  Atëherë ti kujtohesh se dikur e ke lënduar...oh sa shumë fjalë i ke bërë dikur!

Një djalë me mendje të bukur, por që ndonjëherë nuk i mbaronte detyrat e klasës dhe ti mërziteshe shumë për këtë. Por ishte inteligjent dhe herët a vonë, kjo do t'i shfaqej. 

Atëherë ti tretesh në sytë e tij... a e mban mend atë të bërtitur?  Kush e di...

Ai më pas nisi të rritet. Rritej në trup e në mendje. Eh, nëse do që të rritesh duhet të jesh i fortë... (kërkoj dikë që të më firmosë justifikimin jeeashpërporduhettabësh).


Kur rri, punon 3,4,5 vite bashkë me to, nuk bëhet fjalë më për rezultatet e Provimit final të klasës së pestë; e bën sepse i ke zemër. 


Me sa di në Hollandë ka mësues që i mbajnë fëmijët për 1 ose 2 vjet vetëm, ndoshta për një përgatitje të specializuar ose ndoshta për të mos krijuar një raport "shumë të lidhur”. Nuk di të them nëse kjo është një gjë e mirë...Sepse kur i sheh një herë duke qarë, një herë duke luajtur, e shumë herë duke i duruar nga një orë në tjetrën, ti krijon një lidhje me ta. Pikërisht kjo lidhje të ve para dilemës: 

-I pashë mirë ata sy që më dhanë atë buzëqeshjen e tipit "E mbaj mend, po ty të kujtohet"? 

Sigurisht që e mbaj mend, zemër. Tani është një tjetër çamarrok a çamarroke si ti, që ka të njëjtën buzëqeshje të butë, që më vjen pas e më shtrëngon fort. 


Rinis gjithçka nga e para....dhe shpresojmë që buzëqeshje të tilla mos të ndalojnë kurrë së kryqëzuari me sytë tanë. Të mësuesve. 


(Natasha Shuteriqi Poroçani, Portali Shkollor)

2,894 Lexime
6 vjet më parë