Reformimi i teksteve, ekspertizë nga Norvegjia

"2016-ta do të jetë viti kyç për eliminimin e defekteve me tekstet shkollore në Maqedoni"

"2016-ta do të jetë viti kyç për eliminimin e defekteve me tekstet shkollore në Maqedoni", deklaron ministri Ademi. Por, që procesi të jetë i suksesshëm, ai thotë se duhet të punohet edhe me autorët e teksteve, të cilët lipset të jenë vizionarë dhe të gatshëm për ta sfiduar mentalitetin komunist. Kjo, njëkohësisht do të jetë edhe sfida më e madhe e MASH-it, vëren Ademi, ndërsa zbulon se nga Ministria e Jashtme e Norvegjisë është kthyer përgjigje pozitive për projektin me të cilin është aplikuar paraprakisht

Përmbajtjet skandaloze të teksteve shkollore në arsimin parauniversitar, sipas paralajmërimeve të ministrit të Arsimit, Abdilaqim Ademi, shumë shpejtë do të kalojnë në histori. 2016-ta, sipas tij, do të jetë vit vendimtar në këtë aspekt, pasi Minsitria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) po bëhet tanimë gati për hapjen e një procesi gjithëpërfshirës në drejtim të korrigjimit të teksteve shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm, respektivisht përpilimit të librave sipas standardeve më të larta evropiane.

Kësaj radhe, do të jenë norvegjezët ata që do t’i ofrojnë MASH-it ekspertizën për nxjerrjen e sistemit arsimor të Maqedonisë nga njëri prej problemeve më të ndjeshme në arsim. Puna në këtë drejtim, sikurse pohon ministri Ademi, do të nis së shpejti, ndërsa zgjidhja thotë se do të jetë sistemore. Ai nënvizon gjithashtu edhe nevojën e mos ndërhyrjeve politike në këtë proces, qoftë edhe përmes vendimeve që mund të merreshin nga ana e ministrave. Sepse ministrat, thotë Ademi, janë persona politik dhe çdo vendim i tyre, do të kontestohet para së gjithash politikisht.

"Unë, si ministër, edhe mund të tërheq nga përdorimi një tekst shkollor me përmbajtje kontestuese dhe mund të formojë një Komision të posaçëm për të propozuar një tekst tjetër për ta zëvendësuar të parin. Mirëpo, me këtë ne nuk e kemi zgjidhur problemin. Ndoshta, vetëm mund ta tejkalojmë një situatë të caktuar, por pa ofruar një zgjidhje sistemore", shprehet Ademi.

Për të mos trazuar nga brenda sistemin arsimor nga ndonjë vendim eventualisht radikal, ministri i Arsimit thotë se është përcaktuar që këtë çështje t'ua besojë ekspertëve duke e trajtuar procesin kryekëput nga prizmi shkencor.

"Prandaj kam aplikuar me një projekt në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, prej të cilëve kam përgjigje pozitive se projekti do të miratohet në vitin 2016", deklaron ministri Ademi. Ky projekt, plotëson më tej ai, përveç tjerash, ka të bëjë edhe me analizën e përmbajtjes së teksteve shkollore, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndëretnike dhe që janë kontestuese për ndonjërin prej etniteteve që jetojnë në Maqedoni.

"Sigurisht që kjo analizë do të vlejë për të gjitha tekstet shkollore që përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm dhe pres që shumë shpejtë të nis puna në këtë drejtim", shprehet ministri, i cili me fillimin e punëve - nënkupton formimin e Grupeve të ekspertëve për sfera të ndryshme.

"Grupet e ekspertëve do të analizojnë përmbajtjen e teksteve dhe do të dalin me rekomandime konkrete se çfarë duhet bërë, ndërsa MASH do t'i respektojë me përpikmëri ato rekomandime. Kjo mendoj se do të jetë mënyra më e mirë për ta lënë këtë çështje në dorën e ekspertëve, pra që ata të vlerësojnë se çfarë duhet bërë. Duke ua besuar këtë proces ekspertëve, do të eliminohen ndikimet politike në përpilimin e teksteve të ardhshme shkollore".

Ministri i Arsimit nënvizon se politika nuk duhet të përzihet në procesin e përpilimit të teksteve shkollore edhe atë jo vetëm të Historisë, Gjeografisë apo Muzikës, por edhe të shkencave ekzakte dhe lëndëve profesionale. "2016-ta do të jetë viti kyç për eliminimin e defekteve me tekstet shkollore në Maqedoni dhe që janë problem tepër i madh arsimor", deklaron Ademi.

Por që procesi të jetë i suksesshëm, ai thotë se duhet të punohet edhe me autorët e teksteve, të cilët lipset të jenë vizionarë, pa paragjykime dhe ngarkesa nacionale, objektiv, të hapur dhe të gatshëm për ta sfiduar mentalitetin komunist. Kjo, njëkohësisht do të jetë edhe sfida më e madhe e MASH-it.

"Mendoj se problemi më i madh dhe më sfidues për MASH-in është përmbajtja e teksteve shkollore e të gjithë lëndëve pa përjashtim dhe këtë problem nuk e kemi vetëm ne në Maqedoni, por edhe vendet tjera të rajonit, sepse të gjithë dalim nga një sistem komunist. Pra, edhe hartuesit e teksteve shkollore janë kryesisht produkt i një mentaliteti tjetër që nuk përkon me sfidat e kohës së sotme. Me këtë nuk dua të ofendojë askënd, por vetëm të nënvizoj kompleksitetin e problemit me tekstet shkollore", shprehet ministri i Arsimit.

Nisur nga kjo, plotëson më tej ai, për një zgjidhje afatgjate të problemit dhe për përgatitjen e gjeneratave të reja të nxënësve, nuk mjafton të ndryshohen vetëm ligjet, por duhet të ndryshojë komplet mentaliteti i shoqërisë.

Hartuesit e teksteve shkollore janë padyshim një hallkë e rëndësishme e këtij procesi, njëlloj sikurse edhe mësimdhënësit. Me ekspertizën që do të ofrojnë norvegjezët në kapërcimin e barrierave ndëretnike, ministri Ademi është optimist se MASH-i do t'ia dalë të reformojë tekstet shkollore.

(Laura PAPRANIKU, Koha, Maqedoni)

2,473 Lexime
8 vjet më parë