Deklarata e ministres Nikolla

Reforma në klasat kolektive

"Kemi mbledhur udhëzues dhe doracak, me shembuj të orëve mësimore dhe metodave më efektive mësimore, që i kemi përkthyer dhe përshtatur për t’i ndarë me mësuesit e klasave kolektive."

Ky vit i ri shkollor do të ketë edhe një adresim të situatës me klasat kolektive në të cilat mësojnë fëmijë të grup moshave të ndryshme.


Të dashur prindër e mësues të Shqipërisë. 

Ndihmomëni.

Ndihmomëni siç keni bërë në këto vite dhe për të cilën unë ju jam shumë mirënjohëse. 

Ta fitojmë me kurajo edhe këtë betejë.

Është beteja për arsim më të mirë për 33 mijë nxënës. 

Është shumë e vështirë. 

Nuk fitohet vetëm duke dhënë përgjigjet e pyetjeve, Pse? Si? Qysh? Tek?

Por fitohet së pari me zemër. 

Me vendosmëri. Me planifikim, me transport për nxënësit dhe mbështetje për mësuesit. 

Ne nuk kemi synim mbylljen e shkollave por mbylljen e klasave kolektive. E theksoj klasave me nxënës të moshave të ndryshme ku numri i nxënësve është edhe 3 edhe 5. 

Ndërhyrja jonë ka filluar që vitin e kaluar shkollor. 

Testuam të gjithë nxënësit për aftësitë në shkrim lexim dhe në bazë të nevojave realizuam programin për përforcimin e shkrim-leximit pas trajnimit të mësuesve.

Ky ishte edhe hapi i parë emergjent.


Hapi i dytë ishte një studim rrënjësor i gjithë sistemit të klasave kolektive të shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë. 

Kemi parë secilën klasë, kemi matur largësinë nga shtëpitë e nxënësve, nga shkollat e tjera më të afërta, kemi parë kushtet e punës në këto klasa, kemi dërguar ekipe të ecin në këmbë rrugët që përshkojnë vet nxënësit. 

Kjo punë 8 mujore ka rezultuar në identifikimin e klasave që mund të transferohen në shkolla më të mëdha ku nxënësit do të mund të mësonin me bashkëmoshatarët e tyre jo me në klasa kolektive.

Kemi bërë planin e veprimit për të realizuar këtë transferim.

 

Hapi i tretë po ndodh tani: hartimi i urdhrit për transferimin e  nxënësve në shkollat më të afërta, si dhe sistemimin e mësuesve të këtyre nxënësve në sistem, duke i siguruar se askush nuk do të mbetet i papunë.


Por ju të dashur prindër kërkoni më të mirën për edukimin e fëmijëve tuaj. Ky është qëllimi edhe i reformës së klasave kolektive. 

Ky nuk është një fenomen shqiptar. Klasa kolektive ka edhe në vende të tjera, por atje kur mbyllen klasat kolektive është sukses.


E gjithë vëmendja jonë është tek 33 mijë nxënësit  dhe mësuesit e tyre!

Ndaj paralelisht ne kemi studiuar modelet më të mira që sigurojnë përmirësimin e  cilësisë së arsimit në klasat që e kemi të pamundur të mbyllim. 

Ky është dhe hapi i katërt i ndërhyrjes tonë: kemi mbledhë udhëzues dhe doracak, me shembuj të orëve mësimore dhe metodave më efektive mësimore, që i kemi përkthyer dhe përshtatur për t’i ndarë me mësuesit e klasave kolektive. 


Gjithashtu themelojmë rrjetin profesional të mësuesve të klasave kolektive në mënyrë që të ndajnë përvojat me njëri tjetrin dhe të përmirësojnë zbatimin e kurrikulës së re edhe në zona të thella malore.


(Portali Shkollor)

8,171 Lexime
6 vjet më parë