Trajnimi në Kosovë

QTPA ka zhvilluar më 22 janar trajnimin falas në Kosovë për modulin “Mësimdhënia në kurrikulat e reja”

Për këtë trajnim, ka pasur shumë mësimdhënës të interesuar nga qytete të ndryshme të Kosovës, si nga Prishtina, Ferizaj, Vushtrria, Gjilani, Peja. Për shkak të interesimit të madh të mësimdhënësve nga Kosova, shumë shpejt Qendra e Trajnimeve Albas do të organizojë edhe trajnime të tjera në Kosovë.

QTPA zhvillon trajnime të ndryshme në fushën e arsimit dhe synon t’u vijë në ndihmë mësimdhënësve në Kosovë përmes përvojës dhe trajnerëve të kualifikuar.


Në datën 22 janar 2022, nga ora 10.00-13.00 QTPA ka zhvilluar trajnimin në mbështetje të mësimdhënësve të arsimit fillor për tekstet shkollore të lëndës Gjuhës shqipe. Trajnimi është zhvilluar nga autorët e teksteve, duke synuar lehtësimin e punës për përdorimin e tekstit dhe zbërthimin e strukturës së tij.  


Trajnimi filloi me ligjërimin e Natasha Pepivanit, bashkautore e teksteve shkollore Gjuha shqipe 2 dhe Gjuha shqipe 3, si dhe kryeredaktore në Shtëpinë botuese “Albas”. Pepivani shpjegoi rreth kompetencave sipas kornizës kurrikulare, kurrikulës bërthamë dhe programit lëndor të gjuhës shqipe për shkallën e parë dhe të dytë dhe për realizimin e tyre në tekstet e reja të gjuhës shqipe. 


Filloreta Mustafa Dërmaku (autore e fletores së punës Gjuhë shqipe 1 dhe Gjuhë shqipe 3), ka folur për metodologjitë që ka përdorur gjatë hartimit të këtyre fletoreve, të cilat janë: metodologjia me nxënësin në qendër, metodologjia e bazuar në kompetenca, metodologjia e diferencuar dhe metodologjia e integruar. Gjithashtu ka përmendur disa nga dallimet ndërmjet metodologjisë tradicionale dhe bashkëkohore.


Kurse bashkautorja e librit të mësuesit për tekstin shkollor Gjuha shqipe 2 dhe Gjuha shqipe 3, Bardha Buleshkaj, ka trajtuar temën e punimit të planeve dymujore dhe vjetore, si pjesë përbërëse të librit të mësuesit.


Albërie Rraci Sejdiu, mësuese, ka paraqitur një orë model duke përdorur librin digjital, gjë për të cilën pjesëmarrësit ishin shumë të interesuar. 


Bashkautori i librave të nxënësve Gjuha shqipe 2 dhe Gjuha shqipe 3, Shpëtim Elezi, ka ligjëruar në lidhje me përfshirjen e 5 kompetencave të fushës së gjuhës shqipe, në këto tekste shkollore 5, të cilat janë: të folurit, të dëgjuarit, të lexuarit, të shkruarit dhe përdorimi i drejtë i gjuhës. Përfshirja e këtyre 5 kompetencave në librat e gjuhës shqipe të Albasit. 


Trajnimi është zhvilluar online në platformën Zoom dhe ka qenë pa pagesë. 



Më poshtë mund të shihni disa foto gjatë trajnimit: 


Përgatiti: Era Baliu, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,017 Lexime
2 vjet më parë