Qëndrimi i MAS: Politika nuk ka vend në shkollat tona

MAS ka kontaktuar me Drejtorinë Arsimore Rajonale Berat, ku i ka kërkuar fillimin e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave të ashpra administrative për këtë rast

Duke marrë shkas nga pamjet e transmetuara më datë 26 Janar 2016 në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, i cili përcolli denoncimin e disa mësuesve të qytetit të Beratit në lidhje me sjelljet jo etike, deri abuzuese, të drejtoreshës së Shkollës “Thimi Tani”, Ministria e Arsimit dhe Sportit informon:

Drejtoresha e shkollës “Thimi Tani” në qytetin e Beratit, znj. Tatjana Hoxha, e cila mban këtë detyrë prej 6 vitesh, referuar asaj ç'ka pamjet filmike transmetojnë rezulton se në zgjedhjet e pushtetit qendror 2013 ka përpiluar një listë me të dhënat personale të mësuesve të shkollës që drejton duke shfaqur krah gjeneraliteteve të tyre edhe bindjet politike të secilit. Gjithashtu, drejtoresha e kësaj shkolle referuar po këtyre pamjeve, rezulton se ka një mungesë të theksuar të etikës profesionale deri në abuzime me detyrën.

Referuar këtij transmetimi në emisionin Fiks Fare, menjeherë MAS ka kontaktuar me Drejtorinë Arsimore Rajonale Berat, ku i ka kërkuar fillimin e procedimit disiplinor dhe marrjen e masave të ashpra administrative për këtë rast, për shkak të thyerjes së kodit të etikës së komunikimit, disiplinës, abuzimit me detyrën nga ana e drejtueses së këtij institucioni arsimor.

Ministria e Arsimit dhe Sportit shpreh edhe njëherë tjetër, vendosmërinë e saj, për të ndëshkuar çdo akt abuzimi me detyrën për këdo drejtues apo nënpunës të sistemit arsimor dhe inkurajon çdo qytetar dhe media, per të denoncuar raste të kesaj natyre. Kushdo që përdor detyrën e tij shtetërore për të ringjallur politikën e vjetër të rrënimit të arsimit, përmes imponimit të bindjeve partiake mbi trupën e mësuesve dhe nxënësve nuk do të lejohet të jetë pjesë e kësaj trupe.

MAS përshëndet dhe falenderon gazetarët e emisionit investigativ të televizionit Top Channel për kontributin e tyre për rastin në fjalë, puna e të cilëve është një ndihmë e çmuar në nismat tona në luftën për depolitizimin e shkollës dhe kundër abuzimit me detyrën nga çdo drejtues apo punonjës në sistemin arsimor shqiptar.

1,878 Lexime
8 vjet më parë